| Mesazhi i Myftiut me rastin e fillimit te Ramazanit |
|
|
|
Prishtinë, 31 gusht 2008
Vëllezër e motra besimtarë! Nesër është dita e parë e Ramazanit, andaj më lejoni që në emër të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, në emër të institucioneve të saja dhe në emrin tim personal, të gjithë besimtarëve Islam t'ua uroj fillimin e këtij muaji të shenjtë, duke e lutur Allahun Fuqiplotë që të na e pranojë agjërimin dhe të gjitha ibadetet që i bëjmë për t’a arritur kënaqësinë e Tij. Ramazani i sivjemë është më i veçantë dhe ka një shije më të ëmbël, sepse është Ramazani i parë që po e presim në shtetin tonë ta pavarur e sovran të Republikës së Kosovës, shtet të njohur ndërkombëtarisht. Për të gjitha këto mirësi, falënderimi i takon Allahut të Gjithëpushtetshëm e pastaj nderi dhe respekti u takon edhe të gjithë atyre që u flijuan dhe sakrifikuan çdo gjë për këtë ditë,si dhe miqve tanë anembanë botës demokratike, që na ndihmuan për ta jetësuar bashkërisht ëndrrën tonë shekullore. Të nderuar besimtarë Muaji i Ramazanit është një muaj që dallon për shumëçka nga muajt e tjerë, sepse është muaji në të cilin njerëzimit iu dhurua dhurata më e çmueshme - Kur’ani famëlartë, i cili është udhërrëfyes dhe dritë për të vërtetën, për të drejtën dhe moralin e pastër. Është muaj i fitoreve më të mëdha në historinë e lavdishme islame si fitorja në Bedër, çlirimi i Mekës etj, por mbi të gjitha është muaj i mbizotërimit ndaj vetvetes, muaj ku ne për hir të kënaqësisë së Allahut e frenojmë veten nga shumë gjëra, vetëm e vetëm për të treguar gatishmërinë dhe vendosmërinë tonë njerëzore, dhe për ta arsyetuar epitetin e krijesës më të privilegjuara nga i Madhërishmi. Allahu xh.sh. thotë: “Muaji i Ramazanit është ai në të cilin ka zbritur Kur’ani, udhërrëfyes për njerëzit dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i së vërtetës nga gënjeshtra) E kush e përjeton këtë muaj, le të agjërojë…” (Kur’an, 2:185). Ndërsa i Dërguari i Allahut, Muhamedi a.s. thotë: “Kush e agjëron muajin e Rramazanit me besim (të sinqertë) dhe me shpresë (se do të shpërblehet nga Zoti për të), atij do t’i falen mëkatet e mëparshme”. Agjërimi është një adhurim i cili e mëson njeriun që ta çlirojë vetveten dhe të ikë nga robëria e materiales dhe e errësirës së epshit për ta jetësuar atë që ia ka caktuar Allahu në mbretërinë e jetës së vërtetë dhe të posedojë aq sa dëshiron Allahu prej veçorive të mirësisë dhe vlerave, sepse lirinë e vërtetë nuk e shijon dhe nuk e vlerëson askush përpos atij që e ka jetuar këtë jetë. Agjërimi e mëson myslimanin të jetë i mëshirshëm, edhe pse ai këtë vlerë dhe veti duhet ta ketë vazhdimisht. Sikurse na ka treguar Pejgamberi, a.s.: Zemra që mëshiron është zemër që mëshirohet nga Allahu xh.sh.. Agjërimi i kryer me përkushtim e devotshmëri ngritjen gradat tona, na i shlyen mëkatet. E thyen epshin, e shton ndjenjën e solidaritetit, ndikon në shtimin e adhurimeve, dhe na bën që të jemi mirënjohës e falënderues ndaj Krijuesit të gjithëmëshirshëm. Besimtarë të nderuar! Mundohuni të jeni të sinqertë dhe të vendosur, pastrojeni shpirtin dhe zemrën tuaj nga çdo ndjenjë e egoizmit. Ngjalleni në zemrën tënde shkëndijën e dhembshurisë dhe të solidaritetit, dhe bashkëjetoni me zemër e me ndjenja me skamnorët dhe të varfrit, që kanë nevojë për ndihmën dhe kujdesin tonë të vazhdueshëm.. Le të jenë netët e këtij muaji të Madh, net të namazit, të leximit të Kur’anit, të mësimit e të studimit. Le të jenë këto net, net të pendimit e të lotëve, sepse pendimi i sinqertë, i shlyen mëkatet dhe gjynahet tona. Le të kujdesemi për farefisin, të afërmit, dhe të rrezatojmë kudo që jemi rreze pajtimi e mirësie. Le të shërbej ky muaj si stimulim në përforcimin tonë ndaj ftesës së besimit dhe tolerancës dhe, forcim i zemrave tona drejtë shkallëve të larta të devotshmërisë, mekanizëm i cili na siguron prosperitet në këtë botë dhe shpëtim në botën tjetër. Lë të shërbej ky muaj si vetëdijesim ta duam dhe respektojmë më shumë dinjitetin njerëzor. Lë të shërbej ky muaj si mesazh i paqes, lirisë dhe përpjekjes së përbashkët në realizimin e synimeve tona të mëtutjeshme madhore. Le të shërbej ky muaj si mesazh hyjnor, që nëse deri dje nuk kemi agjëruar dhe si kemi njohur dobitë e tij universale, të marrim kurajë dhe të agjërojmë dhe të njohim rëndësinë e këtij Muaji të madhërishëm O Zot fali ata që deri dje nuk të janë përgjigjur dhe mundësona neve të arrijmë këtë Muaj me bindje dhe besim të thellë, pranoji lutjet tona, adhurimin dhe sakrificën tonë, dhe mundësona të kryejmë këtë urdhër hyjnor e të ngrihemi mbi piedestalin tokësor. Allahun e Gjithëmëshirshëm e lusim që të na i pranojë adhurimet që i bëjmë në këtë muaj dhe veprat që i bëjmë në këtë muaj t’i regjistrojë në regjistrin e veprave të mira. Në fund, të nderuar vëllezër e motra, besimtarë të shtrenjtë, më lejoni që kudo që gjendeni, në Kosovë, në diasporë a në trojet tona etnike, që përzemërsisht t’ua uroj fillimin e muajit të madhëruar të Ramazanit, duke ju dëshiruar mbarësui e bereqet në familje, dhe agjërim të lehtë e të pranuar tek Allahu i Gjithëmëshirshëm. Me fat Ramazani!
Myftiu i Kosovës Mr. Naim Tërnava |
| < I mėparshmi | Tjetri > |
|---|