| Vėrejtjet e BI-sė rreth propozimit tė Ahtisarit |
|
|
|
Prishtinë, 14 shkurt 2007 Vërejtjet e Kryesisë së BI të Kosovës për propozimin e presidentit Ahtisarit për Kosovën drejtuar: -ZYRËS SË UNOSEK-ut – VJENË-PRESIDENTIT AHTISARI -ANËTARËVE TË GRUPIT NEGOCIATOR TË KOSOVËS INSTITUCIONEVE TË KOSOVËS: - PRESIDENCËS - KUVENDIT - QEVERISË Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës sikurse edhe i tërë populli i Kosovës me vëmendje ka pritur bërjen publike të planit të Presidentit Ahtisari. Kjo Kryesi, pas bërjes publike të këtij Propozimi Gjithpërfshirës për Marrëveshjen për Statusin e Kosovës nga kryenegociatori ndërkombëtarë, me vëmendje ka shqyrtuar dhe analizuar propozim. Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, në parim propozimin e presidentit Ahtisari e vlerëson si një draft pozitiv megjithëqë lenë shumë për të dëshiruar, dhe si i tillë për momentin hap rrugë drejtë bërjes së Kosovës shtet. Mirëpo, Kryesia e BI-së pas analizës së hollësishme shprehë mospajtimin e saj dhe i ngritë këto shqetësime: 1. Në Propozimin e presidentit Ahtisarit nuk përmendet takstativisht pavarësia, shtetësia dhe sovraniteti i Kosovës, prandaj, duke u nisur nga fakti se ky popull ka paguar shtrenjtë një gjë të tillë (Ju e dini numrin e dëshmorëve), nuk e kemi merituar një trajtim të tillë, kështu që kërkojmë që në versionin përfundimtarë edhe kjo të figurojë gjegjësisht të definohet qartë statusi i Kosovës. 2. Në pakon e Presidentit Ahtisari, ndër të tjera, thuhet se “Kosova nuk ka fe zyrtare dhe që do të jetë e paanshme në çështjet e orientimeve fetare” (An. I, 1.4). Një trajtim i këtillë i fesë, cila do qoftë ajo, na duket i padrejtë dhe mund të shkaktojë reagime në mesin e besimtarëve. Në të vërtetë, një qasje e këtillë na rikujton të kaluarën e hidhur të sistemit monist – ateist, kur feja jo vetëm që ishte anashkaluar por edhe ishte luftuar nga regjimi i atëhershëm. Nuk duhet harruar se një numër i konsideruar i vendeve evropiane, ku feja është e ndarë nga shteti, megjithatë feja zyrtare figuron në kushtetutat e tyre. Gjithashtu, duhet theksuar se ne asnjëherë nuk kemi pretenduar dhe as tani nuk pretendojmë që ne si shumicë absolute të privilegjohemi ose që formulimi të bëhet në dëm të bashkësive të tjera tradicionale të vendit. Nga ana tjetër, nuk duhet harruar, gjithashtu, se çdo përpjekje për imponimin e një multietniteti apo multireligjioziteti artificial mund të prodhojë efekte negative për shoqërinë kosovare. Kryesia e BI-së me këtë rast propozon që Kushtetuta e ardhshme e Kosovës të njohë fetë tradicionale të Kosovës: fenë Islame dhe atë krishtere me dy ritet e saj: ortodokse dhe katolike. 3. Aneksi V që ka të bëjë me Trashëgiminë Kulturore dhe Fetare, i cili tërësisht i dedikohet mbrojtjes së trashëgimisë së Kishës Ortodokse Serbe (KOS) të Kosovës, duke mos përmendur fare trashëgiminë fetare islame dhe atë katolike, na duket krejtësisht i pavend. Ne mundohemi të kuptojmë qëllimin e mirë të presidentit Ahtisari, i cili dëshiron që ky aspekt i ndjeshëm i palës serbe të jetë i mbrojtur me ligj e që ata mos të kenë arsye ta kundërshtojnë pakon e tij. Mirëpo, njohësit e mirë të trashëgimisë së objekteve sakrale ortodokse në Kosovë, duke mos e përjashtuar edhe KOS-in, e dinë mirë se gjatë tërë historisë ishin pikërisht shqiptarët ata që kishin mbrojtur dhe ishin kujdesur për këto objekte, madje edhe atëherë kur nuk kishte pasur serb në ato objekte, përfshirë këtu edhe periudhën e Perandorisë Osmane. Aktet që ndodhën ndaj kishave ortodokse serbe të Kosovës gjatë ngjarjeve të 17-18 marsit 2004, duhet të shikohen si përjashtim dhe në kontekst më të gjerë psiko-sociologjik e jo vetëm në një aspekt të ngushtë të urrejtjes fetare. Pastaj, përkrahja e parezervë që KOS-i i kishte dhënë Milosheviqit dhe regjimit të tij, kishte bërë që në ndërdijen e shqiptarit të rëndomtë këto objekte sakrale të ktheheshin në simbole të shtypjes dhe okupimit të popullit shqiptar. Ne kërkojmë që trashëgimia kulturore dhe fetare të trajtohet në bazë të vlerës që ka sepse ajo është pasuri e Kosovës dhe e popullit të saj. 4. Në Pakon e presidentit Ahtisari askund nuk përmendet termi islam dhe as xhami, sikur në Kosovë mos të kishte asnjë xhami dhe asnjë myslimanë, sa kohë që shumica dërmuese e këtij populli i takojnë pikërisht këtij besimi. Për ne kjo ka qenë një absurd i llojit të vet. Prandaj, kërkojmë që kjo çështje të rregullohet në mënyrë meritore. 5. Në Aneksin V, neni 2, al. 2.2. “Kosova do t’i ofrojë Kishës Ortodokse të Serbisë privilegje doganore dhe tatimore....”, ndërkaq ne kërkojmë që në mos asgjë tjetër, së paku edhe dy bashkësitë tjera, ajo islame dhe katolike ta kenë të njëjtin tretman 6. Ne kërkojmë gjithashtu që në mjediset ku popullata shumicë janë serbë, si rasti i Zveçanit, Zubin-Potokut, Leposaviqi dhe Mitrovica e veriut, objektet islame të gëzojnë të njëjtin tretman dhe të jenë zona të mbrojtura. Gjithashtu, këtë tretman ta gëzojnë edhe objektet tjera monumentale të proveniencës islame të cilat gjenden gjithandej nëpër Kosovë. Kërkojmë, po ashtu, të na mundësohet ndërtimi i xhamive të shkatërruara në pjesën veriore të Mitrovicës. Po Ju përkujtojmë vetëm xhaminë buzë Ibrit në pjesën veriore të Mitrovicës, e cila është rrënuar me themel nga forcat serbe në vitin 1999. 7. Në Pakon e presidentit Ahtisari definohet shumë mirë kthimi i pronës së KOS-it (Aneksi VII, neni 6, pika 6.1.), mirëpo kjo duhet të vlejë edhe për komunitetet tjera fetare. Prandaj, në emër të Bashkësisë Islame të Kosovës dhe anëtarësisë së saj, kërkojmë nga Ju që këto shqetësime tona ti merrni parasysh sepse jemi thellë të bindur se kështu do të bëni zgjidhje meritore. Duke Ju falënderuar për mirëkuptim, Ju përshëndesim sinqerisht dhe Ju dëshirojmë sukses. Kryetari, Myftiu, mr. Naim Tërnava |
| < I mėparshmi | Tjetri > |
|---|