| Nė Stanoc nė vigjilje tė Ramazanit u inaugurua xhamia e re |
|
|
Vushtrri Në vigjilje të muajit të madhëruar të Ramazanit sherif më 19 gusht 2008, në një solemnitet rasti u bë përurimi i xhamisë së re në fshatin Stanoc të Epërm të komunës së Vushtrrisë. Kjo xhami qe shkatërruar nga forcat serbe gjatë luftës së fundit, ndërsa rindërtimi i saj u bë i mundur falë angazhimit të imamit Sali ef. Caka, xhamitlinjëve të këtij vendbanimi, përkrahjes së Kryesisë së BI dhe donacionit nga shoqata IIRO misioni në Kosovë.
Në manifestimin e hapjes së xhamisë qe i pranishëm edhe Myftiu i Kosovës mr. Naim Tërnava i shoqëruar nga bashkëpunëtorët, pastaj banorë të Stanocit e rrethinës dhe drejtuesit e Këshillit të BI-së të Vushtrrisë me në krye Shemsi ef. Rrahimin Duke iu drejtuar të pranishmëve Myftiu i Kosovës mr. Naim Tërnava pasi ka falënderuar imamin e xhamisë për angazhimin e tij për të rindërtuar xhaminë, ka falënderuar donatorët që bënë të mundur rindërtimin e xhamisë, si dhe të gjithë ata që në çfarëdo mënyre kanë kontribuar për xhaminë. “Qytetarë të nderuar sot jemi tubuar që të bëjmë përurimin e këtij objekti madhështor që pas 9 vjetëve kur e shkatërruan serbet po i rikthehet fshatit tuaj më e bukur falë angazhimit të imamit tuaj, kontributit të besimtarëve tanë si dhe ndihmës së donatorëve, gjë që tregon përkushtimin e këtij populli ndaj fesë së Allahut”- tha në fillim të fjalës së tij Myftiu Tërnava dhe vazhdoi . “Mund të them se në komunën e Vushtrrisë, pas përfundimit të luftës për këto vite janë ndërtuar 24 xhami të reja nga 8 sa ka pasur para lufte. Ndërtimi i këtyre xhamive është treguesi më i mirë për punën dhe angazhimin e BI dhe të Këshillit po edhe të besimtarëve tanë në këtë rreth. Na gëzon fakti që kemi një interesim të madh nga tërë besimtarët anë e kënd Kosovës për ndërtimin e xhamive të reja, kjo tregon më së miri interesimin e popullatës sonë për fenë e Allahut. Si edhe deri tani Kryesia e BI të Kosovës do mbështesë që aty ku ka nevojë të ndërtohet xhami”- tha ndër të tjerat myftiu Tërnava. Ndërsa duke folur për rëndësinë që ka xhamia Myftiu tha: “Ju besimtarë të nderuar e dini se Pejgamberi a.s. me të migruar nga Meka në Medinë punën e parë që e ndërmori për ta bërë qe ndërtimi i xhamisë. Ndërsa në Kuran për xhaminë Allahu xh.sh. thotë: Xhamitë i ndërtojnë ata që e besojnë zotin, falin namazin dhe kanë dronë e Zotit”. Më tutje Myftiu tha “Xhamia është vend në të cilin tubohen besimtarët për të kryere ibadetet ndaj krijuesit të gjithësisë dhe vend ku edukohet e fisnikërohet popullata. Është fat që kjo xhami po inaugurohet në prag të fillimit të muajit të madhuar të Ramazanit, me ç’rast juve dhe gjithë besimtarëve ua uroi këtë muaj të bekuar”. Të pranishmit në emër të Këshillit i përshëndeti kryetari Shemsi Rrahimi, ndërsa në emër të fshatit imami i xhamisë Sali ef. Caka. (r.shkodra) |
| < I mėparshmi | Tjetri > |
|---|