|
Prishtinë, 30 dhjetor 2006Sot në orët e para të mëngjesit solemnisht në të gjitha xhamitë e Kosovës u kremtua festa e Kurban-Bajrami, ku pos hytbes kushtuar kësaj feste ku u përcollën mesazhe, për paqe, lumturi, dinjitet e solidaritet u fal namazi i Bajramit, ku morën pjesë një numër i madh i besimtarëve të të gjitha moshave.
Edhe kësaj radhe manifestimi qendror për territorin e Kosovës kushtuar festës së Kurban-Bajramit u mbajt në xhaminë “Sulltan Mehmet Fatih” të Prishtinës, në prani të mijëra besimtarëve, ku qenë të pranishëm udhëheqësit më të lartë të Bashkësisë Islame të Kosovës me Myftiun, Mr. Naim Tërnava në krye, pastaj kryetari i AKR-së Behxhet Pacolli, deputeti Ferid Agani e shumë personalitet të tjera. Për rëndësinë e Haxhit para të pranishmëve foli Ahemt ef, Sadriu i cili në fillim të fjalës së tij tha: “Sot është ditë feste, ditë madhrimi, ditë kur lartësohet më së shumti emri i Allahut nga miliona njerëz në mbarë rruzullin tokësor. Është ditë kur tekbireve tona u bashkëngjiten edhe tekbiret e melaikeve të Allahut në këtë gjithësi. Është dita e Kurban Bajramit, njërës prej dy festave më madhështore të Islamit. Dhe mu sot, kur ne përjetojmë çastet e Haxhit, kurbanit dhe duave të milionave hanxhinjve nëpër vendet e shenjta si në Arefat, Muzdelife dhe Mina, është një ndjenjë krenarie të jesh mysliman. Të jesh pjesëtar i kësaj feje hyjnore, do të thotë të jesh prej atyre, që janë të udhëzuar në rrugën e drejtë, në rrugën e dritës dhe të shpëtimit, prej atyre që çdo e rrahur e zemrës së tyre rrah vetëm nga dashuria dhe respekti për Krijuesin e Gjithësisë. Është kënaqësi të jesh në mesin e atyre vizitorëve, që gjenden në vendet e shenjta, vende ku lanë gjurmë të pashlyeshme të dashurit e Perëndisë - Ibrahimi, Ismaili dhe Muhamedi a.s. Të jesh pranë Qabesë së Madhëruar e Fisnike "shtëpisë së parë" në Tokë për adhurim ndaj Allahut, të vizitosh "Safanë dhe Mervën", Arefatin, Muzdelifen, Minën dhe xhaminë e bekuar të pejgamberit a.s., është një ndjenjë e paharrueshme, një kujtim që të përcjellë për jetë ngrohtësinë dhe mirëqenien shpirtërore. Është pra një lumturi e papërshkrueshme, që buron nga oqeani i zemrës së së mbushur me Iman të sinqertë - t'i përgjigjesh me "Lebbejke Allahumme lebbejk-I përgjigjem Thirrjes Sate o Zot, I përgjigjem të cilën thirrje I Gjithëmëshirshmi na e përcolli nëpërmjet Ibrahimit a.s.” Më tutje Ahmet efendiu theksoi: “Haxhi është njëri ndër pesë shtyllat mbi të cilat përqendrohet feja jonë e pastër Islame. Këtë farz Islam, i cili u bë obligim në vitin e 9-të hixhrij me ajetin: “Për hir të Allahut, kryerja e haxhit në shtëpinë e shenjtë (Qabenë) është obligim për atë që ka mundësi udhëtimi tek ajo”. (Ali Imran, 97) janë të urdhëruar ta kryejnë të gjithë ata, që kanë mundësi materiale fizike dhe psiqikisht janë të shëndoshë- të paktën një herë gjatë jetës së tyre. Vetë fjala Haxh-xh, do të thotë mësymje-vizitë Qabesë dhe vendeve tjera të shenjta, në kohë të caktuar, e assesi nuk do të thotë "turizëm" siç përpiqen t'ia mveshin "disa", një epitet të tillë këtij Ibadeti kaq të rëndësishëm Islam. Nga të katër anët e botës, në këtë kongres të madh gjithislam derdhen turmat e miliona njerëzve të të gjitha racave dhe të të gjitha ngjyrave për të jetuar ca çaste me dëlirësinë dhe shenjtërinë e këtyre vendeve të shenjta, për të shprehur ndjenjat e tyre të pastra Islame, për t'u takuar dhe për të kuvenduar me njëri-tjetrin për hallet dhe problemet që i preokupojnë ata në përditshmërinë e tyre. Kur e vrojton njeriu këtë det të pafund të haxhinjve, të veshur të gjithë njësoj me petka të bardha "Ihramet", të cilët simbolizojnë barazinë, tolerancën dhe unitetin gjithislam, e të drejtuar me gjuhët dhe zemrat e tyre kah i Lartëmadhërishmi me dua dhe me lutje të përbashkët "Lebbejke Allahumme Lebbejk", të bëhet zemra mal, të forcohet Imani e nga thellësia e shpirtit të shpërthejnë ndjenjat dhe emocionet për një të ardhshme të afërt më të ndritshme të Islamit dhe muslimanëve në mbarë rruzullin tokësor. Përndryshe, Qabeja si shtëpi e shenjtë me plot të drejtë mban epitetin me të cilin e cilësoi vetë All-llahu xh.sh., sepse shenjtëria e saj tërheq çdo besimtar që ta vizitojë atë, duke mos kursyer asgjë, qoftë edhe lodhjet, mundimet dhe sakrificat më të mëdha. Ata që vizitojnë Qabenë e shenjtë, binden në mirësitë, dhuntitë dhe nimetet e shumta të All-llahut xh.sh. që ua dhuroi besimtarëve. Vijnë të lodhur nga udhëtimi, por në fytyrat e tyre shkreptinë rrezja dhe nuri i Imanit të pastër, sepse janë mysafirë të Atij, që i mbulon me hirësinë dhe hijen e mëshirës së Tij të pakufishme. Të përmendurit e All-llahut është obligim i çdo myslimani dhe myslimaneje. Është pikënisje e çdo pune dhe qëllimi tonë. Është sintezë dhe formë e shprehjes së falënderimit tonë ndaj Tij, është mburojë para çdo vështirësie dhe fatkeqësie, është gërshetim i kompaktësisë dhe unitetit tonë ndër njerëzor e Islam, sepse vetëm Atij i takojnë falënderimet dhe lavdërimet tona, dhe vetëm Ai është i denjë t'i bëhet respekti, përulja dhe adhurimi. Domethënia e fjalës Haxh në aspektin etimologjik do të thotë vendim për t’u nisur drejt të Madhërishmit për ta vizituar Lavdiplotin. Ndërsa në aspektin terminologjik do të thotë vizitë Qabesë për kryerje të ritualeve të caktuara, në kohë të caktuar dhe kushte të caktuara. Haxhi është një nga pesë shtyllat themelore të fesë sonë. Pejgamberi a.s. në një hadith thotë: “Islami bazohet në pesë shtylla: të dëshmuarit se nuk ka zot pos Allahut dhe Muhamedi është i dërguar i Tij, falja e namazit, dhënia e zeqatit, kryerja e Haxhit dhe agjërimi i muajit të Ramazanit.”” Duke folur për ndikimin e haxhit në jetën e besimtarëve ahmet efendiu përveç të tjerash veçoi: :Haxhi në jetën e myslimanëve është një shkollë dhe edukim shpirtëror e fizik. Prej tij nxirren mësime të vlefshme. Haxhi është vendtakim i madh në të cilin vijnë delegacionet nga e gjithë bota, që u përkasin kombeve, racave dhe gjuhëve të ndryshme, për t’u mbledhur tok në tokën e shenjtë që ta madhërojnë Allahun xh.sh.. Është detyrë e çdo myslimani që para se të fillojë ritualet e Haxhit, këtij adhurimi madhështor, të pendohet sinqerisht, duke i premtuar Zotit të tij se do ta adhurojë vetëm Atë, se do t’i bindet vetëm Atij, se nuk do ta kundërshtojë, se do t’i falë namazet dhe do të largohet nga të këqijat dhe haramet. Në haxh të devotshmit i afrohen edhe më shumë Allahut të Madhëruar ndërsa gjynahqarët përfitojnë prej mëshirës që e gjejnë në atë ambient besimi, i pranojnë gjynahet që kanë bërë dhe kërkojnë faljen, mëshirën dhe kënaqësinë e Allahut. Allahu i Madhëruar ka thënë: “Te Allahu nuk arrin as mishi as gjaku i tyre, por tek Ai arrinë devotshmëria juaj. Ai ashtu ua nënshtroi ato juve që ta madhëroni Allahun për udhëzimin që ju bëri. Dhe përgëzoi bamirësit”. (El-Haxh) dhe në vazhdim të ajeteve që flasin për Haxhin është thënë: “Dhe plotësojeni Haxhin dhe Umren për hir të Allahut..” (El-Bekare, 196).” Në fund të fjalës së tij ahet efendiu përmendi porosit e haxhit për se veçoi: “Haxhi përveç që është një ibadet dhe obligim islam, ai në vete përmban edhe shumë porosi e qëllime të larta fisnike. Këto porosi duhet të jenë të mishëruara në zemrat dhe mendjet tona përherë. Nga këto do të veçonim: 1. Dorëzimi dhe nënshtrimi i plotë ndaj urdhrave të Zotit xh.sh.. 2. Haxhi forcon lidhjet e tua me Zotin. 3. Haxhi simbolizon vëllazërimin mes myslimanëve nga të gjitha anët e botës. Ai shton dashurinë mes tyre dhe largon ndjenjat e racizmit dhe fanatizmit. 4. Haxhi është një përpjekjeje, i cili mbase e lodh fizikisht haxhiun, pasi që lëvizë prej një vendi në tjetrin, ka lodhje fizike, është larg nga luksi i mëparshëm, kurse ushqimi, gjumi dhe rehatia nuk janë si në ditët normale, por ky Haxhi pas haxhit do të shohim se është shumë më i fuqishëm shpirtërisht. 5. Haxhi të kujton Ditën e Kiametit pasi ka shumë gjëra të ngjashme mes tyre. Në të dyja rastet ka njerëz shumë. Në të dyja rastet njerëzit janë të nënshtruar vullnetit të Krijuesit të tyre. Në të dyja rastet njerëzit shfaqin nevojën e tyre ndaj Zotit xh.sh..” Kurse për rëndësinë e prerjes së Kurbanit foli mr. Fahrush Rexhepi për se tha: ”Njëra prej dispozitave të Allahut,është edhe prerja e Kurbanit. Therja e Kurbanit si fenomen historik është shumë më i hershëm. Ky fenomen është i vjetër aq sa është i vjetër edhe njerëzimi . Institucioni i Kurbanit ndërlidhet me ngjarjen e bijve të Ademit a.s. – Kabilin dhe Habilin, lidhur me një kontest ndërmjet tyre. Këtë më së miri e tregon ky ajet kuranor ku Allahu xh.sh.thotë: ”Lexoju (O Muhamed) Atyre (Jehudive e të tjerëve) ngjarjen e vërtetë të dy djemve të Ademit, kur të dy flijuan Kurban, nga të cilët njërit iu pranua, ndërsa tjetrit nuk iu pranua…”(El-Maide 27). Nga ky ajet kuranor shohim se Allahu xh.sh. flijimin dhe sakrificën e pranon vetëm nga të sinqertit, dhe qëllimi kryesor i kryerjes së këtij obligimi fetar-Kurbanit është afrimi tek Allahu xh.sh. me vepra të mira. Kur jemi te institucioni i Kurbanit si fenomen i vjetër historik, këtu ballafaqohemi edhe me ngjarjen e Ibrahimit a.s., i cili në emër të dashurisë së pakufishme ndaj krijuesit të Tij deshi ta flijoj edhe djalin e vet-Ismailin a.s. Prandaj nga kjo ngjarje ne mund të mësojmë shembullin më të lartë të sakrificës ,të flijimit dhe të besnikërisë ndaj Allahut xh.sh. Pra, kjo do të thotë se prerja e Kurbanit –sakrifica ndoqi njeriun prej momentit të parë të tij në këtë botë dhe si e tillë thellë ka qenë e ngulitur në shpirtin e njeriut gjatë tërë historisë, kuptohet në mënyra të ndryshme, duke e humbur herë pas here formën dhe qëllimin e tij të vërtetë. Të nderuar besimtarë; Për sa i përket islamit, ai vjen me një definim të plotë dhe të qartë, të pastër dhe të drejtë mbi institucionin e Kurbanit dhe sakrificës, duke e pastruar atë nga format e deformuara si dhe nga elementet politeiste e të kota. Kjo dispozitë në islam u bë obligim në vitin e dytë hixhrij. Atë vit për herë të parë myslimanët e panë Muhamedin a.s. duke e zbatuar në praktikë këtë vaxhib, i cili me një herë pas faljes së namazit të bajramit u kthye në shtëpi dhe i preu dy kurban .Të parin e preu për veti dhe për familjen e tij kurse të dytin e preu për Ymetin e tij.” Ndërsa duke shpjeguar domethënien e fjalës kurban Fahrush ef. Rexhpi tha: “Fjala Kurban do të thotë afrim tek Allahu xh.sh., dhe gatishmëri për çdo sakrificë në emër të Tij. Përmes Kurbanit synojmë të arrijmë edhe afrimin dhe mëshirën e ndërsjellë në mes të njerëzve në shoqëri duke shprehur solidaritetin në mes të varfërve dhe të pasurve. Prandaj është fakt i pamohueshëm se Allahu xh.sh. nuk ka nevojë për asgjë dhe për askënd , por ne kemi nevojë për mëshirën e Tij , Atij nuk i shtohet as nuk i mungohet asgjë nga qenia e Tij hyjnore , premë apo nuk premë ne Kurban për Të , por Atij i intereson devotshmëria e zemrave tona , siç thotë në Kuran , në suren El-Haxh-xh: ”Tek Allahu nuk arrin as mishi e as gjaku (i Kurbanave), por tek ai arrin bindja dhe devotshmëria e juaj…”. Duke përfunduar ligjëratën e tij Fahrush ef. Rexhpi tha: “Ç’do festë e jona e ka urtinë dhe porosinë e vet, por porosia e Kurban-Bajramit qëndron fuqishëm mbi parimet e bujarisë flijimit dhe sakrificës . Në historinë e islamit festa e kurban bajramit llogaritet si festë e madhe, sepse pas 23 viteve sa zgjati zbritja e Kuranit famëlartë, ai u kompletua pikërisht në ditën e Arafatit, pra në pragun e natës së Kurban-Bajramit. Po ashtu kjo festë është edhe kurorëzim i haxhit, kushtit të pestë të islamit. Së këndejmi për të qenë festa e Kurban-Bajramit festë e vërtetë islame, besimtarët janë të obliguar që ku do që të jetojnë ta festojnë atë me harmoni e dashuri të plotë mes veti, e ta ngrisin unitetin islam në nivelin më të lartë. Ndërsa ata të cilët mbjellin grindje e copëtime që e rrënojnë unitetin islam,veprojnë kundër vullnetit të zotit dhe në dëm të myslimanëve.” Namazit të kurban bajramit i priu kryemami i Kosovës Sabri ef. Bajgora, ndërsa nga hytbeja e xhamisë “Sulltan Mehmet- Fatih”, Myftiu i Kosovës Naim Tërnava iu drejtua besimtarëve dhe qytetarëve të Kosovës me këtë mesazh: Mesazhi i Myftiut të Kosovës me rastin e festës së Kurban-Bajramit
Vëllezër të nderuar! Falënderojmë Allahun e Madhërishëm i Cili na bëri të mundur që sërish të jemi së bashku në prag të kremtimit të Kurban Bajramit. Kjo festë vjen si dhuratë nga i Madhi Zot, pas kryerjes së haxhit, njërit nga pesë shtyllat e Islamit dhe Ibadetit numerikisht më të madh njerëzor që mban mend historia njerëzore në një kohë dhe një vend, dhe me besimtar nga të gjitha vendet e botës, të cilët me sakrifica të mëdha u rreshtuan në radhët e mysafirëve që vizitojnë shtëpinë e All-llahut të cilës besimtari i drejtohet çdo herë kur lidhet në namaz Tash e 14 shekuj myslimanët nga të gjitha anët e botës i përgjigjën thirrjes së All-llahut xh.sh., dhe me vullnet, dëshirë e besim të plotë nisen drejt Qabesë, që sa më parë të takohen me shtëpinë e Allahut,me xhamin e Resulullahit. Duke manifestuar në vazhdimësi frymën e unitetit, harmonisë dhe vëllazërisë mes njerëzve. All-llahu xh.sh thotë: ” Vërtet besimtarët janë vëllezër ” Haxhi, manifestohet përmes një adhurimi të veçantë, duke e bërë tavaf Qabenë, adhurim ky i trashëguar nga i pari i Pejgamberëve – Ademi a.s., deri tek Pejgamberi i fundit, Muhammedi a.s.. Nëpërmjet këtij adhurimi i cili zhvillohet në një atmosferë vëllazërore, me pjesëmarrës nga të gjitha anët e botës, vendtakim ku dominon respekti e dashuria ndërmjet të gjithëve, ku shfaqet mëshira e pafundme e All-llahut xh.sh. duke na i begatuar zemrat tona me dritën e besimit, dhe nëpërmjet këtij ibadeti gjejmë edhe kënaqësinë shpirtërore, duke treguar respektin dhe dashurinë ndaj Krijuesit. Islami është besim, bindje, dashuri e respekt mes njerëzve, sinqeritet e bujari, devotshmëri e butësi, dije e shkencë, kulturë e qytetërim, moral e edukatë, kushtetutë dhe ligj . Në Haxh zhduken të gjitha dallimet – klasore, racore, e tjera, dhe vetëm devotshmëria është qëllimi dhe synimi i të gjithëve. Eshtë ky një demonstrim i universalitetit të kësaj feje dhe i vëllazërimit të përgjithshëm të muslimanëve ngado që ata të kenë ardhur. Është një përkushtim i përbashkët ndaj Zotit duke reflektuar gatishmërinë për t’i sakrifikuar interesat shpirtërore e materialë në shërbim të All-llahut xh.sh. dhe duke rikujtuar se Qabeja është edhe drejtim shpirtëror i të gjithë myslimanëve. Lidhur me obligueshmërinë e Haxhit-kësaj dispozite të lartë islame, All-llahu xh.sh. në Kur’an urdhëron e thotë: “ Vizita e Qabesë për hir të All-llahut, është detyrim për atë që ka mundësi ”. (3: 97) Këtë vit, edhe një numër i konsiderueshëm i haxhinjve nga Kosova u është bashkangjitur këtyre radhëve të gjata e të pa shkëputura, të cilët iu përngjajnë valëve të lumenjve të pashkëputur, në drejtim të Qabesë, për ta kryer këtë ibadet – adhurim në shenjë falënderimi ndaj Krijuesit fuqiplotë, për të mirat e dhuruara gjatë jetës në këtë botë. Sot nëpër të gjitha xhamitë e Kosovës besimtarët e besimit Islam madhërojnë Allahun e Gjithëpushtetshëm për mirësitë e Tij ndaj nesh. Edhe pse kanë kaluar mbi 14 shekuj, këto porosi janë të freskëta, dhe gjithherë aktuale, dhe nëse kuptohen drejtë, ato qetësojnë shpirtin nëpërmjet fuqisë së domethënieve të tyre. Sot kur politika globale synon zhdukjen e klasave, dallimeve racore, që deri dje në masë të madhe ishin prezente, Muhamedi a.s para 14 shekujve nga ai vend i shenjtë iu drejtua njerëzimit se dallimi mes njerëzve mund të jetë vetëm në devotshmëri, përkushtim e bindje ndaj krijuesit Fuqiplotë. Gjithherë Kurban-Bajrami duhet të trokasë në kujtesën tonë për të na rikujtuar Haxhin lamtumirës të Pejgamberit a.s. dhe mesazhin e tij të përbotshëm drejtuar racës njerëzore të të gjitha kohëve; se njerëzit janë të gjithë të barabartë, se të gjithë janë bijtë e Ademit, se ngjyra e trupit ose përkatësia kombëtare a gjeografike nuk i jep përparësi njërit ndaj tjetrit, dhe se vetëm niveli i vlerave morale i bën më të afërt dhe më të dashur tek Allahu. Prandaj, përparësi përbën shkalla e besimit dhe niveli i moralit e jo ngjyra e lëkurës. Dallimet fizike të njerëzve janë për t’u njohur në mes tyre dhe për të bashkëpunuar – siç urdhëron Kurani - e jo për të krijuar urrejtje e armiqësi. Festa e Kurban-Bajramit ka edhe një simbolikë tjetër, që është gjithashtu mjaft domethënëse dhe kuptimplote. është gatishmëria e besimtarëve që në emër të Allahut, të sakrifikojnë kurbanët e tyre, traditë kjo që ka një histori shumë të hershme, e cila na kthen tek Ibrahimi a.s. - babai i të gjithë pejgamberëve, për të na kujtuar shembullin më konkret të gatishmërisë së besimtarit për të sakrifikuar për Allahun e Gjithëmëshirshëm. Duhet pasur parasysh edhe fakti se qëllimi thelbësor i kurbanit nuk është thjesht derdhja e gjakut, por, mbi të gjitha, përkushtimi, morali dhe devotshmëria e besimtarit. Allahu në Kuranin famëlartë na mëson: “Nuk është as mishi e as gjaku i tyre që arrin tek Allahu, por është përkushtimi juaj që arrin tek Ai...” (El-Haxh, 37). Prandaj, vëllezër të nderuar, përmes therjes së kurbanit dhe ndarjes së mishit të tij, do të kemi rastin t’u ndihmojmë edhe të afërmve edhe të varfërve, sepse kjo edhe më shumë do të na afrojë mes nesh dhe do të na shtojë dashurinë dhe respektin e ndërsjellë. Të nderuar vëllezër! Viti në të cilin pas dy ditësh do të hyjmë, për Kosovën tonë do të jetë i një rëndësie të veçantë, sepse në këtë vit do të vendoset për statusin final të Kosovës, e që ne kemi bindjen e thellë se Kosova do të jetë e pavarur, ngase është dëshirë e patjetërsueshme e shumicës në Kosovë. Prandaj, unë apeloj tek të gjithë faktorët relevantë që të respektojnë vullnetin e popullit, i cili për lirinë e tij ka paguar një çmim tepër të lartë. Në këtë kohë kur Kosova ka nevojën më të madhe që të jemi bashkë e të lëmë të gjitha zënkat e mundshme, të lëmë vrapin kah të këqijat e të afrohemi njëri me tjetrin për të jetësuar pavarësinë e Kosovës. Duhet më tepër që spektri politik i Kosovës të ndiej përgjegjësi, dhe të ketë më tepër guxim politik . Allahu qoftë në ndihmë të atyre që angazhohen për paqe, siguri, pavarësi dhe mirëqenie për të gjithë, si në Kosovë ashtu edhe në mbarë botën. Të nderuar vëllezër! Sot, në këtë ditë feste e gëzimi, ju ftoj që në zemrat dhe shpirtin tuaj të shndritë besimi i sinqertë, që me veprat tuaja të jeni mirëbërës, humanë e solidarë, që në sjelljet tuaja të dominojnë respekti dhe rahmeti, toleranca dhe mirëkuptimi. Sot, tek ne nuk duhet të ketë urrejtje e armiqësi, po vetëm fytyra të gëzuara, buzëqeshje dhe përqafime vëllazërore. Vetëm në këtë mënyrë do t’i japim festës domethënien e vërtetë, atë që ajo meriton. Edhe një herë në emër të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, dua t’ua uroj këtë festë të gjithë vëllezërve dhe motrave si këtu në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri, në Maqedoni, Luginë të Preshevës e në Malin e Zi. Në veçanti i përshëndes dhe ua uroj të gjithë atyre vëllezërve e motrave që jetojnë e punojnë përkohësisht jashtë Kosovës, e që na mungojnë kaq shumë. E lus Allahun gjithashtu që t’i mëshirojë të gjithë ata që jetën e tyre ia falën Zotit për atdheun e tyre”. Edhe duan e namit të Kurban- Bajrami e bëri myftiu Niam Tërnava, pas së cilës të gjithë besimtarëve ua uroj festën e Kurban- Bajramit. Pritje urimi nga Myftiu i Kosovës, Mr. Naim Tërnava, me rastin e festës së Kurban-Bajramit Si tradicionalisht, Myftiu i Kosovës, Mr. Naim Tërnava me rastin e festës së Kurban-Bajramit, nga ora 9-12, në selinë e Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës organizoi pritje urimi. Për ta uruar Myftiun Tërnava në selinë e BI të Kosovës erdhën: Nga institucionet: Kryeministri i Kosovës – Agim Çeku; Kryetari i Kuvendit të Kosovës-Kolë Berisha, zëvendësshefi i UNMIK-ut, Stven Shuk, Komandanti i TMK-së gjenerallejtnant Sylejman selaim; një delegacion nga SHPK-së i udhëhequr nga kolonel Sheremet Ahmeti. Nga partitë politike: Kryetari i PDK-së Hashim Thaçi, Kryetari i ARK Behxhet Pacolli, Ekipi politi i Akadamik Dacit; një delegacion i AAK-së i prirë nga Ahmet Isufi; një delegacion i Partisë Reformiste Ora i prirë nga Ylber Hysa, kryetari i PSHDK-së – Akad. Mark Krasniqi; kryetarja e PSDK-së – Kaqusha Jashari, Kryetari i PD Sylejman Çerkezi, kryetari i PLK-së Gjergj Dedaj; një delegacion i KLMDNJ-së, një delegacion nga Unioni i studentëve të pavarur të UP, dhe shumë personalitete të tjera të jetës politike, kulturore e fetare të Kosovës. |