| Propozimet e bashkėsive fetare tradicionale tė Kosovės pėr Kushtetutėn |
|
|
|
Propozimet e bashkësive fetare tradicionale të Kosovës: Kryesisë së BI-së të Kosovës dhe Ipeshkëvisë së Kosovës për ndryshime dhe plotësime drejtuar Komisionit për hartimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës REPUBLIKA E KOSOVËS KRYESIA E BASHKËSISË ISLAME IPESHKËVIA E KOSOVËS dt.17 mars 2008
KOMISIONIT KUSHTETUES TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS PRISHTINË
Bashkësia Islame e Kosovës dhe Kisha Katolike e Kosovës, pas shqyrtimit të kujdesshëm të Projekt-Kushtetutës, kanë qëndrim të përbashkët rreth disa çështjeve parimore dhe tejet të rëndësishme mbi jetën dhe familjen. Prandaj, duke u nisur nga fakti se jeta është e pacenueshme dhe e shenjtë, dhe se familja është qeliza bazë e çdo shoqërie, ne si përfaqësues të bashkësive fetare dhe për të mirën e përbashkët të të gjithë qytetarëve, propozojmë që në Projekt-Kushtetutë të bëhen disa ndryshime dhe plotësime të domosdoshme. Në Projekt-Kushtetutë, kapitulli II, neni 25 (E drejta e jetës), pika 1 thuhet: “Secili individ që nga lindja gëzon të drejtën e jetës”. Ne propozojmë që kjo pikë të ndryshohet si vijon: “Secili individ që nga ngjizja (fillimi, zanafilla) gëzon të drejtën e jetës”. Arsyetim Për ne si shqiptarë dhe si fetarë, jeta është e pacenueshme dhe e shenjtë që nga zanafilla deri në mbarimin e saj natyror, pra në çdo fazë apo periudhë të saj. Kjo bindje dhe ky përcaktim mbështetet në traditën tonë, në parimet fetare dhe në realitetin shkencor.
Neni 37 (E drejta e martesës dhe familjes), pika 2, thuhet: “2. Martesa dhe zgjidhja e saj rregullohen me ligj dhe bazohen në barazinë e bashkëshortëve”. Ne propozojmë që kjo pikë e këtij neni të ndryshohet ose të përplotësohet si vijon: “Martesa dhe zgjidhja e saj rregullohen me ligj dhe bazohen në barazinë e bashkëshortëve të gjinive të kundërta (të ndryshme).” Arsyetim Formulimi i Projekt-Kushtetutës neni 37, pika 2, nuk është i qartë sa duhet, dhe jep mundësi të keqinterpretimeve dhe keqpërdorimeve. Ne jemi thellësisht kundër legalizimit të martesave brenda gjinisë së njëjtë, për faktin se kjo është në kundërshtim të plotë me vetë natyrën e njeriut, dhe si e tillë edhe kundër Krijuesit të tij. Neni 39 (Konfesionet Fetare), pika 3, thuhet: “Konfesionet fetare janë të lira që të rregullojnë pavarësisht organizimin e vet të brendshëm, veprimtaritë fetare, si dhe ritet fetare”. Ne propozojmë që kësaj pike t’i shtohet si vijon: “Konfesionet fetare janë të lira që të rregullojnë pavarësisht organizimin e vet të brendshëm, veprimtaritë fetare, ritet fetare, si dhe disponimin e pronave dhe të mirave materiale”. Arsyetim Bashkësitë tona fetare jetojnë kryekëput nga kontributet e besimtarëve, prandaj ato duhet të gëzojnë të drejtën e disponimit dhe të menaxhimit në mënyrë autonome të mjeteve të tilla.
* * * Bashkësia Islame e Kosovës dhe Kisha Katolike e Kosovës janë thellë të bindura se këto propozime të cituara janë minimum i kërkesave tona dhe, si të tilla, do të hasin në mirëkuptimin dhe pëlqimin e Komisionit Kushtetues të Republikës së Kosovës. Në qoftë se këto propozime nuk merren parasysh nga Komisioni Kushtetues, jemi të detyruar që këto qëndrime tona, t’i bëjmë publike duke theksuar mospëlqimin tonë të plotë në pikat e lartpërmendura. Propozimet e dërguara me shkrim nga secila Bashkësi Fetare veç e veç (Islame dhe Katolike), mbesin në fuqi dhe shpresojmë se edhe ato do të hasin në mirëkuptimin e Komisionit Kushtetues.
Me nderime, Për Bashkësinë Islame, Për Kishën Katolike Kryetari, Myftiu Naim Tërnava Dodë Gjergji, Ipeshkëv i Kosovës |
| < I mėparshmi | Tjetri > |
|---|