| Pėrgezime me rastin e Kurban Bajramit |
|
|
|
Prishtinë, 29 dhjetor 2006 Udhëheqësit më të lartë vendor e ndërkombëtar përgëzojnë besimtarët me rastin e Kurban Bajramit Me rastin Kurban Bajramit, presidenti Fatmir Sejdiu, shefi i UNMIK-ut, Joachim Ruecker, kryeparlamentari Kolë Berisha, kryetari i PDK, Hashim Thaçi, kryetari i PLK, Gjergj Dedaj dhe udhëheqës të tjerë, kanë uruar popullin e Kosovës dhe të gjithë besimtarët myslimanë, me pergezimet më të përzemërta, duke dëshiruar që kjo festë të kalojë në shenjë të solidaritetit ndaj njëri-tjetrit dhe në shenjë të harmonisë vëllazërore. Presidenti i Kosovës, dr Fatmir Sejdiu, i ka përgëzuar besimtarët për festën e Kurban Bajramit. Në urimin e Presidenti Sejdiu ndër të tjera thuhet se Festa e Kurban Bajramit paraqet sakrificën për paqen dhe lumturinë e njeriut. Është ditë e besimit në Zotin, ditë e mirëkuptimit, e nderimit dhe e dashurisë ndaj njëri-tjetrit. Jemi të bindur dhe po punojmë me ngulm që Bajramin e ardhshëm ta festojmë në Kosovën e pavarur dhe sovrane, thuhet në urimin e presidentit Fatmir Sejdiu. Edhe Shefi i UNMIK-ut, Joachim Ruecker, me rastin Kurban Bajramit ka transmetuar popullit të Kosovës dhe të gjithë myslimanëve, urimet e tij, me rastin e Kurban Bajramit. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, z. Kolë Berisha, në emër të tij dhe në emër të Kuvendit të Kosovës, me rastin e festës së Kurban Bajramit, uron të gjithë qytetarët e besimit islam të Kosovës. Kryeparlamentari Kolë Berisha uron që kjo festë të kalojë në shenjë të solidaritetit ndaj njëri-tjetrit dhe në shenjë të harmonisë vëllazërore. Në festën e Kurban Bajramit duhet t’i gjendemi pranë të gjithë atyre që kanë nevojë për ne, për dashurinë tonë dhe për ndihmën tonë njerëzore. Në emër të Partisë Demokratike të Kosovës dhe në emrin e tij personal, qytetarët dhe besimtarët i ka përgëzuar edhe Hashim Thaçi, me urimet më të sinqerta me rastin e festës së Kurban Bajramit. Kurban Bajrami i sivjetmë qëlloi në fundin e vitit, duke e rritur atmosferën festive në mesin e qytetarëve tanë. Me besim se gjithnjë e më shumë po realizohen synimet e qytetarëve tanë për Kosovën e lirë demokratike dhe të pavarur uroj që kjo festë t’Ju sjell shëndet lumturi dhe mbarëvajtje të punës suaj fisnike, thuhet mes tjerash në urimin e Hashim Thaçit. Partia Liberale e Kosovës përgëzon përzemërsisht të gjithë besimtaret islam me rastin e Festës së Bajramit me bindje dhe shpresë për një solidaritet, mirëkuptim dhe unitet të të gjithë popullit të Kosovës, në këto momente tejet historike nëpër të cilat po kalon Kosova martire. Festa e Bajramit duhet të jetë edhe një moment dhe pikënisje drejt betejave te paqes, civilizimit dhe respektimit te vlerave fetare, njerëzore dhe demokratike për të gjithë qytetaret e Kosovës. Liberalet Festen e Bajramit ia urojnë edhe Myftiut te Kosovës, Naim Tërnava. Njëkohësisht Partia Liberale e Kosovës përgëzon të gjithë qytetaret e Kosovës. |
| < I mėparshmi | Tjetri > |
|---|