Bashkėsia Islame e Kosovės

Ajet kuranor:

33:45. O ti Pejgamber, Ne tė dėrguam ty dėshmues, lajmėtar pėrgėzues e qortues.

Fjala e Myftiut nė akademinė pėrkujtimore pėr H. Sherif Ahmetin Printoni E-mail
ImageFjala e Myftiut të Kosovës, Mr. Naim Tërnava në akademinë përkujtimore me rastin e 10 vjetorit të vdekjes së H. Sherif Ahemtit


E nderuara familje Ahmeti
Te nderuar pjesëmarrës të kësaj  Akademie përkujtimore
Të nderuar të pranishëm


Jemi tubuar sonte në këtë akademi përkujtimore me rastin e dhjet vjetorit të vdekjes së doajenit dhe eruditit të publicistikes Islame në Kosovë Haxhi Sherif Ahmetin. Me prezencën tuaj, Ju keni nderuar e respektuar personalitetin dhe shëmbëlltyrën e këtij dijetari mendjendritur.


Tash nëntë vjet pas luftës ky amfiteatër në të cilën u mbajtën shumë tubime në vitet 89- 99 ju dëshiron mirëseardhje meqë shumë herë ishit prezent në këtë ambient, në të cilin pothuajse parakaluan kokat më të ngritura  e të ditura të kombit tonë. Ky amfiteatër që prej sonte quhet: ”Amfiteatri H. Sherif Ahmeti” edhe më tepër e rrit respektin e nderin e vet, kur në të, nëpërmjet kësaj akademie, rikujtohet hoxha e alimi ynë Haxhi Sherif Ahmeti, i cili në kohën, rrethanat dhe hapësirën  kur veproi  ishte shembull se si duhet punuar e sakrifikuar për një të ardhme sa më të mirë të fesë  e të atdheut.
Në këtë akademi përkujtimore dhe në sesionin shkencor që u mbajt sot paradite ku 21 shkencëtar e hulumtues hodhën dritë mbi figurën kushtuar  këtij personaliteti të paharruar, ngase i tillë mbeti me punën dhe kontributin e tij, do të jetë rast i mirë që të thuhen shumë të pathëna për këtë alim, mësues, hoxhë, pedagog e vaiz, i cili tërë jetën ia kushtoi dijes e shkencës, dhe mbeti shembull që duhet ndjekur gjeneratat që vijnë pas.
Ju faleminderit shumë për marrjen pjesë në këtë akademi përkujtimore në numër kaq të madh, sepse Haxhi Sherif Ahmeti edhe e ka merituar këtë nder e respekt.
Sonte jemi tubuar këtu për të rikujtuar edhe njëherë porositë dhe mesazhet e H Sherif Ahmetit ndaj me respekt e mirënjohje nderojmë veprën madhore të hoxhës sonë, i cili në rrethana jashtëzakonisht të vështira e të disfavorshme për fjalën e shkruar, arriti që këto mësime t’i përbirojë nëpër vrimën e gjilpërës, në mënyrë që ato të arrijnë tek lexuesi i cili kishte aq shumë  nevojë për to.
I madhi Zot në Kuranin famlartë thotë:”...All-llahu i lartëson ata që besuan prej jush, i lartëson në shkallë të lartë ata të cilëve iu është dhënë dituri. All-llahu është i njohur me atë që e punoni”. Ajeti-11 El-Muxhadele.
Pata fatin që H. Sherif Ahmetin të mos e njihja vetëm nga larg, as nëpërmjet të tretit por nga afër, nga bankat e Medresesë, aty ku kalitej shpirti i brezit të ri. Edhe pse në kushte e rrethana tepër të vështira, aty mbillej shpresa për një ardhmëri më të mirë Islame dhe atdhetare.
Gjendja në të cilën gjendej populli ynë pas luftës së dytë botërore ishte tejet e rëndë edhe në fushën e arsimit. Mungonin kuadrot – mësuesit që fëmijëve tanë duhej mësuar shkrim-leximin, për të cilin ishin flijuar shumë breza. H  Sherifi pa hezituar fare kur e pa këtë nevojë të madhe për arsimimin e brezave të rinj, e gjejmë të angazhuar në procesin e hapjes së shkollave shqipe në rrethinën e Lypjanit e më gjerë, si dhe mësues i gjuhës shqipe nëpër disa shkolla.
Është kjo kohë kur intelektualët shqiptarë të kohës edhe pse nën sundimin e egër serb u organizuan në hapjen e shkollave në gjuhën amtare, ku haxhi Sherifi qe ndër të parët që me shumë zell iu përkushtua misionit të mësuesit.
Kështu më 19 dhjetor të vitit 1949 emërohet mësues i parë i gjuhës shqipe në shkollën fillore të Banullës, ndërsa më vonë Haxhi Sherifi emërohet edhe drejtor i gjimnazit të ulët në Gadime të Lypjanit. Më 1952, haxhi Sherifi emërohet drejtor i tetëvjeçares në Sllovi deri më 1955, ku krahas detyrës së drejtorit ushtroi edhe atë të mësuesit.
Aktiviteti dhe kontributi i madh i Haxhi Sherif Ahmetit filloi t’i shqetësonte udhëheqësit e atëhershëm serb, të instaluar me dhunë në Kosovë. Haxhi Sherif Ahmeti vinte nga një familje me traditë fetare e atdhetare, ndaj edhe nuk i trembej syri nga presionet e vazhdueshme të inspektorëve serbë të arsimit që udhëhiqnin me arsimin shqip në Kosovë.
 Më 1956 H. Sherifi detyrohet për ta lënë detyrën e mësuesit, por tash H. Sherifi me shokë veç kishin përgatitur kuadër për  të vazhduar rrugën e tyre drejt arsimimit të shqiptarëve.
H Sherifi i rikthehet misionit të imamit në xhaminë e fshatit Gllogoc të Lypjanit.
Sa ishte imam, zgjedhet kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame të Lypjanit, detyra këto që h. Sherifi i kreu me ndërgjegje e përkushtim të lartë deri në fillim të vitit 1965, kur nga Lypjani kaloi mësimdhënës në Medresenë e mesme “Alaudin” të Prishtinës.

Shtyp mbi foto pėr t'u hapur!
Shtyp mbi foto pėr t'u hapur!
Shtyp mbi foto pėr t'u hapur!
Shtyp mbi foto pėr t'u hapur!
Shtyp mbi foto pėr t'u hapur!


Pas Luftës II Botërore, Serbia mbylli të gjitha Medresetë ekzistuese nëpër Kosovë, ato në Prishtinë, Prizren, Gjakovë, Pejë, Vushtrri, Gjilan, Ferizaj, Mitrovicë etj, duke iu pamundësuar pjesëtarëve të besimit Islam përgatitje të kuadrit, i cili më vonë do t’i shërbente atij. Megjithatë, pas shumë sakrificash, gjyshërit dhe baballarët tanë arritën që të hapin një Medrese në Prishtinë, në të cilën do të ndiqnin mësimet nxënës nga të gjitha viset shqiptare e më gjerë. Medreseja edhe pse punonte në kushte tejet të vështira arriti të përgatiste kuadro që shumë shpejt do t’i shërbenin popullit.
Krahas detyrës së mësimdhënësit, H. Sherifi për 13 vjet rresht (1970-1983) ka qenë edhe drejtor i Medresesë, një detyrë që e kreu me shumë sukses.
Krahas angazhimit të tij në Medrese, haxhi Sherifi dha një kontribut të madh edhe në udhëheqjen dhe drejtimin e institucioneve fetare të Bashkësisë Islame. Kështu më 1969, haxhi Sherifi zgjedhet kryetar i Shoqatës së Ylemave. Edhe këtu tregohet udhëheqës dhe vizionar i madh. Duke parë nevojën e besimtarëve për nxënien e njohurive fetare, dhe mungesën e teksteve fetare në gjuhën shqipe, Haxhi Sherifi me shokë, megjithëqë i përballur me shumë sfida e peripeci, vëmendje të posaçme i kushtoi pikërisht përgatitjes së literaturës Islame në gjuhën shqipe. Këtë mision të vështirë ai e mori me seriozitetin më të madh.
Haxhi Sherifi megjithëqë në pension e në moshë të shtyrë, më 1992 iu përgjigj kërkesës së Dekanatit të Fakultetit të Studimeve Islame të Prishtinës, që u themelua atë vit, për të ligjëruar lëndën e Akaidit .
Haxhi Sherifi pos që ishte i respektuar e i nderuar nga nxënësit, kolegët e xhemati, për njohuri që posedonte, respektohej edhe nga qarqe shkencore e nga personalitete më eminente në fushën e dijës, me të cilët mbante kontakte e korrespodenca të rregullta.
H. Sherif Ahmeti, përpos kontributit si mësimdhënës, e alim i njohur, është edhe një ndër themeluesit e publicistikës islame në gjuhën shqi¬pe në Kosovë. Fillimisht punimet e tij i botoi në “Buletinin Informativ”, pastaj në “Takvim”, nga viti 1971 në revistën “Edukata Islame”, e më vonë edhe në “Dituria Islame”.
Pos publicistikës, së cilës H. Sherifi i vuri themelet dhe i priu afër dy dekada, kontribut të madh dha edhe në përgatitjen e literaturës fillestare për njohurit e fesë islame. Kështu në vitin 1969 përktheu nga boshnjakishtja Ilmihalin, më vonë përktheu dhe transkriptoi Jasini sherifin, pastaj përgatiti botimin e Mevludit me shkronja shqipe, dhe në vitin 1988 botoi përkthimin e Kuranit në gjuhën shqipe. 
Puna dhe kontributi i haxhi Sherifit në publicistikën Islame, e bënë atë një erudit të gjysmës së dytë të shekullit të shkuar. Me punimet e tij në periodikun e kohës ai trasoi një rrugë të sigurt për brezat e ri duke hapur perspektivën e sigurt për të ngritur këtë fushë në themele të shëndosha.
Shoqëria jonë në shekullin që shkoj me ideologjinë komuniste mund të themi se i ngjante një ndërtese të cilën e kishte goditur një tërmet i fort ku pothuajse asgjë nuk kishte mbetur në vendin  e vet. Shumë nga vëllezërit e motrat tona kishin rënë aty ku nuk duhej.
Shekulli që shkoi ishte  përplot dhimbje e lot  për popullin tanë por edhe krenar , ngase aty edhe u vunë gurthemelet e shtetësisë se Kosovës me daljen ne skenë edhe te UÇK-së ku shumë nga vëllezërit e motrat tanë u flijuan për ta pasur një fillim shekulli të ri me plot të mira e shpresë të madhe për një të ardhme edhe më të mirë brenda trojeve tona etnike.
Në këtë shoqëri të nëpërkëmbur u ngrit muderrisi ynë si fryma që i jep gjallëri organizmit për ta shpëtuar atë që është e mundur për ta shpëtuar. Kur të gjitha forcat ishin vërsulur për ta fshirë nga mendja e shpirti ndjenjën e besimit.
Ndaj për ta luftuar këtë çmenduri njerëzore në raport me besimin hoxha u ngit me një energji të paparë  deri atëherë duke qëndruar stoikisht dhe duke i bërë me dije besimtarët se çfarë është duke ndodhur me popullin tonë. 
Emri i tij kishte depërtuar jo vetëm te nxënësit e medresesë por në  të gjitha familjet islame në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Luginë të Preshevës  Sanxhak etj.
Kushdo që lexoi me vëmendje shkrimet e H. Sherfi Ahmetit nëpër revista, libra apo dëgjonte këshillat e tij, shihte para vetes një mendimtar shumë të sinqertë e pa  kompleks,  i cili e tha të vërtetën për Islamin edhe në kohën kur ishte vështirë të thuhej. Kjo cilësi e të thëniet të mendimeve deri në fund dhe ballafaqimi me realitetin, është dëshmia më e madhe e një edukate të lartë intelektuale e cila bazohej në principin se: ”E vërteta duhet të thuhet  sado e hidhur qoftë”.
Kjo cilësi e H. Sherif Ahmetit dëshmon shkallën e lartë të origjinalitetit dhe intelektualitetit që e posedojnë njerëzit që shquhen me guxim të rrallë të dijetarit të mirëfilltë.
Shkrimet e tija ishin mishërimi i tërë përkushtimit të tij jetësor. Të ngritur më një guxim në mbrojtje të parimeve islame në kohën kur në Kosovë me dhunë ishte instaluar Sistemi komunisto-ateist, dëshmon  për guximin, gatishmërinë për tu ballafaquar me pasoja të ndryshme, kryerja e një amaneti nga ana e Allahut dhe në të njëjtën kohë edhe mos shitja e shpirtit për të mirat e kësaj bote.
H. Sherif Ahmeti me punën e tij la gjurmë të pashlyera te brezi kur ai jetoi dhe veproi si hoxhë, mësues, pedagog, vaiz, udhëheqës dhe organizatorë i mirë.
Edhe sonte këtu para juve, mund të pohoj me plotë gojën se ishte kënaqësi e veçantë të dëgjosh Mulla Sherifin gjatë ligjërimit, duke shtjelluar temat që pak kush kishte guximin t’i shtjellonte, ngase vitet e 70 ishin vite kur edhe në Kosovë komunizmi i instaluar kryesisht me dhunë nëpër institucionet tona, kishte arritur kulmin kur ateizmi ishte ideologjia e cila mbisundonte me forcë mbi çdo fushë të jetës, atëherë kur edhe në Kosovë trumbetohej për një vëllazërim e bashkim të rrejshëm.
H. Sherif Ahmeti punoi me një strategji dhe guxim të paparë më herët duke menduar veten dhe hoxhallarët e tjerë që të shpëtohet ajo që ishte e mundshme për tu shpëtuar, a në veçanti ajo pjesë e rinisë e cila do të bartë përgjegjësinë më vonë, veproi në kushte kur pasuria e B. Islame grabitej me force nga komunistët, kur rrënoheshin xhamit, mbylleshin Medresetë e mejtepet, kur shumë xhami ishin shndërruar në depo e parkingje për veturat e zjarrfikësve, kur në vazhdimësi punohej  për një bllokadë te mësimeve fetare. Ne këto rrethana tepër të vështira H. Sherif Ahmeti shpesh here na thoshte : “Nxënës mësoni ngase ky sistem shumë shpejtë do të bie,e përgjegjësia do të bie mbi ju”. Kjo edhe ndodhi, këtë ditë e përjetoi edhe hoxha jonë H. Sherif Ahmeti.
Nëse kemi guximin dhe duhet ta kemi atë të tërheqim një paralele mes Xhemaludin Afganit, Seid Kutbit, Hasan Elbenas, Shejh Sharavit, Ibrahim Dalliut, Hafiz Ali Korqës etj. do të shohim se H. Sherif Ahmeti ishte një kalibër i tillë për kohën, rrethanat, kur jetoi.
Njeri  i cili kishte ndjekur mësimet e këtyre dijetarëve ngase tërë autoritetin, dijen e vet gjatë tërë jetës H. Sherif Ahmeti e ka vënë në funksion të plotë të prosperitetit dhe avancimit të meritave apo edukatës islame.
Emri i H. Sherif Ahmetit edhe sot 10 vjet pas vdekjes së tij është një emër që të dhuron forcë për sakrificë të mëtutjeshme në fushën e pafund të Islamit. Pra emri i tij është një shenjë e gjallë në kujtesën tonë fetare, ndaj edhe ne këtë 10 vjetorin e vdekjes duhet ta marrim si vërejtje për të gjithë se mësimet islame ende nuk janë të lira. H. Sherif Ahmeti flet edhe tash kur heshtë,veprimtaria e tij në fushën e publicistikës flet se kush ishte H. Sherif Ahmeti.
H. Sherif Ahmetin i Madhi Zot e nderoi edhe me begatin më të madhe të kësaj jete, ngase i dha dije, gatishmëri, guxim që të përkthej në gj. Shqipe Kuranin famëlartë, i cili e bëri të pavdekshëm H. Sherif Ahmetin ngase ky përkthim u shumëzua mbi 1 milion kopje, duke u botuar nëpër metropole të ndryshme të botës si në Medinë, Kajro, Londër, Romë, si dhe në Prishtinë.
Përkthimi dhe komentimi i domethënieve nga ana e Haxhi Sherif Ahmetit, për veç që na udhëheq neve që kemi të pamur, prej këtij viti, ndriçon edhe zemrat e mendjet e atyre që Allahu i ka sprovuar me verbëri, e kjo do t’ua mundësojë atyre që të shijojnë ëmbëlsinë e Kuranit edhe në alfabetin e tyre të veçantë të Brait. Bashkësia islame e Kosovës këto ditë shtypi 10 exemplarë të Kuranit në alfabetin e Brait dhe ua ka shpërndarë 10 qendrave të të verbërve anekënd Kosovës, ndërsa së shpejti në dhuratë të tillë do t’ua përcjellim edhe Shoqatës së të verbërve në Shqipëri.
Unë them se BIK. dhe shoqëria mbarë, institucionet tona shtetërore këtyre figurave që aq shumë kontribuuan për fe e atdhe ju ka borxh, ngase sistemi komunisto-ateist ishte i pashpirt në këtë drejtim. Le të jetë kjo një nismë e mbarë, dhe premtoj se do të bëjmë edhe më shumë në këtë drejtim, do të ndriçojmë  edhe shumë figura që i ka mbuluar pluhuri i historisë, deri diku edhe me fajin tonë. BIK-u nuk do të kursej në këtë drejtim, por do të kontribuojë me tërë fuqinë që ka në ndriçimin e këtyre figurave fetare dhe atdhetare, që dhanë gjithçka nga vetja.
Për kontributin e dhënë në fushën e fjalës së shkruar islame në gjuhën shqipe, H. Sherif Ahmeti, më 1997 është nderuar me mirënjohjen “Pena e Artë Islame” për vepër jetësore, të cilën ia ndau Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës.
H. Sherif ef. Ahmeti vdiq me 14. prill të vitit 1998 dhe u varros në Prishtinë.
Të nderuar të pranishëm!
Siç thashë edhe më lart, prej sonte ky amfiteatër mban emrin e Haxhi Sherif Ahmetit, sikur që emrin e doajenit tonë të madh, do ta bartë me nder e krenari edhe biblioteka e Fakultetit të Studimeve Islame në Prishtinë..
Në fund, propozoj që prej këtij viti – 2008, për nder të këtij alimi të madh e të nderuar të Kosovës, të jetë tradicional shpërblimi me emrin: “Pena e artë islame - muderris Sherif Ahmeti”, shpërblim, të cilin do ta ndajë tradicionalisht Kryesia e BIK - ut, për kontribuuesit në lëmin e fjalës  së shkruar shqipe në ngritjen e kulturës dhe vetëdijes islame.

Ju faleminderit,

Myftiu, Mr. Naim Tërnava  
Prishtinë, 16 prill 2008

 
< I mėparshmi   Tjetri >