| Mesazhi i Myftiut tė Kosovės me rastin e festės sė Kurban-Bajramit |
|
|
|
Prishtinë, 29 dhjetor 2006 Vëllezër të nderuar! Falënderojmë Allahun e Madhërishëm i Cili na bëri të mundur që sërish të jemi së bashku në prag të kremtimit të Kurban Bajramit. Kjo festë vjen si dhuratë nga i Madhi Zot, pas kryerjes së haxhit, njërit nga pesë shtyllat e Islamit dhe Ibadetit numerikisht më të madh njerëzor që mban mend historia njerëzore në një kohë dhe një vend, dhe me besimtar nga të gjitha vendet e botës, të cilët me sakrifica të mëdha u rreshtuan në radhët e mysafirëve që vizitojnë shtëpinë e All-llahut të cilës besimtari i drejtohet çdo herë kur lidhet në namaz. Tash e 14 shekuj myslimanët nga të gjitha anët e botës i përgjigjën thirrjes së All-llahut xh.sh., dhe me vullnet, dëshirë e besim të plotë nisen drejt Qabesë, që sa më parë të takohen me shtëpinë e Allahut,me xhamin e Resulullahit.Duke manifestuar në vazhdimësi frymën e unitetit, harmonisë dhe vëllazërisë mes njerëzve. All-llahu xh.sh thotë: ” Vërtet besimtarët janë vëllezër ” Haxhi, manifestohet përmes një adhurimi të veçantë, duke e bërë tavaf Qabenë, adhurim ky i trashëguar nga i pari i Pejgamberëve – Ademi a.s., deri tek Pejgamberi i fundit, Muhammedi a.s.. Nëpërmjet këtij adhurimi i cili zhvillohet në një atmosferë vëllazërore, me pjesëmarrës nga të gjitha anët e botës, vendtakim ku dominon respekti e dashuria ndërmjet të gjithëve, ku shfaqet mëshira e pafundme e All-llahut xh.sh. duke na i begatuar zemrat tona me dritën e besimit, dhe nëpërmjet këtij ibadeti gjejmë edhe kënaqësinë shpirtërore, duke treguar respektin dhe dashurinë ndaj Krijuesit. Islami është besim, bindje, dashuri e respekt mes njerëzve, sinqeritet e bujari, devotshmëri e butësi, dije e shkencë, kulturë e qytetërim, moral e edukatë, kushtetutë dhe ligj . Në Haxh zhduken të gjitha dallimet – klasore, racore, e tjera, dhe vetëm devotshmëria është qëllimi dhe synimi i të gjithëve. Është ky një demonstrim i universalitetit të kësaj feje dhe i vëllazërimit të përgjithshëm të myslimanëve ngado që ata të kenë ardhur. Është një përkushtim i përbashkët ndaj Zotit duke reflektuar gatishmërinë për t’i sakrifikuar interesat shpirtërore e materialë në shërbim të All-llahut xh.sh. dhe duke rikujtuar se Qabeja është edhe drejtim shpirtëror i të gjithë myslimanëve. Lidhur me obligueshmërinë e Haxhit-kësaj dispozite të lartë islame, All-llahu xh.sh. në Kuran urdhëron e thotë: “ Vizita e Qabesë për hir të All-llahut, është detyrim për atë që ka mundësi ”. (3: 97) Këtë vit, edhe një numër i konsiderueshëm i haxhinjve nga Kosova u është bashkangjitur këtyre radhëve të gjata e të pa shkëputura, të cilët iu përngjajnë valëve të lumenjve të pashkëputur, në drejtim të Qabesë, për ta kryer këtë ibadet – adhurim në shenjë falënderimi ndaj Krijuesit fuqiplotë, për të mirat e dhuruara gjatë jetës në këtë botë. Sot nëpër të gjitha xhamitë e Kosovës besimtarët e besimit Islam madhërojnë Allahun e Gjithëpushtetshëm për mirësitë e Tij ndaj nesh. Edhe pse kanë kaluar mbi 14 shekuj, këto porosi janë të freskëta, dhe gjithherë aktuale, dhe nëse kuptohen drejtë, ato qetësojnë shpirtin nëpërmjet fuqisë së domethënieve të tyre. Sot kur politika globale synon zhdukjen e klasave, dallimeve racore, që deri dje në masë të madhe ishin prezente, Muhamedi a.s para 14 shekujve nga ai vend i shenjtë iu drejtua njerëzimit se dallimi mes njerëzve mund të jetë vetëm në devotshmëri, përkushtim e bindje ndaj krijuesit Fuqiplotë. Gjithherë Kurban-Bajrami duhet të trokasë në kujtesën tonë për të na rikujtuar Haxhin lamtumirës të Pejgamberit a.s. dhe mesazhin e tij të përbotshëm drejtuar racës njerëzore të të gjitha kohëve; se njerëzit janë të gjithë të barabartë, se të gjithë janë bijtë e Ademit, se ngjyra e trupit ose përkatësia kombëtare a gjeografike nuk i jep përparësi njërit ndaj tjetrit, dhe se vetëm niveli i vlerave morale i bën më të afërt dhe më të dashur tek Allahu. Prandaj, përparësi përbën shkalla e besimit dhe niveli i moralit e jo ngjyra e lëkurës. Dallimet fizike të njerëzve janë për t’u njohur në mes tyre dhe për të bashkëpunuar – siç urdhëron Kurani - e jo për të krijuar urrejtje e armiqësi. Festa e Kurban-Bajramit ka edhe një simbolikë tjetër, që është gjithashtu mjaft domethënëse dhe kuptimplote. është gatishmëria e besimtarëve që në emër të Allahut, të sakrifikojnë kurbanët e tyre, traditë kjo që ka një histori shumë të hershme, e cila na kthen tek Ibrahimi a.s. - babai i të gjithë pejgamberëve, për të na kujtuar shembullin më konkret të gatishmërisë së besimtarit për të sakrifikuar për Allahun e Gjithëmëshirshëm. Duhet pasur parasysh edhe fakti se qëllimi thelbësor i kurbanit nuk është thjesht derdhja e gjakut, por, mbi të gjitha, përkushtimi, morali dhe devotshmëria e besimtarit. Allahu në Kuranin famëlartë na mëson: “ Nuk është as mishi e as gjaku i tyre që arrin tek Allahu, por është përkushtimi juaj që arrin tek Ai...” (El-Haxh, 37). Prandaj, vëllezër të nderuar, përmes therjes së kurbanit dhe ndarjes së mishit të tij, do të kemi rastin t’u ndihmojmë edhe të afërmve edhe të varfërve, sepse kjo edhe më shumë do të na afrojë mes nesh dhe do të na shtojë dashurinë dhe respektin e ndërsjellë. Të nderuar vëllezër! Viti në të cilin pas dy ditësh do të hyjmë, për Kosovën tonë do të jetë i një rëndësie të veçantë, sepse në këtë vit do të vendoset për statusin final të Kosovës, e që ne kemi bindjen e thellë se Kosova do të jetë e pavarur, ngase është dëshirë e patjetërsueshme e shumicës në Kosovë. Prandaj, unë apeloj tek të gjithë faktorët relevantë që të respektojnë vullnetin e popullit, i cili për lirinë e tij ka paguar një çmim tepër të lartë. Në këtë kohë kur Kosova ka nevojën më të madhe që të jemi bashkë e të lëmë të gjitha zënkat e mundshme, të lëmë vrapin kah të këqijat e të afrohemi njëri me tjetrin për të jetësuar pavarësinë e Kosovës. Duhet më tepër që spektri politik i Kosovës të ndiej përgjegjësi, dhe të ketë më tepër guxim politik . Allahu qoftë në ndihmë të atyre që angazhohen për paqe, siguri, pavarësi dhe mirëqenie për të gjithë, si në Kosovë ashtu edhe në mbarë botën. Të nderuar vëllezër! Sot, në këtë ditë feste e gëzimi, ju ftoj që në zemrat dhe shpirtin tuaj të shndritë besimi i sinqertë, që me veprat tuaja të jeni mirëbërës, humanë e solidarë, që në sjelljet tuaja të dominojnë respekti dhe rahmeti, toleranca dhe mirëkuptimi. Sot, tek ne nuk duhet të ketë urrejtje e armiqësi, po vetëm fytyra të gëzuara, buzëqeshje dhe përqafime vëllazërore. Vetëm në këtë mënyrë do t’i japim festës domethënien e vërtetë, atë që ajo meriton. Edhe një herë në emër të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, dua t’ua uroj këtë festë të gjithë vëllezërve dhe motrave si këtu në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri, në Maqedoni, Luginë të Preshevës e në Malin e Zi. Në veçanti i përshëndes dhe ua uroj të gjithë atyre vëllezërve e motrave që jetojnë e punojnë përkohësisht jashtë Kosovës, e që na mungojnë kaq shumë. E lus Allahun gjithashtu që t’i mëshirojë të gjithë ata që jetën e tyre ia falën Zotit për atdheun e tyre. Me fat ju qoftë Kurban-Bajrami”! Kryetari, Myftiu, Mr.Naim Tërnava |
| < I mėparshmi |
|---|