| MESAZHI I MYFTIUT TĖ KOSOVĖS ME RASTIN E SHPALLJES SĖ PAVARĖSISĖ |
|
|
Prishtinë, 15 shkurt 2008 Gjatë ditëve të ardhshme, siç na është bërë e njohur nga institucionet më të larta të Kosovës, Kuvendi i Kosovës pritet ta shpallë pavarësinë aq shumë pritur. Prandaj, ky brez, të cilin e nderoi Allahu që ta pretë këtë ditë të madhe historike, duhet të ndjehet i privilegjuar. Kjo datë historike është rezultat i sakrificave dhe i flijimit të shumë gjeneratave para nesh gjatë periudhës një shekullore. Ky popull ka derdh shumë gjak, shumë lot, shumë mund dhe shumë djersë për ta realizuar këtë ideal, i cili ka jetuar në mendjen dhe shpirtin e çdo qytetari të Kosovës dhe më gjerë. Falë Zotit, kësaj radhe nuk na ka munguar as përkrahja e miqve dhe dashamirëve të popullit tonë anekënd botës. Natyrisht, ne jemi të vetëdijshëm se ky ideal yni i kamotshëm, vështirë se do të arrihej pa një përkrahje të tillë, përse ne dhe brezat që do të vijnë do të u jemi mirënjohës për ditë e mote.
Andaj, akti i shpalljes së pavarësisë nga përfaqësuesit legjitim të popullit, sa na bënë krenar dhe na jep rast për të festuar, po aq na bënë edhe përgjegjës për veprimet tona. Kujtoj se një ditë si kjo e shpalljes së mëvetësisë, të cilën e kemi pritur me aq padurim, duhet të festohet në mënyrë meritore. Ne si popull ditë më të madhe se kjo nuk kemi përjetuar në historinë tonë më të re. Kësaj duhet t’i gëzohet i madh e i vogël, plak e i ri, mashkull e femër, shqiptarët dhe të gjithë të tjerët që jetojnë në Kosovë dhe Kosovën e ndjejnë për atdhe të tyre. Këtij gëzimi duhet ti bashkëngjiten të gjithë shqiptarët kudo që ndodhën në këto momente si dhe të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë që e çmojnë paqen dhe lirinë e popujve. Për sa na takon neve, ne duhet të festojmë duke i treguar botës se ne dimë të festojmë në mënyrë meritore dhe dinjitoze ashtu, siç na mëson tradita dhe vlerat tona shpirtërore. Do të ishte mirë që sikur shqiptarët po ashtu edhe të gjitha pakicat tjera që shpalljen e pavarësisë ta llogarisin fitore të të gjithëve, sepse me këtë fitojnë të gjithë. Një Kosovë e pavarur, sovrane dhe demokratike, e integruar në familjen e madhe evropiane dhe në strukturat Veri-Atlantike do të thotë një e nesërme më e mirë për çdo qytetarë të Kosovës. Andaj, ky moment historik është fitore për të gjithë dhe askush nuk humb. Shumica shqiptare duhet t’ju garantojë të gjitha pakicave të tjera jetë të qetë dhe të dinjitetshme, sepse me këtë do të tregojmë për madhështinë e vlerave tona dhe për nivelin e lartë qytetarë që kemi dhe përgjegjësinë ndaj të tjerëve. Duke Ju uruar të gjithëve ditën e pavarësisë, lus Allahun për mirëqenien e përgjithshme të të gjithë qytetarëve të Kosovës! |
| < I mėparshmi | Tjetri > |
|---|