Prishtinë, 27 prill 2016
Sot, më 27 prill 2016, Myftiu i Republikës së Kosovës, Naim ef. Tërnava, priti ministrin e Diasporës, Valon Muratin. Nga ana e tij myftiu Tërnava njoftoi ministrin Murati për aktivitetet që zhvillon BIK-u në vend, e sidomos në diasporë, dhe potencoi se BIK-u ka një bashkëpunim shumë të mirë me qendrat islame shqiptare që gjenden nëpër Evropë e botë, dhe që bëjnë organizimin e jetës fetare dhe që janë edhe bartëse të çështjes kombëtare.

Në këtë takim u bisedua rreth organizimit të diasporës, raportet e Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës me diasporën shqiptare në Evropë, dhe mundësinë e bashkëpunimit me Ministrinë e Diasporës.
Tërnava po ashtu tha se diaspora është kultivuese dhe ruajtëse e identiteti tonë kombëtar e fetar. “Ne si Bashkësi Islame do t’ju mbështesim dhe do të jemi vazhdimisht në shërbim të diasporës sonë, dhe për këtë qëllim edhe kemi krijuar Departamentit për Diasporë”, tha ndër të tjera myftiu Tërnava.
Myftiu Tërnava poashtu shtoi se në gjithë diasporën ka një numër të madh të xhamive, në të cilat ligjërohet e mësohet shqip, andaj jemi të interesuar jetësisht që fëmijët tanë në diasporë të mësojnë shqipen. Aq sa kemi pasur mundësi, kemi organizuar vetë, me sistemin tonë, mësimin e gjuhës shqipe në xhamitë e shumta në diasporë. I kemi obliguar imamët, që, së paku, fëmijëve tanë t’ua mësojnë shkrim-leximin shqip.
Nga ana e tij, ministri Valon Murati falënderoi myftiun Tërnava për pritjen, dhe shprehu gatishmërinë e plotë që së bashku me BIK-un të ecë përpara në shërbim të mërgatës sonë në Evropë dhe botë. Në këtë  rrafsh ministri  Murati  theksoi  rolin e madh që mund ta luajë Bashkësia Islame e Kosovës në shtimin e interesimit për kultivimin e gjuhës shqipe.
“Roli i komunitetit fetar në ndihmë të fuqizimit të gjuhës shqipe është i rëndësishëm, në këtë rast i Bashkësisë Islame, për shkak se është komuniteti më i madh edhe në diasporë ndër shqiptarë, andaj edhe bashkëpunimi mes Ministrisë së Diasporës dhe Bashkësisë Islame duhet të jetë më i ngushtë”, tha ministri Murati.

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Drejtori Simnica priti në takim nënkryetarin e Bashkësisë Kulturore dhe Fetare Shqiptare në Dramen të Norvegjisë, z. Rrustem Seferi

Prishtinë, më 24 prill 2024 Drejtori i Diasporës në Kryesinë e Bashkësisë Islame të Kosovë…