Prishtinë, 26 maj 2017

Urimi i Myftiut të Kosovës, Mr. Naim Tërnava për besimtarët dhe qytetarët e Kosovës me rastin e fillimit të muajit të Ramazanit

Të nderuar besimtarë!

Vëllezër e motra!

Të nderuar qytetarë të Kosovës

Nesër, myslimanët anekënd botës nisin agjërimin e muajit të bekuar të Ramazanit, prandaj më lejoni që në emër të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës dhe në emrin tim personal t’ju drejtohem me përgëzimet më të mira, duke ju dëshiruar që këtë muaj ta jetoni me të gjitha mirësitë e begatitë e tij.

Agjërimi për besimtarët është një ibadet që bartë në vete përkushtimin, vendosmërinë, bindjen, urtësinë, devotshmërinë, sinqeritetin, dashurinë, sakrificën, unitetin, tolerancën e mirëkuptimin, vlera këto që e ekuilibrojnë njeriun, e fisnikërojnë shoqërinë, si dhe ndikojnë në reflektimin për hyjnoren, njerëzoren e humanen.

Përmes agjërimit besimtari më së miri shpreh njohjen, bindjen e sinqeritetin ndaj Krijuesit, ngase ky ibadet bëhet vetëm për Të, me bindjen e plotë që Krijuesi do ta shpërblej në Botën tjetër.

Për këtë Allahu xh.sh., në Kuran thotë: “Muaji i Ramazanit është ai në të cilin zbriti Kurani, që është udhërrëfyes për njerëz dhe sqaruesi i rrugës së drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra). Prandaj, kush e arrin prej jush këtë muaj, le të agjërojë….. “.

Muaji i Ramazanit është muaj në të cilin besimtarët shtojnë ibadetet, rrisin ndershmërinë, rrisin kujdesin ndaj njëri-tjetrit, bëhen më humanë, më të dashur e më paqësor, më social, më familjar e më të devotshëm. E pikërisht këto janë fadiletet, të mirat, dobitë dhe synimet e agjërimit të këtij muaji.

Ardhja e Ramazanit na rikujton po ashtu edhe shumë ngjarje me rëndësi të veçantë, e mbi të gjitha na rikujton fillimin e zbritjes së Kuranit fisnik dhe është Muaji i Kuranit; na risjell Natën e Kadrit me të gjitha kimetet e saj; më pastaj me saktësinë e tij na ofron të gjithëve në të njëjtën kohë rreth sofrës së iftarit dhe të syfyrit, na tubon rreth nimeteve e bereqeteve të Allahut të Madhëruar. Na drejton për te skamnorët, te jetimët, dhe na ofron me të gjithë nevojtarët.

Pikërisht për këtë, i dërguari i Allahut, Muhamedi a.s. ka thënë:

”Ai që agjëron Ramazanin me bindje, sinqeritet e përkushtim të plotë, do t’i falen mëkatet e tij më të hershme.”

Të nderuar vëllezër e motra!

Ramazani i sivjetshëm vendin tonë e gjen në një proces të rëndësishëm për të ardhmen e tij, përkatësisht në Zgjedhjet nacionale, kurse qytetarët para obligimit për të thënë fjalën e tyre.

Prandaj, urojmë dhe shpresojmë që gjatë këtij muaji të rahmetit e mëshirës, spektri ynë politik pjesëmarrës në zgjedhje do të zhvilloj një fushatë dinjitoze, të përgjegjshme, të qytetëruar, kurse dita e zgjedhjeve të jetë një ditë feste e gëzimi për të gjithë ne.

Nga procesi i zgjedhjeve dhe nga muaji i bekuar i Ramazanit lutemi që të dalim edhe më unik, më të bashkuar, më të fortë, më të konsoliduar dhe më të përgatitur shpirtërisht dhe institucionalisht.

Vëllezër e motra!

Me lejoni që edhe njëherë, me rastin e fillimit të muajit të bekuar të Ramazanit t’ju shpreh urimet dhe përgëzimet e mia më të mira të gjithë besimtarëve të besimit islam kudo që gjenden, e në veçanti uroj vëllezërit tanë në diasporë, duke e lutur të Madhin Zot që të na pranojë agjërimin, veprat tona te mira, namazin, sadakanë dhe ibadetin tonë në përgjithësi.

Le të na shoqëroj të gjithëve mëshira e Allahut dhe falja e Tij! Dhe na qoftë për hajr ky Ramazani sherif!

Myftiu i Kosovës

Naim ef. Tërnava

Shfaq më shumë në Fjalime

Shfleto

Fjala e Myftiut Naim ef. Tërnava në promovimin e tri veprave të tij

I nderuari reis i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut, Shaqir ef. Fetahu, I n…