Ballina Fjalime URIMI ME RASTIN E ARDHJES SË MUAJIT TË RAMAZANIT

URIMI ME RASTIN E ARDHJES SË MUAJIT TË RAMAZANIT

Prishtinë, 15 maj 2018

بسم الله الرحمـن الرحيـم

Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

Të nderuar besimtarë,

Vëllezër dhe motra,

Duke filluar nga nesër, e mërkurë 16.05.2018, myslimanët anembanë botës fillojnë me agjërimin e muajit Ramazan. Ndonëse formalisht manifestohet duke abstenuar nga ushqimet dhe pijet, në esencë agjërimi është një kurs edukativ, i cili përgjatë një muaji të tërë në mënyrë intensive punon për ta formësuar në mënyrë të përsosur personalitetin e besimtarit dhe lidhjet e tij me Zotin dhe të tjerët. Duke na kujtuar për objektiven kryesore që ka agjërimi, Zoti i Madhëruar në Kur’anin Fisnik na thotë:

﴿يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا كُتِبَ عَلَيْكُمُ الصِّيَامُ كَمَا كُتِبَ عَلَى الَّذِينَ مِن قَبْلِكُمْ لَعَلَّكُمْ تَتَّقُونَ﴾

O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat.” [Kur’ani: 2:183]

Pra, largimi nga ushqimi dhe pijet është mjet ose mënyrë për të arritur tek qëllimi final, e që është devotshmëria ose lidhja e njeriut me Krijuesin, e cila duhet të jetë e ndërtuar mbi respektimin dhe përfilljen që njeriu duhet t’i bëjë fjalës së Zotit dhe urdhrave të Tij. Ramazani, në mënyrë simbolike, shënon edhe fillimin e shpalljes së Kur’anit, Librit i cili përshkruan më së miri rrugën që ne duhet ndjekur për të realizuar këtë qëllim, pra devotshmërinë. Në Ramazan lidhja e njeriut me Zotin bëhet edhe më e fuqishme për shkak të mundësive të shumta që Zoti i ka lënë në dispozicionin ton për të na falur dhe mëshiruar. Ramazani, thënë në mënyrë figurative, është rrezatim i dashurisë dhe mëshirës së Zotit ndaj njeriut, andaj, duke u nisur nga këto tipare të Krijuesit, edhe ne duhet ta duam njëri tjetrin dhe të jemi të mëshirshëm ndërmjet vete.

Besimtarë të respektuar!

Agjërimi është një proces i cili gdhend tiparet e larta të moralit dhe iu jep formë të përsosur atyre. Për ta fituar epitetin e agjëruesit të vërtetë, ne në veçanti gjatë këtij muaji duhet të dëshmojmë vetëpërmbajtje dhe maturi në fjalë e sjellje. Agjërimi është shkollë humanizmi. Vlerat solidare agjërimin e bëjnë një mundësi më shumë për të zbutur varfërinë dhe për të lidhur pjesëtarët e shoqërisë ndërmjet vete. Mënyra se si arrihet kjo në Ramazan është e rrallë ose është karakteristikë veç e Ramazanit. Manifestimi i agjërimit duke abstenuar nga ushqimi dhe pija sipas disa dijetarëve myslimanë është bërë për t’ia kujtuar të pasurit shijen e hidhur të urisë që të varfrit e kanë përditshmëri. Pra, është edukim praktik, vetëdijesim konkret, dhe jo vetëm.

Me shprehjen e aspektit solidar, agjërimi synon edhe krijimin e një klime dashurie, respektimi, gëzimi, ku i pasuri dhe i varfri takohen shpesh dhe nuk e harrojnë njëri tjetrin. Takohen në namaze, në iftare, në nisma të ndryshme. Së këndejmi, klima që krijohet gjatë Ramazanit nuk favorizon asgjë tjetër pos dashurisë dhe respektit. Këto lidhje kulmojnë me dhënien e sadakatul fitrit në fund të muajit, të cilën, siç thotë Pejgamberi Muhammed ﷺ, “Zoti e ka obliguar dhënien e lëmoshës si pastrim për agjëruesin (nga lëshimet eventuale) dhe ushqim për nevojtarin.

Të dashur besimtarë,

Vëllezër dhe motra,

Në fund, më lejoni që, në emër të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës dhe në emër të institucioneve të saja dhe në  emrin tim personal, t’iu uroj për ardhjen e këtij muaji të bekuar, të gjithë besimtarëve të besimit Islam kudo që ata gjenden në Kosovë e jashtë saj, duke e lutur Zotin që të na lehtësojë agjërimin dhe të gjitha adhurimet tjera, të na fisnikërojë me moralin dhe etikën e Ramazanit, si dhe të na fali e të na mëshirojë!

Urime të gjithëve muaji i Ramazanit!

 

Myftiu i Kosovës

 Naim ef. Tërnava

Shfaq më shumë artikuj të ngjashëm
Shfaq më shumë në Fjalime

Shfleto

URIMI I MYFTIUT PËR KURBAN-BAJRAM 2018

بسم الله الرحمـن الرحيـــم Me emrin e Allahut. Mëshiruesit, Mëshirëplotit! Të dashur qytet…