Ballina Lajme U hapën garat e Kuranit në nivel të medreseve të Ballkanit

U hapën garat e Kuranit në nivel të medreseve të Ballkanit

Prishtinë, 1 nëntor 2019

Nën patronatin e kryetarit të Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, Myftiut Naim ef. Tërnava, Medreseja e Mesme “Alauddin” organizon garat e Kuranit në nivel të medreseve të Ballkanit. Në amfiteatrin e Medresesë “Alauddin” në Prishtinë, sonte u bë hapja zyrtare e këtyre garave, në hapjen solemne mori pjesë kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, me bashkëpunëtorë, kryetarë të këshillave të BI-së, përfaqësues të Dijanetit nga Turqia, Arabia Saudite, Shqipëria, Sanxhaku, Mali i Zi, Kroacia, Bullgaria dhe shumë mysafirë të tjerë. Në këto gara po marrin pjesë medresetë nga këto shtete: Kosova, Shqipëria, Turqia, Bosnja, Mali i Zi, Kroacia, Bullgaria dhe Sanxhaku. Në fillim u lexua një pjesë nga Kurani nga Egzon Ibrahimi, më pas fjalë rasti mbajti drejtori i Medresesë “Alauddin” në Prishtinë, mr. Jakup Çunaku i cili në fjalën e tij duke u dëshiruar mirëseardhje mysafirëve tha:”… duke u mbështetur në porosinë kuranore “bashkëpunoni në punë të mira dhe të mbara..” , edhe ky organizim i sivjetmë, që llogaritet i dyti i këtij lloji – niveli në historinë e medresesë “Alauddin” është në vazhdën e bashkëpunimit të mirë e të ndërsjellë ndërmjet medreseve të mesme të Ballkanit. “ Unë e konsideroj si të suksesshëm madje edhe vetëm ketë takim tonin, takimin e mësimdhënësve dhe njohjen e nxënësve në mes vete, të cilët vijnë nga medresetë e ndryshme, dhe shpresoj që si ngjarje dhe eveniment me rëndësi, të jetë regjistruar te Zoti si një vepër e mirë. Unë shpresoj që organizimet dhe takimet e tilla të jenë edhe më të shpeshta ndërmjet medreseve tona…”

Ne fjalën e tij Myftiu Tërnava i përshendeti të pranishmit dhe, ndër të tjera, tha:”… në në emër të Kryesisë së Bashkësisë Islame dhe në emrin tim ju dëshiroj mirëseardhje dhe qëndrim të këndshëm në këtë objekt, i cili, pavarësisht furtunave që e goditën gjatë shekullit që shkoi, dha kontribut shumë të madh në kultivimin e ndjenjës së leximit dhe mësimit përmendsh të Kuranit, fjalës së Allahut xh.sh., e mbajti gjallë atë edhe atëherë kur ishte shumë vështirë të mbahej gjatë sistemit të dhunshëm komunisto – ateist.”

Ai po ashtu tha: ”Kam kënaqësinë, nderin e respektin e veçantë që, sonte në këtë amfiteatër të bukur të Medresesë “Alaudin”, me rastin e mbajtjes së garave të para të Kuranit në nivel ballkanik, kjo Medrese me personelin e saj dhe ky amfiteatër dhanë shumë për lirinë e vendit tonë dhe bërjen e shtetit. S’ka dyshim se Medreseja Alauddin me leximin dhe mësimin e Kuranit përmendsh është vazhdimësi e shkollës të cilin e ngriti para 14 shekujve i Dërguari i fundit i Allahut, Muhamedi a.s. dhe shokët e tij. Që në kohën e Muhammedit a.s. kishte nga sahabët që ishin hafëzë të Kuranit. Por, Pejgamberi a.s. kishte kërkuar nga shokët e tij, madje jo vetëm ta mësonin Kuranin, por t’ua mësonin edhe të tjerëve. Një begatie të tillë nuk ka si të mos i kushtojmë rëndësi edhe ne, myslimanët e këtyre trojeve. Që nga dita kur të parët tanë kanë përqafuar këtë fe e deri në ditët tona, respekti për Kur’anin jo që ka munguar por është rritur vazhdimisht. Jo vetëm përfshirja e tij në kurrikulat mësimore në Medrese dhe Fakultet si lëndë kryesore, por edhe angazhimi shtesë, duke hapur institute për hifz, duke certifikuar hafizlerë dhe tash, këto vitet e fundit, edhe duke mbajtur gara për Kur’anin, janë dëshmi të këtij respekti dhe shërbimi ndaj librit të Allahut. Prandaj, të dashur nxënës dhe ju pjesëmarrës të garave, me shumë bindje ju them se ju si edhe kolegët tuaj anekënd botës, jeni dëshmi-provë e garancisë hyjnore për vazhdimësinë e leximit të Fjalës së Allahut xh.sh. Ju jeni të privilegjuar nga moshatarët tuaj, sepse krahas mësimeve të shkencave të tjera, ju qysh në rininë tuaj të hershme absorboni në zemrat dhe shpirtrat tuaj nektarin e pastër të marrë nga leximi e mësimi përmendësh i Kuranit, dhe me këtë jetoni e garoni kudo ku gjendeni.“Në garën tuaj nuk ka humbës. Ju të gjithë jeni fitues. Ju, siç ka thënë Muhammedi a.s. për ju, jeni miqtë e Allahut dhe të dalluarit e Tij. Mua nuk më mbetet tjetër vetëm se ta lus Allahun që drita e Kur’anit tua ndriçojë përherë rrugën deri kur ta takoni Allahun!.”

Ai po ashtu ka falenderuar me këtë rast RABITA-n (Ligën e Botës Islame) për ndihmën e ofruar për mbajtjen e këtyre garave

Fjalë përshëndetëse mbajti edhe z. Abdullah Gari, drejtor i Zyrës Rajonale të Organizatës së Ligës së Botës Islame (Rabita), i cili përcolli përshëndetjet e sekretarit së saj, prof. dr. Muhammed Abdulkerim Isa, i cili ka lutur Zotin që t’u japë sukses të gjithëve për t’i shërbyer Librit të Allahut. Liga e Botës Islame nuk kursehet aspak që të mbështetë organet zyrtare që punojnë për këto gara duke i shërbyer fesë sonë të pastër. Në fund, e falënderoj veçanërisht Myftiun për mikpritjen bujare dhe të gjithë ata që kanë punuar për këto gara”- shtoi ai. Ai në fund Myftiut Tërnava i dhuroi kopje të Kartës së Mekës së Nderuar në gjuhën arabe dhe të përkthyer në gjuhën shqipe.

Edhe përfaqësuesi nga Turqia Nazif Yilmaz – Drejtor i përgjithshëm për arsimin fetar në Ministrinë e Arsimit, mbajti një fjalë rasti, ku, pos të tjerash, theksoi se tani nga Medreseja Alauddin po realizohet një garë shembullore, në të cilën pjesëmarrës janë hafëzë të dashur nga nëntë shtete të Ballkanit dhe nga Turqia. I përgëzoj të rinjtë që e kanë memorizuar Kuranin dhe e lexojnë bukur atë, ngase ata janë përgëzuar nga Pejgamberi a.s.. “…i falënderoj të gjithë ata që kontribuuan për realizimin e kësaj gare. Në emër të Ministrisë së Arsimit të Republikës së Turqisë e falënderoj Kryesinë e Bashkësisë Islame të Kosovës dhe Medresenë “Alauddin”. Bashkëpunimi ynë i mirë do të vazhdojë edhe me tej në të ardhmen”- tha ai.

Janë gjithsej 40 garues nga tetë (8) vende të Ballkanit, që në dy ditët në vazhdim do të testojnë memorizimin dhe leximin e bukur të tyre, përballë një komisioni profesional në përbërje të :

  1. Hfz. Safet Hoxha – Kosovë
  2. Hfz. Etem Alanka – Turqi
  3. Abdullah Al-Muhib – Siri
  4. Hfz. Aziz Alili – Kroaci
  5. Dr. Emjed Saadeh – Jordani

Po ashtu u bë dhënia e diplomave për hafëzët e Kuranit, me me diploma të hifzit u pajisen:

  1. Adl Rraci – Gjakovë
  2. Abdulbasit Bytyqi – Prishtinë
  3. Gëzim Shuku – Mitrovicë
  4. Hevzi Kadriu – Prishtinë
  5. Hadixhe Kadriu – Prishtinë
  6. Mirand Osmani – Gjilan
  7. Eduard Ramizi – Gjilan

Këta hafëzë i janë nënshtruar provimit vlerësues të hifzit me 19 tetor 2019 para komisionit të Kryesisë së BIK-ut në përbërje prej: Sabri ef. Bajgora, kryetar, hfz. Safet Hoxha, anëtar dhe hfz. Etem Alanka, anëtar.

Kurse krejt në fund u kënduan ilahi nga Miraxh Islami dhe kori i Medresesë. Nesër garat do të zhvillohen sipas agjendës së paraparë, në kategorinë “xhuzi i 30-të” do të garojnë 13 nxënës, në kategorinë “3 xhuza” do të marrin pjesë 9 nxënës, me “5 xhuza” janë në garë 7 nxënës dhe në kategorinë “Leximi i bukur i Kuranit” marrin pjesë 12 nxënës.

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Myftiu Tërnava në vizitë zyrtare në Arabinë Saudite

18 nëntor 2019 Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, me ftesë …