Më 30 mars, Parlamenti serb në një seancë plenare, e cila zgjati deri në orët e mëngjesit, miratoi një rezolutë, ku u distancua nga masakrat dhe terrori që ushtria serbe kishte bërë ndaj popullatës së pambrojtur boshnjake të Srebrenicës. Debati në Parlamentin serb zgjati përafërsisht aq kohë sa i ishte dashur gjeneralit serb, Ratko Mladiq për t’i masakruar mbi 8.000 burra dhe të rinj myslimanë boshnjakë dhe për t’i dëbuar mbi 30,000 të tjerë nga Srebrenica dhe fshatrat për rreth.

 

Kështu Srebrenica në ato ditë të kobshme korriku të viti 1995, nga një oazë nën mbrojtjen e OKB-së, ishte kthyer në një territor serb të pastruar nga “turqit”, ashtu siç kishte deklaruar gjenerali Ratko Mlladiq, komandant i ushtrisë serbe më 11 korrik 1995.
Nga debati i shumicës së deputetëve serb, shihej se edhe pse nga ai tmerr i paparë, i cili sipas të gjithë historianëve konsiderohet masakra dhe tragjedia më madhe që ka ndodhur në Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore, megjithatë ata nuk patën guximin dhe kurajën që atë që kishte ndodhur në Srebrenicë ta quajnë me emrin vërtetë, gjenocid. Rezoluta e së martës në Parlamentin serb, me gjithë mos përfshirjen e fjalës – gjenocid – kaloi me 127 vota prej 250 deputetëve sa ka Parlamenti serb, dhe shumë prej kundërshtarëve të Deklaratës mbajtën fjalime me retorikë nacionaliste të ngjashme me atë të viteve të nëntëdhjeta.
Ky fakt flet vetvetiu përse u deshën 13 vite që Radovan Karaxhiqi, ish-presidenti i serbëve të Bosnjës të arrestohet, kurse aktori kryesor i asaj që kishte ndodhur në Bosnjë e Hercegovinë gjatë luftës tre vjeçare dhe arkitekti i gjenocidit të Srebrenicës, gjenerali Ratko Mlladiq, ende është i lirë nëpër Serbi, me gjithë flet arrestimit të Tribunalit Ndërkombëtar të krimeve në Hagë.

Serbët në vazhdimësi bëjnë përpjekje të relatiivzojnë krimet serbe të kryera, duke filluar prej Sllovenisë e deri në Kosovë, duke e paraqitur serbët si viktima të një lloj secesionizmi ku serbët patën rolin e mbrojtjes së dezintegrimit të shtetit. Mirëpo, ata asnjë herë nuk shikojnë se mbi 90% të dënuarve nga Tribunali i Hagës për krime të luftës në ish-Jugosllavi janë serb dhe ata përfaqësojnë elitat më të larta të shtetit, ushtrisë dhe policisë, duke filluar prej Sllobodan Millosheviqit. Ky fakt tregon më së miri tregon se cila palë ka kryer agresion. Poashtu edhe raporti i forcave të gjithë e dinë se ka qenë në anën e serbëve si në aspektin numerik, por edhe në aspektin e shtrirjes së pushtetit në ushtri dhe në polici. Vet përkrahja pa rezervë e Beogradit ndaj ushtrisë së Republikes Serbe, tregon më së miri për raportin e forcave në atë kohë. Po të mos ekzistonte kjo logjikë e dominimit serb e Beogradit, në atë kohë, nuk do të bëheshin të gjitha ato krime dhe nuk do të bëheshin tëra ato shkatërrime. Llogaritë e pushtetarëve serbë të Beogradit në atë kohë parashihnin se ata do të ngadhënjenin, këtë Millosheviqi e kishte pohuar në fjalimin e tij famoz me rastin e 600 vjetorit të Vidovdanit , qershor 1989, duke llogaritur në raportin forcave brenda ish-Jugosllavisë. Por, si duket ai nuk i ka llogaritur si duhet raportin e forcave të jashtme dhe vendosmërinë e tyre që të mos lejohet një eskalim i luftës me përmasa më të mëdha.

Rezistenca që është bërë nga popujt tjerë, qofshin ata kroatë, boshnjak apo shqiptarë, kjo ka qenë rezistencë ndaj një agresioni që u është imponuar këtyre popujve, andaj , besojmë se çdo përpjekje për vendosjen e një baraspeshe në këtë drejtim është jo vetëm e pa drejtë dhe jo me vend, por edhe jo e logjikshme. Mu për këtë edhe dënimet e shqiptuara ndaj përfaqësuesve të këtyre popujve janë minimale, apo nga në herë edhe për të bërë far ballansimi në aspektin nacional.

Si do të reflektohet rezoluta e aprovuar në Parlamentin serb tek të afërmit e viktimave të Srerbrenicës dhe te populli boshnjak në tërësi pritet të shihet, por reagimet e para nuk janë premtuese, pasi që në Rezolutë nuk është përfshi elementi kryesor e ai është gjenocidi. Ndërkohë që në Srerbernicë, sipas të gjitha parametrave ajo që ka ndodhur aty më 11 korrik 1995 ka vetëm një emër e ai quhet gjenocid. Këtë e ka kualifikuar Rezoluta e Tribunalit të Hagës si dhe Rezoluta e Parlamentit Evropian në Strasburg. Por, ajo që duhet të ndërmarrë në mënyrë urgjente establishmenti politik i Beogradit, është që sa më parë t’a gjejë dhe t’ia dorëzojë Tribunalit të Hagës, gjeneralin Ratko Mlladiq. Vetëm atëherë, qeveria e Serbisë mund të tregoj se Rezoluta e Parlamentit të saj ka kuptim. Por, në të njëjtën kohë, populli serb për t’iu shmangur fajit kolektiv, të cilin me vite të tëra po mban mbi supet e tij, ai duhet që nga Parlamenti serb të nxjerrë një rezolutë, e cila do t’i dedikohej Kosovës dhe krimeve që në një periudhë prej më shumë se një shekulli janë kryer ndaj shqiptarëve në Kosovë. Sepse krimet serbe të kryera në Kosovë, në asnjë mënyrë nuk janë më të vogla se ato të kryera në Srebrenicë.

Shfaq më shumë në Shkrime

Shfleto

Argumentet për vlerën e natës së 15 të muajit shaban

Një ndër muajt e preferuar, të cilët i ka veçuar Allahu i Madhëruar dhe që i ka dhënë një …