Me një manifestim solemn sot (7 maj 2015), në fshatin Shushicë të Istogut –vendlindja e Mehmet Akif Ersoyt – u bë përurimi i xhamisë së rindërtuar, ndërsa të pranishëm ishin: Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava me bashkëpunëtorë, ministra nga qeveria e Kosovës, autoritetet komunale të Istogut, pastaj ambasadorja e Turqisë në Kosovë, Songül Ozan, kryetari i kontingjentit të trupave turke në Kosovë, si dhe shumë të ftuar të tjerë.

Xhamia në Shushicë qe ndërtuar më 1861, ndërsa ishte djegur më 4 prill 1999. Tash kjo xhami është restauruar nga ana e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA).
Pjesë e inaugurimit ishte edhe presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, që nëpërmjet një video lidhjeje bisedoi shkurt me Myftiun Tërnava, të cilin Myftiu e falënderoi për restaurimin e xhamisë që do ta mbajë emrin e Mehmet Akif Ersoyt.
Pasi i përshëndeti të pranishmit dhe i falënderoi që ndihmuan në rindërtimin e xhamisë, Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava tha: “Falënderoj popullin dhe qeverinë turke për krejt atë që kanë bërë për Kosovën dhe popullin tonë. Në veçanti falënderoj Agjencinë “TIKA” dhe Fondacionin “Yonuz Emre”, që po bëjnë punë të mëdha në Kosovë në ndërtimin e shkollave, në restaurimin e xhamive, si dhe po realizojnë projekte tjera për të cila ka nevojë vendi ynë”.
Më tutje Myftiu tha se kombi ynë duhet të ndihet krenar për bijtë që ka dhënë, jo vetëm brenda trojeve tona, mirëpo edhe në mbarë globin. “I tillë ishte dhe mbetet edhe Mehmet Akifi, për të cilin e lusim Allahun xh.sh. që ta shpërblejë me të mirat e Tij edhe në botën tjetër. Rrënjët e Mehmet Akifit janë nga ky fshat, ndërsa sot me të nuk krenohet vetëm familja e tij por tërë kombi shqiptar, madje edhe ai turk, ngase ai i dha shumë vendit ku jetoi. Emri i Mehemt Akifit, edhe si poet edhe si mësues – ligjërues, edhe si teolog, ka vendin meritor në Turqi. Nuk ka fëmijë, nuk ka të rritur a të vjetër që nuk ka dëgjuar e mësuar për Mehmet Akifin, dhe që nuk ka konsideratë për të, ngase, siç dihet, ky e fitoi edhe konkursin e vitit 1920, në mesin e 700 konkurruesve, për shkuarjen e tekstit të himnit të Turqisë”, tha ndër të tjera Myftiu Tërnava.
Ndërsa, duke folur për Mehemt Akifin dhe ndjenjën e tij etnike, Myftiu tha: “Mehmet Akifi asnjëherë nuk i harroi rrënjët e tij. Këtë e shpreh me krenari edhe në poezitë e tij, ku në njërën prej tyre që në titull thotë: unë jam shqiptar, me çka ai edhe dëshmon se ka jetuar e vepruar si shqiptar, edhe pse larg atdheut”.
Populli turk i ka dhënë vend meritor Mehmet Akifit, duke emërtuar shumë institucione me emrin e tij dhe duke botuar veprën e tij. Andaj, nga ky vend i bëj apel edhe Ministrisë së Arsimit që personalitetit të madh të Mehmet Akifit t’i japë vend meritor edhe në mësimet shkollore.
Ndërsa, kryetari i Istogut, Haki Rugova, falënderoi qeverinë turke për bashkëpunimin e deritanishëm që kanë pasur, si për ndërtimin e shkollës në fshatin Shushicë, ashtu edhe për restaurimin e xhamisë “Mehmet Akif Ersoy”. Rugova ofroi bashkëpunim edhe në të ardhmen, duke thënë: “Ne u jemi shumë mirënjohës për investimet e bëra në komunën tonë nga ana e tyre, përkatësisht në fshatin Shushicë, që është edhe vendlindja e veprimtarit të shquar shqiptar Mehmet Akif Ersoy”.
Ndërkaq, ambasadorja e Turqisë në Kosovë, Songül Ozan ka falënderuar kryetarin Rugova për mbështetjen e vazhdueshme që u është ofruar nga ana e tij. “Falënderojmë kryetarin e komunës së Istogut Haki Rugova për mbështetjen e vazhdueshme që na ka dhënë neve si ambasadë dhe si shtet turk, si dhe për gatishmërinë e tij të bashkëpunojë më ne”, është shprehur ambasadorja Ozan.
Mehmet Akif Ersoy ishte veprimtar i shquar shqiptar në Turqi, si dhe tekstshkruesi i himnit kombëtar turk. Ai vinte nga fshati Shushicë i komunës së Istogut.{gallery}shushice{/gallery}

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Myftiu Tërnava po merr pjesë në sesionin e 23-të të Bordit të Lartë të Akademisë së Jurisprudencës Islame

Prishtinë, më 20 prill 2024 Në Riad të Arabisë Saudite, ka filluar punimet sesioni i 23-të…