Mr. Qemajl Morina

Islami është fe e diturisë dhe e informimit, fe e logjikës dhe e dialogut. Pejgamberi a.s. i kaloi trembëdhjetë vjet në Mekë duke thirrur për në rrugën e Allahut xh.sh.; bisedonte me ata të cilët ishin në dilemë, duke përdorur metodat më të mira; u fliste njerëzve vazhdimisht duke ua hapur të gjitha shtigjet e mundshme. Ajeti i parë i Kur`anit na urdhëron me fjalën “ikre”, që në gjuhën shqipe do të thotë “Lexo”! “Mëso”, “Studio”, “Hulumto” etj.

 

Allahu i Madhëruar për rëndësinë që ka pena (lapsi) për zhdukjen e analfabetizmit, si dhe ngritjen e nivelit të kulturës e të arsimimit të muslimanit, një kaptinë të tërë të Kur`anit e quajti me emrin “el-kalem” (Pena) apo (Lapsi). Madje, edhe më tepër, Allahu xh.sh. u betua në penën, kur ajetin e parë të kaptinës së sipërpërmendur e filloi: “Nun. Betohem në penën dhe në atë çka shkruajnë!”.

Të gjithë ne jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e madhe që ka fjala e shkruar, gazeta, revista apo libri, në orientimin e opinionit, sidomos në këto kohë të mjegullta, kur ideologjitë dhe sistemet bien njëra pas tjetrës dhe mbetet vetëm fjala e Allahut të Madhërishëm, sepse vetëm ajo është e përhershme. Mu për këtë arsye obligimet tona janë të shumëfishta, në radhë të parë, ndaj Allahut xh.sh.

“Thuaj: kjo është rruga ime, thërras tek Allahu, unë dhe çdo njeri që më pason mua, me argumente të qarta!” (Jusuf, 108).

Po ashtu është obligim yni i dorës së parë që besimtarëve, rinisë dhe intelektualëve tanë t`u ofrojmë sa më shumë gazeta, revista dhe literaturë islame të llojllojshme, sepse, falë ndihmave dhe interesimit të tyre, Bashkësia Islame qëndroi e papërkulur para shtrëngatës së egër komuniste për afro pesë dekada.

Zoti i Madhëruar në Kur`anin famëlartë i drejtohet Pejgamberit të vet, grave të tij si dhe mbarë njerëzimit.

“O Pejgamber!”
“O gratë e Pejgamberit”
“O ju që keni besuar”
“O ju të zotët e Librit”
“O ju njerëz!”
“O robërit e mi!”
“O bijtë e Ademit!”
“O njeri!”

Allahu i Madhëruar e urdhëron Pejgamberin a.s. që t`u flasë pabesimtarëve:

“Thuaj! O mosbesimtarë!” (109: 1)

Në Kur`anin e Madhëruar ka 1700 ajete, që kanë të bëjnë me informimin, e në mënyrë të veçantë me materien e foljeve (kaf, vav, lam) prej tyre:

529 ajete në formën e foljes: “kale” (ka thënë);

331 ajete në formën e foljes: “kalu'” (kanë thënë);

332 ajete në formën e foljes: “kul” (thuaj);

92 ajete në formën e foljes: “jekulune” (thonë) – ata;

68 ajete në formën e foljes: “jekul” (thotë) – ai;

49 ajete në formën e foljes: “kile” (është thënë);

43 ajete në formën e foljes “kalet” (ka thënë) – ajo.

E tërë kjo që u përmend, na jep të kuptojmë për faktin që Kur`ani i veçoi muslimanët të jenë populli më i mirë, nga të gjithë popujt e tjerë, sepse ata: “urdhërojnë për mirësi”. Kjo është çështje e informimit; “dhe e pengojnë të keqen”. Ky po ashtu është roli dhe misioni i informimit; “dhe besojnë në Allahun”.

Mund të shtrohet pyetja: Cilat janë llojet e informimit sipas konceptit islam? Allahu xh.sh. në Kur`an përmend dy lloje të informimit, atë korrekt e konstruktiv dhe atë rrënues e destruktiv.

“A nuk e sheh se Allahu sjell shembull fjalën e mirë, sikur pemën e mirë, rrënja e së cilës është e ngulitur fort, kurse degët drejt qiellit, që me leje të Zotit të saj jep frutat e saj në çdo kohë”. (Ibrahim, 24-25).

Ky është shembulli i informimit korrekt: “Kurse shembulli i fjalës së keqe është si pema e keqe që është shkulur nga sipërfaqja e tokës dhe nuk ka të qëndruar”. (Ibrahim, 26). Ky është shembulli i informimit të keq.

Islami definon ligjin e informimit, ose atë që në gjuhën e sotme quhet kodeksi gazetaresk: “Dhe njerëzve t`u flisni fjalë të mira”. (El-Bekare, 83).

Po ashtu thirrësit atij që thërret në fenë islame, ose atij që shkruan për Islamin, i urdhërohet t`i përmbahet moralit të tij informativ:

“Thirr për në rrugën e Zotit tënd me urtësi dhe këshillë të mirë dhe me ta polemizo me mënyrën më të mirë!” (En-Nahl, 125)

“Ai që urdhëron për ndonjë mirësi, le të jetë edhe vepra e tij e mirë!”

Kur`ani i madhërishëm na shpjegon se roli dhe misioni ynë është i kufizuar në komunikim dhe në përkujtim, e jo edhe në udhëzim, sepse udhëzimi është në duart e Allahut xh.sh.:

“Ti ke për obligim vetëm komunikimin!” (Esh-Shura, 48).

“Ti këshillo se ti je vetëm këshillues. Ti nuk je mbi ta imponues!” (El-Gashije, 21-22).

“Ti nuk mund të udhëzosh atë që do ti, por, Allahu e udhëzon kë të dojë!” (El-Kisas, 56).

Edhe pse informimi në kohën e sotme konsiderohet arma më e rrezikshme, për fat të keq muslimanët nuk tregojnë interesim të duhur për këtë armë të rrezikshme. Shumë të rralla janë rastet kur ata ndihmojnë apo financojnë botimin e ndonjë gazete, reviste apo botimin e ndonjë libri islam.

Realiteti i shtypit islam sot

Shtypi islam në hapësirat ku sot jetojnë shqiptarët, as për së afërmi nuk u përgjigjet nevojave të tyre, aq më tepër kur dihet se shumica dërrmuese e shqiptarëve i përkasin fesë islame. Në anën tjetër kemi një vërshim të madh të shtypit tjetër në të gjitha hapësirat ku jetojnë shqiptarët, gjë që është pozitive, sepse pas një periudhe të gjatë të mbylljes në vetvete të shqiptarëve, ata kanë mundësi t`i shprehin opinionet e ndryshme të tyre.

Mirëpo, në të njëjtën kohë në rrethanat që po jetojmë, hapësira shqiptare ka nevojë për një shtyp islam të fuqishëm dhe ndikues, i cili të jetë në gjendje të japë një pasqyrë reale për Islamin si dhe të përmirësojë disa insinuata që i mvishen atij nga të tjerët, qoftë për shkak të mosnjohjes me parimet e tij apo për qëllime të caktuara. Prandaj, mbetet detyrë dhe obligim yni që të bëjmë çmos në forcimin e shtypit ekzistues si dhe pasurimin e shtypit islam me tribuna të shtypit të ri, të cilat përgjigjen nevojave dhe kërkesave të kohës.

Problemet me të cilat ballafaqohet shtypi islam

Shtypi islam në përgjithësi, kur është fjala për hapësirën ku jetojnë shqiptarët, ballafaqohet me probeme dhe vështirësi të shumta.

E para: Çështja e kuadrove është problemi më i madh me të cilin ballafaqohet shtypi islam. Mungesa e kuadrit të kualifikuar dhe që merret vetëm me këtë lëmë, duhet të jetë prej prioriteteve tona në të ardhmen. Ne nuk mund të kemi shtyp të një niveli të lartë nga aspekti i përmbajtjes dhe ai estetik nëse nuk kemi kuadro profesioniste dhe që punë të vetme të kenë vetëm çështjen e përgatitjes së shtypit islam, gjë që, thënë realisht, nuk e kemi deri më sot në asnjë vend ku jetojnë shqiptarët. Tërë punën e shtypit e kryejnë njerëz amatorë dhe jo profesionistë.

E dyta: Mungesa e mjeteve financiare dedikuar shtypit si dhe mjeteve të tjera të informacionit.

E treta: Çështja e shpërndarjes së shtypit islam në të gjitha vendet ku jetojnë shqiptarët. Shpërndarja e tanishme ka shumë kufizime.

Cilat janë mënyrat për ngritjen e nivelit të shtypit islam?

Nuk ka dyshim se shtypi islam është prej mjeteve tejet të rëndësishme për shprehjen dhe kultivimin e identitetit tonë fetar në të gjitha shtresat e shoqërisë sonë. Për këtë duhet të merren hapat që vijojnë:

E para: Themelimi i një fondi për financimin e shtypit islam.

E dyta: Përgatitja e kuadrove të reja në aspektin teorik e praktik dhe profesionalizimi i tyre.

E treta: Nxjerrja e një gazete informative kulturore, në fillim dy herë në muaj në nivel të të gjitha hapësirave ku jetojnë shqiptarët, si organ i përbashkët i të gjitha bashkësive fetare islame në trojet shqiptare.

E katërta: Themelimi i një agjencie informative islame në shkallë të trojeve shqiptare.

E pesta: Mbështetja dhe përkrahja morale e materiale e shtypit islam nga institucionet shtetërore dhe private në nivel të trojeve shqiptare dhe diasporës.

Nuk mendoj se shtypi islam mban gjithë përgjegjësinë për gjithçka nuk shkon mirë në shoqërinë tonë. Por, ai mund të kontribuojë në eliminimin e disa të këqijave me të cilat po ballafaqohet sot shoqëria jonë, dhe do të ndikojë në edukimin e brezave të ardhshëm. Në të njëjtën kohë ai do ta pasuronte spektrin e gazetarisë shqiptare.

Shfaq më shumë në Shkrime

Shfleto

Argumentet për vlerën e natës së 15 të muajit shaban

Një ndër muajt e preferuar, të cilët i ka veçuar Allahu i Madhëruar dhe që i ka dhënë një …