Prishtinë, 11 mars 2017

Një delegacion i nivelit më të lartë të Ligës së Botës Islame, të kryesuar nga sekretari i Përgjithshëm, Muhamed bin Abdulkerim al Isa, të premten arriti në Kosovë, ku në aeroportin “Adem Jashari” u prit nga Myftiu i Republikës së Kosovës, Naim ef. Tërnava dhe bashkëpunëtorët e tij.

Kurse sot, në selinë e Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës (BIRK-ut) myftiu Tërnava bëri pritje solemne për delegacionin e kryesuar nga Muhamed bin Abdulkerim al Isa. Myftiu Tërnava, pasi u dëshiroi mirëseardhje mysafirëve, të njëjtit i informoi përkitazi me organizimin e BIRK-ut, punën dhe angazhimin që po e bën në të mirë të qytetarëve të Kosovës. Myftiu Tërnava falënderoi sekretarin e Ligës së Botës Islame për ndihmën që i ka dhënë Kosovës drejt forcimit të shtetit dhe njohjes së pavarësisë nga shtetet islame dhe më gjerë.

Myftiu Tërnava po ashtu ka kërkuar nga Muhamed bin Abdulkerim al Isa që të vazhdojë ta ndihmojë Kosovën në aspektin e njohjes nga shtetet tjera islame që ende s’e kanë njohur, si dhe ta ndihmojë Kosovën të ketë ulësen e saj në OKB.

“Shfrytëzoj rastin që ta falënderoj sekretarin e Përgjithshëm për punën që ka bërë Liga Botërore Islame (LBI) karshi Kosovës, në të gjitha fushat, e cila ka qëndruar pranë dhe ka dhënë kontributin e saj edhe për çlirimin e Kosovë, po edhe për njohjet që kanë ardhur për Kosovën dhe për punën që është duke vazhduar në këtë drejtim. Ne kërkojmë me ngulm që edhe më të kontribuojë që edhe shtetet islame, që deri tani nuk e kanë njohur Kosovën, pra që ta bëjnë sa më shpejt, ngase Kosova ka nevojë për njohje të reja, dhe që sa më shpejt të jetë pjesë e gjithë mekanizmave ndërkombëtarë, si dhe të ketë edhe ulësen e vet brenda OKB-së”, tha myftiu Tërnava, për të shtuar se një falënderim i veçantë është edhe për ndihmën që populli saudit dhe shteti saudit i kanë dhënë Kosovës dhe popullit të saj gjatë dhe pas luftës.

Ndërsa, nga ana e tij, Muhamed bin Abdulkerim al Isa, sekretar i Përgjithshëm i Ligës së Botës Islame (LBI), u shpreh se Kosova në për të është vend që jep shembullin e një populli të civilizuar, si dhe tolerant në zbatimin e fesë së pastër.

“Kemi ardhur, dhe po bëjmë këtë vizitë për rritjen e bashkëpunimit mes vëllezërve tanë, si dhe për ta intensifikuar bashkëpunimin tonë në fusha të ndryshme. Sikur e dini, jemi të kënaqur që po vizitojmë një popull mysliman, e i cili është një popull mysliman modern dhe një shembull për tolerancë në këtë pjesë të botës, e që ka treguar një kulturë dhe civilizim të lartë në zbatimin e fesë së pastër. Kjo nuk është vetëm dëshmia e Ligës Islame Botërore, pra se populli shqiptar mysliman është model si duhet praktikuar dhe jetuar Islamin, si fe tolerante, por është dëshmi e gjithë botës islame, madje edhe e botës mbarë. Populli shqiptar mysliman vërtet ka dëshmuar se është një popull modern, dhe ka dhënë një shembull të mirë të bashkëjetesës dhe tolerancës mes popujve dhe besimeve”, tha Muhamed bin Abdulkerim al Isa.

Në këtë vazhdë al Isa vizitën e tij në Kosovë e vlerësoi të ngrohtë siç është një vizitë familjare dhe shumë miqësore, e ky vlerësim i tij erdhi pas ngrohtësisë së treguar në mikpritje nga ana e myftiut Tërnava dhe stafit të tij.

“Gjithë bota islame ka respekt për popullin shqiptar, pavarësisht gjitha problemeve që kanë përjetuar, sepse edhe historia ka dëshmuar se vërtet populli shqiptar mysliman nga Kosova është një popull i civilizuar, si dhe ka dëshmuar se e kanë praktikuar fenë në mënyrën më tolerante e moderne, ashtu siç duhet. Të gjithë kanë mësuar nga populli kosovar çfarë është rezistenca, patriotizmi dhe atdhedashuria, sikurse kanë mësuar edhe zbatimin e vërtetë të fesë islame”, tha mes tjerash Muhamed bin Abdulkerim al Isa. Në fund të dy liderët u pajtuan se është tejet e nevojshme të intensifikohet bashkëpunimi mes Kosovës dhe Ligës së Botës Islame.

Më pas delegacioni zhvilloi një vizitë në xhaminë “Sinan Pasha” në Prizren, ku edhe kreu faljen e namazit të drekës, për të vazhduar më pas me vizita nëpër xhami dhe vende tjera, siç janë: xhamia “Bajrakli” dhe ajo e Lidhjes së Prizrenit. Më pas delegacioni bëri një shëtitje përgjatë qytetit.
Sekretari i Ligës së Botës Islame, Muhamed bin Abdulkerim al Isa dhe delegacioni që ai kryeson janë mysafirë të Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, nën agjendën e të cilës do të qëndrojnë për disa ditë në shtetin tonë.

Gallery Wordpress
Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Myftiu Tërnava priti në takim zv/ministrin e Jashtëm të Turqisë, z. Yasin Ekrem Serim

Prishtinë, më 28 mars 2024 Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnav…