Përvoja e fituar në ShBA, do të më shërbejë jo vetëm mua por shpresoj se do t’i shërbejë edhe BIK-ut

 

Kohë më parë në kuadër të programit “Liderët Vizitorë Ndërkombëtarë”, që realizua nga ambasada amerikane në Prishtinë qëndroi për vizitë punë në ShBA kryeimami i Kosovës Sabri ef. Bajgora, i cili për 17 ditë ndoqi një program  të detaizuar për përgatitjen  e liderëve të rinj të Evropës.

Për të mësuar diç më tepër për qëndrimin e tij në ShBA ne zhvilluam një bisedë të shkurtë me kryeimamin Sabri ef. Bajgora.

 

D.I.: z. Bajgora fillimisht na thoni çfarë programi është ky dhe kush e ka iniciuar?

 

 

Kryeimami Bajgora: Në kuadër të Programit për Liderët Vizitorë Ndërkombëtarë me sponsorizim të Departamentit të Shtetit të SHBA-ve, – Zyra për edukim dhe çështje kulturore, prej datës 25 shkurt e deri më 07 mars 2008, u organizua programi “Religjioni dhe aktivitetet e komunitetit në shoqëritë demokratike”. Këtë vizitë e ka iniciuar ish-Zyra e tash Ambasada Amerikane në Prishtinë, në kuadër  të një bashkëpunimi disavjeçar në mes kësaj Ambasade dhe Bashkësisë Islame të Kosovës.

 

Në anën tjetër ishte një kënaqësi dhe privilegj i veçantë që të isha mysafiri i parë nga BIK-u që po vizitoja SHBA-të, vetëm disa ditë pas shpalljes së pavarësisë, dhe të ju them të drejtën kudo që kam hapëruar nëpër Institucionet e ndryshme amerikane, kam hasur  në urimet më të përzemërta për pavarësinë e Kosovës, për se shfrytëzoj rastin që publikisht të ju falënderohem.

 

 

 

D.I.: Sa kohë kemi qëndruar dhe në cilat institucione keni qene?

 

Kryeimami Bajgora: Siç thashë më herët për dy javë të tëra, prej datës 25 shkurt deri më 7 mars 2008, në kuadër të këtij Programi, unë si përfaqësues i Republikës së Kosovës, së bashku me 10 personalitete të njohura nga mbarë Evropa, kishim takime të veçanta në shumë Institucione me peshë në SHBA. Ndër të tjera vizitova 4 shtete Uashingtonin, New Yorkun, Texasin dhe Çikagon, dhe kudo kemi zhvilluar takime, biseda, dhe konsulta, të cilat kryesisht kishin të bënin më çështjet fetare dhe mënyrën se si është e trajtuar feja në Institucionet amerikane, natyrisht duke shkëmbyer përvojat e ngjashme me praktikat tona si në Evropën perëndimore, atë Lindore dhe në shtete e ish Jugosllavisë të Ballkanit perëndimor.

 

Përveç Selisë së State Departamentit, ku u pritëm nga Mr. Stephen Taylor, i cili është përgjegjës i Degës së këtij Departamenti për Evropë dhe Evro-Azi, kemi vizituar  shumë Institucione të tjera relevante, shoqata me influencë të madhe në SHBA, pastaj Institucione të ndryshme fetare,  islame, katolike, hebreje, protestante etj. Ndër të tjera kemi vizituar edhe Fondacionin më të njohur në botë për sondazhe “Phelps Stokes Fund”,  etj,. Gjithashtu kemi vizituar dy nga universitetet më të njohura në SHBA, atë të “Gjorgj Taunit” në Uashington dhe Universitetin e New Yorkut, ku nga rektorët e tyre u njoftuam  lidhur me aktivitete fetare të të gjitha konfesioneve, me të cilat merren studentët gjatë studimeve të tyre. Në të dyja këto Universitete të mëdha, kishte edhe xhami brenda ku studentët myslimanë kryenin ritualet e tyre islame, përfshirë edhe namazin e xhumasë.

 

 Foto

 

D.I.: Çfarë tema u trajtuan në këto aktivitete?

 

Kryeimami Bajgora: Disa nga Temat e diskutuara me nikoqirët ishin:

 

Në Uashington: “Një vështrim gjithëpërfshirës i religjionit në shoqërinë amerikane”,  dhe

 

“Qeveria Federale dhe mbrojtja e lirive fetare”, si dhe “Organizatat religjioze nacionale”

 

Në New York: “Dialogu ndëkonfesional” dhe “ Eksperiencat e emigrantëve në SHBA”

 

Në Austin (Texas): “Pjesëmarrja e Institucioneve religjioze në proceset demokratike”, dhe “Zgjedhjet në SHBA”,

 

ndërsa në Ilinois (Cikago) : “Roli i Institucioneve religjioze në ballafaqim me nevojat (kërkesat) ekonomike dhe sociale”

 

 

 

D.I.: Çfarë ka qenë struktura e vijuesve të këtij programi?

 

Kryeimami Bajgora: Në kuadër të këtij Programi, janë përfshirë 10 përfaqësues nga shtete e ndryshme të Evropës, magjistra dhe doktorë shkencash, të cilët konsiderohen si liderë të mundshëm politikë dhe religjiozë në të ardhmen ne vendet e tyre, me të cilët është debatuar e diskutuar për përvojat amerikane me religjionin, dhe mundësinë e aplikimit të këtyre përvojave pozitive në shoqëritë evropiane.

 

 

 

D.I.: A mund të na thonë çfarë keni përfituar nga qëndrimi në këtë program

 

Kryeimami Bajgora: Qëndrimi 17 ditor në SHBA, ka qenë një përvojë e mirëseardhur për mua dhe për kolegët evropianë, sepse nga afër u njohëm me eksperiencat amerikane dhe raportet e shoqërisë dhe Institucioneve amerikane në raport me fenë, duke përfshirë këtu të gjitha fetë dhe religjionet, të cilat gëzonin një liri të madhe të veprimit dhe të aktiviteteve të nduarduarshme.

 

Ndonëse kishim lexuar dhe dëgjuar për liritë e mëdha fetare në Amerikë, nuk kishim mundur të imagjinoni se vërtetë në këtë shtete demokratik, secili njeri vlen, secili njeri është botë më vete, secili njeri paraqet një visar dhe thesar të çmueshëm, sepse vetë kushtetuta e SHBA-e e mundëson një gjë të tillë qysh në nenet e para të saj.

 

Unë do të dëshirojë që edhe në Kosovë të përcillnim në mesazh shumë të qartë tek Institucionet kosovare, që të marrin mësim nga Kushtetuta e ShBA-ve, ku skajshmërisht respektohen liritë njerëzore dhe fetare të secilit njeri, pa marrë parasysh se cilës përkatësi fetare i takonin.

 

Me kolegët amerikanë, kemi diskutuar edhe për imazhin aktual të islamit në Amerikë, se çfarë duhet të bëhet për t’u përmirësuar ky imazh, sepse në fakt, myslimanët në Amerikë, janë një komunitet ende i vogël, por me një tendencë të madhe rritjeje në vitet e ardhshme, dhe ekzistojnë ende shumë paragjykime në lidhje me Islamin.

 

Ishte një konstatim i përgjithshëm se përvojat e përbashkëta në të ardhmen, në organizimin e Konferencave të përbashkëta evro-amerikane lidhur me liritë fetare, do të kontribuonin që të shkriheshin dallimet dhe divergjencat ndërkonfesionale që ekzistojnë në mes feve.

 

 D.I.: A do të filloni me realizimin e përvojë së fituar atje në Kosovë?

 

 

 

Kryeimami Bajgora: Kjo përvojë e fituar në SHBA, do të më shërbejë, jo vetëm mua personalisht, për ngritje të mëtutjeshme profesionale, por shpresoj se do t’i shërbejë edhe BIK-ut, në fillimin e implementimit të këtyre përvojave edhe brendapërbrenda komunitetit.

 

Shumë prej këtyre programeve trajnues, do të ishin të mirëseardhura edhe për imamët tanë, të cilët duhet të mësojnë për mënyrat e qasjes së tyre në publik, qasjes së tyre ndaj medieve, dhe përgjithësisht qasjes së tyre ndaj një fenomeni, me të cilin ne do të ballafaqohemi në të ardhmen, e ai është dialogu ndërfetar, ai ndërkulturor dhe ndëretnik,. Me një fjalë, nga përvoja e qëndrimit tim në SHBA, shpresoj se do të ketë rezultate konkrete në organizimin e disa seminareve, ku besoj se një ndihmesë logjistike në këtë aspekt do të na japë edhe Ambasada amerikane në Prishtinë.

 

 

 

 D.I: Z. Bajgora a keni vazhduar ti mbani lidhje qoftë me institucionet qoftë me vijuesit e kësaj programi?

 

 

 

Kryeimami Bajgora: Në fakt, lidhjet i kemi mbajtur dhe vazhdojmë t’i mbajmë në vijimësi me të gjithë pjesëmarrësit, por edhe me nikoqirët e shumë institucioneve  që na mirëpritën gjatë qëndrimit tim në SHBA. Me ta shkëmbejmë e-maila, e me disa edhe telefonata. Me një fjalë vazhdimisht jemi në kontakt, për t’u njohur me më të rejat atje dhe këtu.

 

Në fund, më lejoni që publikisht të falënderoj të gjitha ata që mundësuar një udhëtim timin në SHBA, duke filluar nga ambasadorja e SHBA-ve Tina Kajdanov, zyrtaren për marrëdhënie me publikun Laura L. Hochla si dhe z. Afërdita Krasniqin, që bënë çmos që të jem pjesë e këtyre programeve të njohura, në të cilat në të kaluarën kanë marrë pjesë personalitete që më vonë janë bërë edhe kryetarë shtetesh, kryeministra si Toni Bler, Fatmir Sejdiu, etj.

Shfaq më shumë në Intervista

Shfleto

“Misioni ynë është që sa më mirë dhe sa më drejt ta shpjegojmë fjalën e të Madhit Zot”

Intervistë ekskluzive për revistën “Dituria Islame”me Myftiun e Bashkësisë Isl…