Megjithë premtimet e shumta për njohje të reja nga vende të ndryshme të botës, që nga muaji  korrik, Kosova nuk  ka pasur njohje të reja. Si duket numri 62 do të jetë  ai që do ta pret fillimin e punës së  Gjyqit Ndërkombëtar të Drejtësisë, i cili  më 1 dhjetor  do të shqyrtojë legjitimitetin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës të iniciuar  nga qeveria serbe.

Nëse i bëhet një analizë aktivitetit të diplomacisë serbe për mos njohjen e pavarësisë së Kosovës nga vende të ndryshme të botës dhe angazhimit të diplomacisë kosovare për njohjen e kësaj pavarësie do të shohim se dallimet janë të mëdha. Në kohën kur diplomacia kosovare preferonte, që takimet e saja për lobimin e pavarësisë të  shtetit më të ri në botë t’i bënte në Nju Jork, Vjenë dhe ndonjë metropol tjetër, në nivel ambasadorësh,  ministri i  Jashtëm serb, Vuk Jeremiq, nuk pritonte që brenda një kohe të shkurt kohore të shëtiste prej një kontinenti në tjetrin, duke vizituar edhe  vendet  më të largëta të botës me qëllim të lobimit për mos njohjen e pavarësisë  së Kosovës. Këtë më së miri  e ilustron edhe artikulli i botuar ditë më parë në revistën  “Ekonomist” të Londrës, të cilin e citon e përditshmja e Beogradit “Blic” 24 tetor 2009, ku thuhet: “Ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiq, vitin që shkoi kaloi në aeroplan 700 orë, që do të thotë  përafërsisht   dy orë në dite duke udhëtuar  nëpër botë, por edhe zyrtarë të huajë të  lartë vizitojnë Beogradin”. Revista  londineze  vlerëson  diplomacinë serbe se “është  shumë  gjallë ”.  Ajo është prezentë kudo në botë, në dy javët e fundit, Beogradin e kanë vizituar katër burrështetas botëror. “Për një shtet, relativisht  të vogël ballkanik, si Serbia, ajo  po tërheq vëmendjen e shumë vendeve të botës”, vazhdon “Ekonomist”. Tërë këtë ajo po  e bënë për Kosovën, çështje për të cilën Serbia deri në një  masë të caktuar ka realizuar qëllimet e saj, por diplomacia serbe merret edhe me çështje tjera, përveç lobimit kundër shpalljes  së njëanshme të pavarësisë së Kosovës,  shton revista londineze.
Tadiqi, pohon: “Politika e jashtme serbe qëndron në katër shtylla- SHBA, Rusia, Kina, dhe BE. Por, Jeremiq  shtonë edhe dy – Lëvizjen e të Painkuadruarëve  dhe vendet fqinje”, përfundon “Ekonomist”.
Diplomacia kosovare, si dhe institucionet tjera, nuk kanë marrë me  seriozitetin  e duhur lobimin për njohjen  e pavarësisë së Kosovës. Nuk mjaftojnë kontaktet në nivel ambasadorësh për njohje, siç është rasti i  Kosovës. Mënyra  e vetme ka qenë dashur të trokasim në dyer të çdo shteti veç e veç. Kjo do të tregonte vendosmërinë dhe interesimin tonë për t’u hapur ndaj të gjitha vendeve të botës, pa e marrë parasysh se çfarë qëndrimi ka ai shtet ndaj çështjes së Kosovës. Turneu i Sami Frashrit dhe Mehmet Ali bej Vrionit i vitit 1878, nëpër vende të ndryshme të Evropës  ka qenë dashur të na shërbejë si shembull.
Ministri ynë i  jashtëm, Skender Hyseni, mburrej, se në sesionin  e fundit të Asamblesë së Përgjithshme  të OKB-së në Nju Jork brenda pak ditëve ka takuar mbi tridhjetë ambasadorë e ministra të jashtëm, por takimi në koloaret e OKB-së, nuk mund ta ketë vlerën dhe seriozitetin e një  vizite enkas  të  një vendi të caktuar për një qëllim madhor, siç është njohja e pavarësisë së shtetit të posa formuar. Njohja e një shteti të ri, në veçanti pas kundërshtimit të hapur të një anëtari të përhershëm në Këshillin e Sigurimit, siç është Rusia nuk mund të jetë pa ndikim në vendet tjera të botës, për shkak të interesave të ndërlidhura në mes  shteteve. Andaj, për ta tejkaluar këtë gjendje,  është dashur strategji, angazhim dhe mund i  veçantë. Këtë diplomacia dhe institucionet tona ka qenë dashur ta dinë më mirë se çdo kush tjetër. Këtë më së miri po  e vërteton gjendja aktuale e njohjeve të Kosovës. Krahasimi i numri të njohjeve të Kosovës, me numrin njohjeve të  ish-republikave të  ish Federatës jugosllave, nuk është me vend, sepse ato automatikisht janë anëtarësuar në OKB, në bazë të planit të Badinterit, kurse Kosova është e përjashtuar nga ky plan, për këtë edhe kemi nevojë për një numër më të madh të njohjeve.  Me këtë rast  vlen të theksohet se shumica  e njohjeve që kanë ardhur  ato ishin rezultat  i  angazhimit të miqve tanë. Ne edhe sot  e kësaj dite nuk kemi  strategji të qartë për lobim të përgatitur në bazë të rajoneve apo organizatave të shtrira nëpër kontinente të ndryshme të botës. Ashtu, siç nuk janë shfrytëzuar njohjet e deritanishme për vendosjen e lidhjeve dhe forcimin e tyre me ato vende  si dhe me shtrirjen e ndikimit tonë në ato pjesë  të botës.  

Shfaq më shumë në Shkrime

Shfleto

Argumentet për vlerën e natës së 15 të muajit shaban

Një ndër muajt e preferuar, të cilët i ka veçuar Allahu i Madhëruar dhe që i ka dhënë një …