Ballina Lajme Përfunduan garat e Kuranit në nivel të medreseve të Ballkanit

Përfunduan garat e Kuranit në nivel të medreseve të Ballkanit

Prishtinë, 22 prill 2018

Garat e Kuranit në nivel të medreseve të Ballkanit, të cilat u mbajtën nën patronazhin e kryetarit të Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, Myftiut Naim Tërnava, dhe të organizuara nga Medreseja e Mesme “Alauddin”, përfunduan sot. Gjatë këtyre ditëve në këto gara morën pjesë nxënës dhe nxënëse të medreseve të Ballkanit nga Kosova, Shqipëria, Turqia, Maqedoni, Mali i Zi, Kroacia, Bullgaria dhe Sanxhaku dhe patën rastin të shfaqin talentin dhe performancën e tyre në leximin-këndimin e Kuranit.

Kjo është gara e parë që u organizua në nivel ballkanik dhe nga të gjithë pjesëmarrësit u falënderuam BIK-u, Myftiu Tërnava dhe medreseja si nikoqire për këtë organizim kaq madhështor. Në përmbyllje të kësaj gare mori fjalën Myftiu Tërnava i cili falënderoi të gjithë pjesëmarrësit në këtë garë duke theksuar se ishte një garë e fortë dhe nuk ka asnjë humbës. Ai është shprehur i mahnitur me paraqitjen dhe leximin e këtyre nxënësve, të cilët janë argument i qartë se Islami në këto troje është i fortë dhe i qëndrueshëm dhe myslimanët kanë identitet me të cilin krenohen. Ai ka veçuar se kjo traditë do të vazhdohet edhe në vitet e tjera dhe ky është vetëm një hap i mbarë drejt afrimit dhe organizimit të përvjetshëm të garave kuranore në nivel të medreseve në Ballkan. Ai ka falënderuar drejtorin e Medresesë Jakup Çunaku dhe stafin e tij për këtë organizim shumë të mirë të garave kuranore. Ai ka falënderuar edhe për prezencën e mysafirit nga Arabia Saudite dr. Abdulaziz Muhamed Kasimi nga Organizata Botërore e Kuranit dhe Sunetit, përfaqësuesin e Dijanetit të Turqisë Omer Faruku.

Më pas, drejtori i Medresesë “Alauddin” Jakup Çunaku në fjalën e tij përmbyllëse falënderoi të gjithë pjesëmarrësit në këtë garë duke i falënderuar edhe shkollat të cilat kanë dërguar nxënësit në këtë garë kuranore duke theksuar porosinë kuranore “bashkëpunoni në punë të mira dhe të mbara..” , edhe ky organizim i sivjetmë, që llogaritet i pari i këtij lloji – niveli në historinë e Medresesë “Alauddin”, është në vazhdën e bashkëpunimit të mirë e të ndërsjellë ndërmjet medreseve të mesme të Ballkanit. Ai ka falënderuar anëtarët e komisionit vlerësues, të cilët bën një punë shumë të mirë dhe kryen me përpikëri këtë përgjegjësi.

Këto gara i nderoi me pjesëmarrje edhe imami nga Gjermania Xhelal Kaloshi, i cili gjatë këtyre ditëve performoi me këndim të Kuranit dhe të disa ilahive duke impresionuar të pranishmit.

Me fjalë përshëndetëse u paraqitën edhe dr. Abdulaziz Muhamed Kasimi nga Organizata Botërore e Kuranit dhe Sunetit, përfaqësuesi i Dijanetit nga Turqia Omer Faruku, Abdullah Al Muhibi nga Arabia Saudite, ishte kryetar i komisionit për vlerësimin e garave dhe i cili në fjalën e tij iu drejtua të pranishmëve duke shprehur falënderim për BIK-un, në krye me Myftiun Tërnava që bën një organizim kaq të mirë të këtyre garave kuranore. Ai po ashtu ka falënderuar edhe shkollat e rajonit, të cilat ofruan një shembull të shkëlqyeshëm se si duhet të kujdesemi për fjalën e Allahut.

Garuesit i vlerësoi komisioni profesional me këtë përbërje: hfz. Safet Hoxha (Kosovë), hfz. Osman Egini (Turqi), Abdullah Al Muhibi (Arabi Saudite), hfz. Shafi Osmani (Maqedoni) dhe hfz. Irfan Maliqi (Novi Pazar).

Fituesit e tri vendeve të para në nivelin e garës për lexim të lirë janë sipas kësaj radhitjeje :

Muhamet Bilal Demirel (Stamboll),
Uvejs Haxhi (Prishtinë) dhe
Ismet Selimi (Maqedoni)

Në garën për hifz në pesë xhuza fituesit janë:

Yunus Emre Yanaz (Stamboll)
Jasin Abdullai (Shkup) dhe
Mustafa Dalku ( Kosovë)

Në garën për tre xhuza fituan:

Uvejs Haxhi (Prishtinë)
Burim Amdiu ( Shkup)
Alen Bala (Shkodër)

Në garën për hifz të xhuzit të 30-të fituan:

Enes Latifi (Prishtinë)
Besar Latifoviç (Novi Pazar)
Muhamed Musa Durlu (Bulgari)

Kurse në kategorinë e vajzave në nivelin e garave për lexim të lirë, fituan:

Aisha Mekiq (Noviz Pazar)
Fatime Nitaj (Prishtinë) dhe
Anisa Xhaferi (Shkodër)

Në nivelin e garës në hifz për 5 xhuza, radhitja ishte kjo:

Edina Baçevac (Novi Pazar)
Hatixhe Kadriu (Prishtinë)
Elvira Halimi (Shkup)

Në kategorinë e garës për 3 xhuza fituan:

Medina Bardhi (Shkodër)
Maida Haliloviq (Novi Pazar)
Blerina Gashi (Prishtinë).

Ndërsa në nivelin e garës hifz në xhuzin e 30-të, u renditën kështu:

1. Aisha Mekiq (Novi Pazar)

Arta Asllani (Prishtinë) dhe
Selma Asani (Shkup)

Në fund iu dhanë mirënjohje dhe fletëfalënderime përfaqësuesve të medreseve pjesëmarrëse, anëtarëve të komisonit vlerësues, si dhe shpërblimet fituesve të këtyre garave.

Krejt në fund, për pjesëmarrësit e kësaj gare u organizua të vizitojnë varrezat në Kompleksin Përkujtimor “Adem Jashari” në Prekaz dhe qytetin e Prizrenit.

Shfaq më shumë artikuj të ngjashëm
Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Myftiu Tërnava priti në takim ambasadoren e Turqisë Kivilcim Kiliç

Prishtinë, 18 tetor 2018 Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava prit…