Ballina Lajme Në Gjilan u mbajt simpoziumi shkencor kushtuar jetës dhe veprës së figurës së Mulla Idriz Gjilanit

Në Gjilan u mbajt simpoziumi shkencor kushtuar jetës dhe veprës së figurës së Mulla Idriz Gjilanit

Gjilan, 15 qershor 2019
Organizuar nga Këshilli i Bashkësisë Islame në bashkëpunim me Shoqatën e Historianëve “Ali Hadri”, në Gjilan është mbajtur simpozium shkencor kushtuar jetës dhe veprës së figurës fetare dhe kombëtare, Mulla Idriz Gjilanit në 70-vjetorin e rënies, aktivitet ky që u është bashkëngjitur dhjetëra të tjerave në kuadër të shënimit të 20-vjetorit të çlirimit të Gjilanit. Morën pjesë më shumë se 20 referues nga të gjitha trojet shqiptare.
Në këtë ngjarje ka marrë pjesë kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava,kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, kryetari i KBI-së së Gjilanit, Naim Aliu, historianë dhe përfaqësues politikë e institucionalë të tjerë.
Në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve, Myftiu Naim Tërnava theksoi: „Mulla Idriz Gjilani tërë jetën ia kushtoi edukimit, arsimimit dhe përparimit të popullit të tij, si dhe organizimit dhe mbrojtjes së vendit të tij deri në flijim. Ideali për lirinë e vendit tonë nuk u shua asnjëherë. Ky ideal u bart brez pas brezi dhe falë angazhimit të bijve dhe bijave tona, falë ndihmës së miqve tanë ndërkombëtarë, qe dy dekada ne jemi të lirë. Është rast i mirë që të shpalosen vlera, figura dhe sakrifica sublime e hoxhës, myftiut, edukatorit, patriotit, prindit e familjarit, Mulla Idriz Gjilanit, i cili tërë jetën ia kushtoi edukimit, arsimimit dhe përparimit të popullit të tij, si dhe organizimit dhe mbrojtjes së vendit të tij deri në flijim…”
Ndërkaq, kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri ka rikonfirmuar se më 28 nëntor figura e Mulla Idriz Gjilanit do të skalitet në bronz në një vend meritor në qendër të Gjilanit. “Mulla Idriz Gjilani u kryengrit në kohët më të vështira dhe mbiemrin e tij ia la historia. Në Luftën e Dytë Botërore, kur iu mohua Atdheu dhe Zoti, ai e la familjen e tij dhe u kryengrit. Mohimi i atdheut për të ishte mohim i gjithçkaje dhe natyrisht edhe misioni i tij prej predikuesi të fjalëve të Zotit u bë shembulli se si duhet të bësh kryengritje. Në histori, ai e la thirrjen më të madhe të luftëtarëve të Karadakut: në emër të Zotit e Atdheut”, – tha Haziri.
Një fjalë përshëndetëse në këtë ngjarje e ka pasur edhe kryetari i KBI-së së Gjilanit, Naim ef. Aliu, i cili tha se Mulla Idriz Gjilani flijoi veten duke u bërë kurban për të mos vdekur kurrë.
Isa Mulla Idrizi, i biri i Mulla Idriz Gjilanit, ka evokuar kujtime për babanë e tij, duke thënë se kjo është ditë e madhe për pasardhësit e Idriz Gjilanit, ditë rilindjeje, ditë e kujtimit të jetës dhe veprës së këtij atdhetari.
Kumtesat e tyre në simpozium i lexuan: Farush Rexhepi, Qerim Lita, Ilir Zylfiu, Fitim Rifati, Naim Musliu, Ramadan Shkodra, Arbër Berisha, Detor Berisha, Jeton Idrizi, Enis Abazi, Besnik Kurteshi, Nexhmedin Sejdiu, Veli Kryeziu, Merita Veseli, Enver Sadiku, Zaim Zymeri, Blerim Haziri, Hasan Bello, Avni Maliqi, Sadik Mehmeti dhe Ilir Vokshi.

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Myftiu Tërnava priti në takim shefin e Task-Forcës kundër përdorimit të narkotikëve dhe për sigurinë në shkolla, z. Avdullah Hasanin

Sot, ditë e enjte, më 18.07.2019, kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tër…