Ballina Lajme Myftiu Tërnava mori pjesë në manifestimin kulturor kushtuar Israsë dhe Miraxhit

Myftiu Tërnava mori pjesë në manifestimin kulturor kushtuar Israsë dhe Miraxhit

Prishtinë, 7 prill 2018

Në vigjilje të ndodhisë së Israsë dhe Miraxhit, Këshilli i Bashkësisë Islame në Mitrovicë, organizoi program kulturo-artistik për nder të kësaj ngjarjeje.

Programi u mbajt në qendrën e kulturës “Rexhep Mitrovica”. Në këtë eveniment mori pjesë edhe kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava, i shoqëruar nga një pjesë e kabinetit të Kryesisë. Programin e hapi imami Kastriot Behrami me leximin e ajeteve nga Kurani i Madhërishëm.

Në fjalimin e tij, Myftiu Tërnava duke iu drejtuar të pranishmëve tha se ky takim e ka mesazhin e unitetit, solidaritetit, mirëkuptimit, paqes e të harmonisë në mes të gjithë neve duke e ruajtur bërthamën e Islamit. Myftiu porositi që të ruajmë unitetin dhe ketë trashëgimi me vlerë kaq të madhe që kemi dhe që të jemi të gjithë një. Ai uroi për muajt e mëdhenj në të cilët kemi hyrë dhe për ardhjen e muajit të bekuar të Ramazanit, i cili është në prag, porositi që gjatë kësaj kohe të lexojmë edhe me shumë Kuran dhe të bëjmë edhe më shumë punë të mira në mënyrë që kur të vijë Ramazani të jemi të përgatitur me punë dhe vepra të mira e ta presim këtë begati, e cila është karakteristikë e vetëm ymetit të Muhamedit a.s. Kryesia e Bashkësisë Islame përkundër vështirësive të mëdha me të cilat është ballafaquar dhe po ballafaqohet edhe në aspektin ekonomik, prapëseprapë ka arritur falë ndihmës së besimtarëve që të mbijetojë dhe të zhvillojë aktivitetin e vet në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Ai poashtu porositi të pranishmit që të vazhdojnë të kultivojnë frymën tradicionale të fesë, të trashëguar brez pas brezit deri në ditët tona duke ruajtur frymën e tolerancës dhe mirëkuptimit ndërmjet të gjithë qytetarëve të shtetit tonë pa marrë parasysh besimin dhe etninë të cilave ata u takojnë. Duke vënë në dukje se Allahu i Madhërishëm na ka ftuar që ta përhapim paqen dhe t’i ftojmë edhe njerëzit që ta përqafojnë atë.

Poashtu Myftiu u ndal edhe në këshillim edhe të nëpunësve fetarë imamëve që të ruajnë dhe kultivojnë frymën e unitetit mes vete dhe xhematit duke pasur parasysh se BIRK-u në asnjë mënyrë nuk do të tolerojë që dikush të prishë harmoninë dhe unitetin tonë, sepse Allahu i Madhërishëm na ka mësuar që vetëm të bashkuar dhe unikë mund të arrijmë suksese, duke pasur parasysh se, derisa te tjerët po mundohen që në mesin e popullit tonë të mbjellin antivlera, ne duhet që në popullin tonë të kthejmë vlerat morale dhe njerëzore duke respektuar gjithmonë parimin e lirisë së besimit dhe shprehjes si kushte themelore të të drejtave të njeriut.

Kryeimami i Këshillit që po moderonte programin, Rexhep Lushta, shpalosi aktivitetet që janë realizuar dhe ato që janë ne realizim e sipër në periudhën 2016-2018, duke veçuar funksionalizimin e kuzhinës popullore në menaxhim të KBI-së në Mitrovicë, në të cilën çdo ditë ushqehen afro 300 persona, pastaj ndihmat humanitare të shpërndara për nevojtarët në bashkëpunim me shoqatën humanitare “Bereqeti”, si dhe ndërtimin dhe meremetimin e xhamive ne qytetin e Mitrovicës, numri i të cilave arrin në 24 nga 17 sa kishte më parë.

Një fjalë rasti mbajti edhe Kryetari i KBI-së në Mitrovicë, Burim ef. Veliu, i cili mori fjalën përshëndetëse duke përshëndetur Myftiun e BIK-ut Naim Tërnava dhe kabinetin e tij që e shoqëronte, si dhe falënderoi Nderin e Kombit Mirush Kabashi, i cili enkas për këtë event erdhi në qytetin e Mitrovicës dhe me me performimin e tij ngriti në këmbë publikun me poezinë “U nda hëna”

Myftiu falënderoi KBI-në në Mitrovicë për punët që i ka bërë dhe po vazhdon që t’i bëjë.

Nxënësit e Medresesë së Mesme Alauddin në Prishtinë i dhanë një gjallëri këtij programi. Me zërin e tyre të bukur u paraqitën performuan disa ilahi, të cilat u mirëpriten nga publiku.

Në këtë takim u promovua edhe hafizi i ri nga Mitrovica, Abdurrahman Rama, i cili vijon mësimet në vitin e 3-të në medrese dhe i cili për dy vjet arriti që në medrese ta përfundojë memorizimin e Kuranit të Madhëruar. Me këtë rast KBI-ja e Mitrovicës i dha mirënjohje.

Ndërsa nxënësit e Medresesë së Mesme “Alauddin” të Prishtinës u paraqitën me program kulturo-artistik.

Shfaq më shumë artikuj të ngjashëm
Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Myftiu Tërnava priti në takim ambasadoren e Turqisë Kivilcim Kiliç

Prishtinë, 18 tetor 2018 Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava prit…