Prishtinë, 16 shkurt 2016

Me rastin e dhjetëvjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës, Myftiu Naim Tërnava mbajti hytbenë e xhumasë në Xhaminë e Madhe në Prishtinë “Sulltan Mehmet Fatih” dhe iu drejtua xhematit me mesazhin e pavarësisë. Gjatë hytbesë, Myftiu falënderoi edhe mysafirin nga Turqia ish-kryeministrin dhe ish-ministrin e jashtëm të Turqisë z. Ahmet Davutogllu, i cili për nder të Ditës së Pavarësisë ka ardhur në Kosovë për të ndarë ndjenjat dhe të na bashkëngjitet në këtë festë të madhe me rastin e dhjetëvjetorit të pavarësisë së Kosovës. Ky personalitet i ka dhënë mbështetje të fuqishme njohjes së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Kjo datë duhet të na shërbejë si falënderim, në radhë të parë ndaj Krijuesit Fuqiplotë, pastaj edhe ndaj të gjithë atyre që, në një formë ose tjetër na ndihmuan në jetësimin e këtij ideali të kamotshëm. Ai tha se pavarësia e Kosovës ishte një proces shumë i gjatë dhe i vonuar, por që më në fund fatmirësisht u realizua dhe kështu u vu në vend një e drejtë e mohuar pothuajse shekullore.“Për këtë kauzë dhe të drejtë për të mbrojtur vendin ishin përfshirë shumë njerëz. Pjesë e lëvizjes së madhe popullore për lirinë e Kosovës ishte edhe institucioni i Bashkësisë Islame të Kosovës, përfshirë këtu nxënësit dhe studentët tanë, madje një numër i tyre dhanë jetën në luftën për lirinë e vendit”,-tha Myftiu Tërnava.

Ai më tutje në këtë mesazh tha se populli ynë u angazhua për të realizuar të drejtën për të jetuar të lirë dhe në fund me ndihmën e Zotit u realizua me fitore dhe shtet të pavarur. Për këtë arritje ka qenë i angazhuar dhe BIK-u që nga vitet e nëntëdhjeta. Dhjetë vjet shtet nuk janë shumë edhe pse sfidat janë të mëdha. Kujtojmë me epitet të gjithë ata që dhanë jetën për lirinë.

Në mesazhin e tij Myftiu Tërnava po ashtu ka shprehur falënderime për SHBA-në,Turqinë dhe shtetet evropiane të cilat ndihmuan dhe përkrahën Kosovën në momentet më të vështira. Ai gjithashtu ka potencuar se brezat e tashëm në vend kanë për obligim që të çojnë Kosovën për të kontribuar në shtetndërtim në mënyrë që Kosova të bëhet shtet më me perspektivë.

Myftiu në fund u lut që paqja dhe harmonia të mbizotërojnë mes njerëzve dhe Zoti të begatojë dhe të ruajë Kosovën nga të gjitha telashet dhe të këqijat.

Gallery Wordpress

Më pas, Myftiu i Republikës së Kosovës Naim Tërnava prit në takim Ahmet Davutogllun në selinë e Kryesisë së BIRK-ut. Pas mirëseardhjes, Myftiu Tërnava falënderoi Davutogllun për këtë vizitë duke theksuar se pavarësia është arritur falë miqve tanë ndërkombëtarë, edhe Turqia dhe qeveria e saj kanë dhënë kontribut për pavarësinë e vendit. Nga ana e tij, ish-kryeministri dhe ish-ministri i jashtëm iTurqisë z. Ahmet Davutogllu uroi Myftiun Tërnava dhe popullin e Kosovës për pavarësinë e Kosovës dhe theksoi se populli dhe qeveria turke edhe më do të angazhohet për ndihmën dhe përkrahjen e Kosovës, si dhe për integrimin e mëtejmë të saj në mekanizmat rajonalë dhe ndërkombëtarë.

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Drejtori Simnica priti në takim kryetarin e Xhamisë Shqiptare në Neumarkt të Gjermanisë, z. Naser Gashin

Prishtinë, më 19 prill 2024 Drejtori i Diasporës në Kryesinë e Bashkësisë Islame të Kosovë…