Prishtinë, 17 qershor 2015
Të nderuar vëllezër e motra besimtarë!
Nesër, e enjte, më 18 qershor 2015, është dita e parë e agjërimit të muajit të madhërishëm Ramazan. Muajit që Allahu e nderoi me zbritjen e Kuranit, muajit të sakrificës, solidaritetit, humanitetit, drejtësisë e barazisë mes njerëzve.

Të gjithë besimtarët i gëzohen atmosferës së re të agjërimit, të adhurimit e lutjeve, mëshirës e pendimit. Pra, është ky muaj kur shpirtërisht përjetojmë të mirat që ngërthen agjërimi i Ramazanit. Kjo forcë morale e shpirtërore e agjërimit motivon njeriun në respekt e dashuri edhe më të madhe ndaj Zotit dhe njerëzve në përgjithësi, ngase kjo disiplinë morale hap zemrat e besimtarëve që të pranojnë porositë e Ramazanit, e të cilat trokasin thellë në ndërgjegjen e çdo besimtari, duke rizgjuar ndjenjën për vepra të mira dhe largim nga veprat e liga, pastaj formon personalitetin dhe karakterin e tij të pathyeshëm për bamirësi, sinqeritet, ndihmë ndaj jetimëve, të varfërve dhe të gjithë atyre që janë në nevojë.
Duke pasur bindjen e thellë se agjërimi e shtyn besimtarin që të përkujtojë edhe më shumë çastet e kërkimit të llogarisë ndaj vetvetes në raport me Zotin Krijues, dashurisë së sinqertë ndaj Zotit, ai edhe e frymëzon atë me një kuptim kreativ të shpresës dhe shikimit optimist ndaj jetës.
Agjërimi e pajis besimtarin me një virtyt të çiltër, me një vetëdije vigjilente dhe të shëndoshë, me durim e zemërgjerësi, me moral e edukatë të fortë. I mëson njeriut frymën e unitetit dhe vëllazërisë mes njerëzve, duke përgatitur një shoqëri solidarizuese, ku mbretëron dashuria, respekti e siguria.
Agjërimi thërret në solidaritet në mes njerëzve, është kundër çdo fanatizmi e krimi; s’ka pikë dyshimi se injoranca, keqkuptimi, zemra e prishur e bën njeriun armë për trazira, ndaj bota edhe në të kaluarën, por edhe sot, u dëmtua keq nga këto dukuri destruktive. Duhet ditur se njerëzit, nëse nuk i bashkon e vërteta, do t’i përçajë e pavërteta, nëse nuk i bashkon adhurimi i Zotit, do t’i copëtojë adhurimi i djallit.
Të nderuar vëllezër e motra!
S’ka dyshim se ky muaj është muaj i Kuranit, ku ne mbështesim konceptet e moralit, dashurisë e mirësisë, përkushtimit, sakrificës e paqes.
Allahu xh. sh. thotë:
Muaji Ramazan, që në të (filloi të) shpallet Kurani, është udhërrëfyes për njerëz, sqarues i rrugës së drejtë, dhe dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra). E kush prej jush e përjeton këtë muaj, le ta agjërojë!” (El-Bekare, 185).
Prandaj, le të jetë ky muaj stimulim për zemrat dhe shpirtrat tanë për përkushtim dhe forcim të besimit në Zotin! E ky përkushtim le të na shërbejë si rast i shtrirjes së dorës së ndihmës për të gjithë ata që kanë nevojë, pra le të tregojmë solidaritetin dhe mirëkuptimin, dashurinë dhe mëshirën, sidomos ndaj fëmijëve jetimë e skamnorë, të cilët pa fajin e tyre kanë humbur shpresën për një jetë më të mirë.
Pra, Ramazani është rasti më i mirë që t’i kthehemi Krijuesit, për ta kuptuar sa më mirë misionin tonë në tokë, për t’i dhënë domethënie jetës që na e dhuroi i Madhi Zot, ndërsa Islami është udhëzim hyjnor që e shoqëron njeriun gjatë gjithë jetës së tij. Kjo arrihet atëherë kur zemrën dhe shpirtin tonë ta kemi pastruar nga veprat e liga, dhe të jemi të gatshëm që porositë e Zotit dhe Muhamedit a. s. t’i zbatojmë ashtu siç duhet.
Duke rikujtuar thënien e Muhamedit (paqja dhe mëshira e Zotit qofshin mbi të!) i cili thotë: “Ai që agjëron Ramazanin me bindje, sinqeritet e përkushtim të plotë, do t’i falen mëkatet e tij të mëhershme”.
Kam kënaqësinë që në emër të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, institucioneve të saj, si dhe në emrin tim personal, t’ju uroj këtë muaj të agjërimit gjithë besimtarëve islamë, në Kosovë dhe jashtë saj, por edhe gjithë vëllezërve e motrave tona që përkohësisht janë jashtë atdheut.
Urime muaji i bekuar Ramazan!

Myftiu i Kosovës
Naim ef. Tërnava

Shfaq më shumë në Fjalime

Shfleto

Fjala e Myftiut Naim ef. Tërnava në promovimin e tri veprave të tij

I nderuari reis i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut, Shaqir ef. Fetahu, I n…