Prishtinë, 5 korrik 2016
Si tradicionalisht, pas përfundimit të muajit të Ramazanit, më 4 korrik 2016, në të gjitha xhamitë e Republikës së Kosovës, si në tërë botën ku jetojnë myslimanët, me gëzim e hare u kremtu përfundimi i muajit të agjërimit – Ramazanit sherif, duke falur namazin e Fitër Bajramit. Manifestimi qendror kushtuar festës së Fitër Bajramit për Kosovë u mbajt në xhaminë “Sulltan Mehmet – Fatih” në Prishtin, ndërsa nisi me faljen e namazit të sabahut, të cilit i priu Vedat ef. Sahiti. Pas namazit të sabahut për besimtarët u dha një program me ilaçi, kaside e këndim Kurani, ndërsa ligjëratën tematike kushtuar festës së Fitër Bajramit e mbajti Sulejman ef. Fejzullahu, i cili përveç tjerash tha se dita e Fitër Bajramit është ditë e festimit, gëzimit dhe paqes, mirëkuptimit, tolerancës dhe solidaritetit me njeri-tjetrin.

Ai më tutje vuri në dukje se sot besimtari ka fituar hyrjen në xhenet, nga një derë e cila është speciale-Rejanit, për të cilën Muhamedi a.s. ka thënë se për atë derë do të hyjnë të gjithë agjëruesit . Po ashtu sot besimtari duhet të gëzohet se është i falur nga mëkatet. “Ramazani na pajisi e pasuroi me disa cilësi që duhet t’i ketë çdo besimtar, si: durimi, solidariteti , humaniteti dhe të gjitha cilësitë e mira. Kjo nisi që në momentin kur ne u solidarizuam dhe dhamë sadekatul fitrin, që është pastrim i agjërimit dhe njëkohësisht edhe ushqim për ata që kanë nevojë”, tha Sulejman ef. Fejzullahu. Ai më tutje ka veçuar se festa e Bajramit është një rast i mirë, e që patjetër duhet shfrytëzohet, sidomos për përmirësimin e marrëdhënieve familjare dhe shoqërore; t’i zgjatet dora dhe të falet edhe ai që na ka dëmtuar. “Është pyetur Muhamedi a.s. se cilët njerëz janë më të mirët? Ka thënë: “Çdo zemër e devotshme që nuk ka gjynahe, xhelozi, mashtrime dhe asnjë të keqe.”
Namazit të Fitër Bajramit i priu Sabri ef. Bajgora-kryeimam i Republikës së Kosovës, ndërsa hytben e Bajramit e mbajti Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, i cili edhe iu drejtua opinionit të gjerë me mesazhin për këtë festë.
“Sot, në këtë ditë gëzimi e hareje, bota mbarë me të drejtë po e feston ditën e Fitër Bajramit. Festë e cila vërehet në fytyrat e të gjithë atyre që me bindje, vullnet, devotshmëri e sakrificë një muaj të plotë ishin edhe më shumë se muajt e tjerë në adhurim ndaj Krijuesit të këtij universi. Përmes agjërimit dhe adhurimeve të shumta, përmes iftareve të shtruara nga njerëz të vullnetit të mirë, namazeve e adhurimeve tjera, besimtarët shprehën devotshmërinë dhe gatishmërinë për të treguar edhe njëherë se i qëndrojmë besnik fjalës së Allahut xh.sh., e me këtë i shtuan edhe më shumë vlerën, bukurinë dhe hijeshinë këtij muaji të bekuar Ramazan- muajit të Kuranit.
Sikur të gjithë ishim nisur në një rrugë, në një qëllim, në një pistë të njëjtë, se kush më shumë po përfiton nga të mirat e këtij muaji, se kush më shumë do të marrë nga begatit e të Madhit Zot, të cilat i ka premtuar se gjenden në muajin e shenjët e të bekuar Ramazan. Prandaj, të shtyrë nga kjo ndjenjë, e të motivuar nga fuqia e besimit, bashkërisht u gjendëm nëpër xhami, ligjërata, tribuna, programe televizive me përmbajtje fetare, me skamnorët e jetimët, njerëzit në nevojë, që sadopak të begatojmë sofrat e tyre për iftar e syfyr, dhe të forcojmë ndjenjën e besimit dhe përkushtimit ndaj Zotit Krijues. Në këtë drejtim, thirrjes sonë në fillim të këtij muaji, pra që të ndihmohen të varfrit, skamnorët dhe njerëzit në nevojë, në mënyrën më të mirë iu përgjigjën edhe disa nga bizneset e Kosovës, për çka unë në këtë ditë të Bajramit i falënderoi, sepse me ndihmën e tyre vetëm përmes Bashkësisë Islame u ndihmuan mbi 15 mijë familje. Vepra e tyre tregon se ky popull e këta besimtarë kanë zemër të madhe, kanë dëshirë e vullnet për të ndihmuar, dhe se nuk kursejnë asgjë nëse ata e fitojnë besimin aty ku e japin pasurinë e tyre”, tha ndër të tjera myftiu Tërnava.
Myftiu Tërnava, duke folur për sigurinë, paqen e tolerancën, si dhe marrjen e masave kundër ekstremizmit, gjithashtu u shpreh: “Përkundër këtyre porosive, po e shohim se në botë nëpër shumë shtete është zbehur siguria, ka humbur ndjenja e vëllazërisë dhe respektit mes njerëzve; se shumë të pafajshëm, fëmijë e të shtyrë në moshë, vriten e dhunohen pa kurrfarë mëshire; nëpër vatra të luftës nuk respektohet kodi i të qenit njeri; shumë njerëz nëpër vende të ndryshme të botës janë viktima të njerëzve pa ndjenja njerëzore, njerëzve kriminelë, që përmes akteve të tyre tororiste po vrasin të pafajshëm nëpër qendra tregtare, nëpër sheshe, restorante aeroporte, e ku jo! Edhe një herë, sot në këtë ditë gëzimi e hareje, ju ftoj të gjithëve që të jepni kontribut për paqe, tolerancë, harmoni dhe mirëbesim. Ngase ky është edhe mesazhi i Fitër Bajramit. Rasti i fundit në Stamboll është rasti më i freskët për të parë se çfarë mund të bëjë krimineli, rast ky ku pësuan shumë njerëz të pafajshëm. Këto tmerre që po i përjetojmë janë akte barbare larg çdo dashurie, respekti e tolerance, për të cilat ka urdhëruar Allahu në Kuran. Islami është i pastër nga këto akte kriminale e barbare, dhe lufton çdo gjë që shkon në dëm të njerëzimit. Islami është kundër vrasjeve, dhe kundër çdo terrori të çfarëdo natyre qoftë.
Kjo që po ndodh nëpër botë, kinse në emër të fesë islame, assesi nuk ka të bëjë asgjë me Islamin. Islami nuk urdhëron në dhunë, por në paqe e harmoni, në solidaritet e jetë të përbashkët, ngase kështu na mëson Kurani, dhe kështu na mëson Muhamedi a.s. Trojet tona etnike shqiptare duhet t’i ruajmë si sytë e ballit. Kosovën tonë, për të cilën u sakrifikuan breza të tërë, për të cilën u derdh gjak i shumtë dhe ranë shumë dëshmorë që ne sot të jemi të lirë”, theksoi myftiu Tërnava.
Edhe duanë e namazit të Fitër Bajramit e bëri myftiu Tërnava, pas së cilës uroi të gjithë besimtarët.{gallery}ftrbjrm16{/gallery}

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Myftiu Tërnava u prit në takim nga sekretari gjeneral i Ligës së Botës Islame RABITA, dr. Muhamed Abdulkerim al Isa

Prishtinë, më 23 prill 2024 Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërna…