27.04.2014, Prizren
Me rastin e përkujtimit të ditëlindjes së Pejgamberit a.s., Bashkësia Islame e Turqisë, gjegjësisht atasheu për çështje fetare pranë Ambasadës së Republikës së Turqisë në Prishtinë, z. Abdullah Vasfi Juxhe, në koordinim me Kryesinë e Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, organizuan manifestimin kulturo-artistik me pjesë nga Kur’ani, ilahi, recitime, skeçe dhe ligjëratë me temë:”Pejgamberi a.s., feja dhe sinqeriteti”, ligjëruar nga Nexhmetin Nursaçan (ish zv.kryetar i Dijanetit të Republikës së Turqisë).

Në emër të Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, të pranishmëve në këtë manifestim, me një fjalë përshëndetëse iu drejtua edhe Myftiu, Naim ef. Tërnava:”Të nderuara motra dhe vëllëzër, më lejoni që në emër të BIK, të gjithëve t’ju përshëndes me es selamu alejkum, duke e lutur Allahun xh.sh. për mëshirë, rahmet dhe  mirëqenie mbi të gjitha familjet tona dhe të njerëzimit mbarë. Marrdhëniet e shkëlqyera me popullin vëlla turk, në veçanti me Dijanetin turk, po reflektohen edhe sot në këtë manifestim që po e mbajmë me rastin e ditëlindjes së Resulullahit. Ndaj është shumë njerëzore dhe shumë islame që ne t’i falenderojmë vëllëzërit turq për ndihmën e ofruar gjatë luftës së fundit në Kosovë, pas luftës dhe tani në vazhdimësi. Jemi tubuar, me një pretekst të veçantë, të privilegjuar nga Allahu xh.sh., për të përkujtuar dhe rikujtuar edhe njëherë krijesën më të dashur që Allahu i dhuroi njerëzimit mbarë, por jo vetëm njerëzimit, por tërë universit, e ai është Muhamedi, paqeja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të. Ndaj, urime ditëlindja e tij, të gjithë muslimanëve anë e kënd botës, ngase nuk ka vend në këtë rruzull ku emri i Muhamedit a.s. nuk përmendet në vazhdimësi, sepse për këtë garantoi i Madhi Zot xh.sh. përmes dërgimit të të gjithë pejgamberëve të Tij, dërgimit të librave të shenjtë. Pejgamberët e Zotit ishin ata që lajmëruan se do të vijë Muhamed Mustafaja. Allahu xh.sh për ardhjen e kësaj krijese më të dashur lajmëroi edhe nëpërmes gjuhës së Isait a.s., i cili i tha popullit të tij, se, ju lajmëroj, se pas meje do të vijë një pejgamber, emri i të cilit do të jetë Muhamed. Lajmëruan dhe iu gëzuan të gjithë ardhjes së tij, njeriut i cili bëri kthesën më të madhe në historinë njerëzore. Njeriu prej të cilit reflektoi drita anë e kënd universit, anë e kënd globit, anë e kënd kësaj bote. Muhamedi a.s. përmes Kur’anit që morri nga i madhi Allah, kumtimit të tij, komunikimit të tij tek shokët e tij, bëri që të ndërroj njëherë e përgjithmonë historia njerëzore mbi sipërfaqen e Tokës, të largohen njerëzit nga idhuj adhurimet, të largohen nga besimet në shumë zotëra. Ndaj, të nderuar të pranishëm, ne jemi me fat që jemi ummeti i Muhamed Mustafasë Jemi ndër ymetet më të mira që Allahu xh.sh. krijoi ndonjëherë në sipërfaqën e tokës. Dhe kjo ndodh vetëm pse ne morrëm mësimet e Muhamedit a.s., dhe sot pas 1435 vitesh e kujtojmë edhe në këtë vend figurën e tij të ndritur, në këtë vend i cili përjetoi shumë të këqija, përjetoi vrasje, maltretime, burgosje, dëbime nga votrat tona, sepse të tjerët menduan se këto troje mund t’i pastrojnë nga të përmendurit e emrit Muhamed. Këtë emër i cili flen qetësisht në zemrat, mendjet dhe shpirtërat tanë, ngase Allahu e kaliti atë në zemrën dhe mendjen tonë. Ndaj nuk është asnjëherë e rastësishme kur Allahu xh.sh. thotë: O Muhamed, emri yt, pavarësisht se kush do të sundojë në këtë dynja, emri yt gjithherë do të përmendet, ngase emri yt është ngritur lartë, emri yt depërton edhe në shtatë palë qiej, emri yt depërton edhe në brendësinë e tokës, emri yt nuk ndalet së përmenduri asnjëherë se për këtë ka garantuar Allahu xh.sh.
Myftiu më tej bëri thirrje që zakonet dhe traditat tona  të mos i lëmë pasdore, ngase pjesa dërmuese e tyre janë të mira. Nuk ka ditë më të gëzuar në këtë dynja se sa të kujtojmë lindjen dhe ardhjen e njeriut më të dashur në këtë tokë. Të mos lejojmë asnjëherë, me asnjë çmim, në asnjë kohë, depërtimin e idesë që ne të harrojme emrin Muhamed, që ne të harrojmë mevludin, e ta zëvendësojmë me festime të netëve të shtrigave,  me festa të Shën Valentinit, me ditë të vdekurve e me festa që nuk përkojnë as me fenë  e as me traditën tonë të pastër shqiptare.
Myftiu bëri thirrje që besimatërt të ngriten nga gjumi, me energji të reja, të marrin mbi supet e tyre barrën e të madhit Zot, dhe ta shpërndajnë atë tek të gjithë ata që kanë mundësi. “Ju thërras nga thellësia e shpirtit dhe zemrës, që asnjëherë të mos harrojmë porositë e Allahut dhe të resulullahit, sepse bashkarisht do t’i arrijmë të gjitha qëllimet. Rrugën të cilën e kemi nisur, nuk forcë e as fuqi që mund ta ndalë, sepse feja jonë urdhëron vetëm në bëmirësi, në humanitet, në sinqeritet, në drejtësi, në tolerancë ndërfetare, në respekt ndërfetar. T’i shtrijmë dorën e bashkëpunimit gjithkujt, ne nuk i dëshirojmë asnjë të keqe askujt. Asnjëherë. Ne jemi njerëz që e përqafojmë paqen, sepse një nga 99 emrat e Allahut është PAQE, ndaj feja jonë quhet islam që do të thotë paqe. Asgjë Islami nuk ka të bëjë as me terrorizëm, as me radikalizëm, as me fundamentalizëm. Këto janë shprehje antiislame dhe nuk gjejnë vend asnjëherë në brendësinë e dy kopertinave dhe kornizave të Kur’anit famëlartë.
Të shpërndjamë paqe, lumturi, harmoni mes vete, të largohemi nga të gjitha veset e liga e të këqija për hatër më të madhit njeri, që po rikujtojmë ditëlindjen e tij. “Dhe nuk të dërguam për tjetër vetëm se mëshirë për botërat”. Ti çojmë salavate dhe selame Muhamedit a.s., njeriut më të dashur, njeriut që solli mirësinë, shpëtimin dhe garantoi ardhmërinë e sigurt pë rata që e besojnë Allahun në këtë botë.
Ju motra e nëna të pranishme, mos harroni asnjëherë traditat dhe zakonet që i kemi pasur. Po iu drejtohem juve sepse nënat tona janë ato që kanë bartur barrën e vërtetë në edukimin e fëmijëve par burrave dhe djemve, janë ato të cilat me xhelozinë positive kanë ruajtur prezencën e islamit në shtëpitë tona”, përfundoi fjalimin Myftiu.
Me fjalime përshëndetëse para të pranishmëve u paraqitën edhe: Atasheu për Çështje fetare pranë Ambasadës së Turqisë në Prishtinë, Abdullah Vasfi Juxhe, Kryetari i Këshillit të BI në Prizren, Lutfi ef. Ballëk dhe Ambasadorja e Republikës së Turqisë në Prishtinë, znj. Songyl Ozan.

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Hytbeja e Myftiut të Kosovës, Naim ef. Tërnava, e mbajtur me rastin e festës së Fitër Bajramit

Familja Sot është ditë feste, ditë gëzimi, ditë mëshire e shpërblimi, ngase të gjitha adhu…