Ballina Shkrime Pse katër shkollat juridike (Medhhebet)?

Pse katër shkollat juridike (Medhhebet)?

Mufti Muhammed Teki Usmani
Nga këtu lind pyetja: Nëse të pasuarit e një mux­htehidi të posaçëm është i domosdoshëm, pse të ekzistojë nevoja e kufizimit të taklidit vetëm në katër shkolla jurudike? Imamë dhe muxhtehidë të shumtë të mëdhenj i kanë mbushur faqet e historisë sko­laristike islame sikurse janë: Sufjan Theuri, Imam Evza’i, Abdullah ibn Mubareku, Is‘hak ibn Rahvejh, Imam Bu­hariu, Ibn Ebi Lejla, Ibn Sibrimeh, Hasan ibn Salihu e shumë të tjerë.

A nuk janë të gjithë muxhtehidët të kuali­fikuar në mënyrë të barabartë që të pasohen? Një pohim i tillë në parim është valid, mirëpo efektivisht nuk është i mundur. Shkollat juridike të muxhtehidëve të përmen­dur më lart nuk janë të dokumentuara sistematikisht. Po të ishin kodifikuar dhe strukturuar zyrtarisht shkol­lat e tyre, ngjashëm me katër shkollat e mëdha juridike, atëherë nuk do të kishte pengesë që edhe ato të paso­heshin. Fatkeqësisht, shkollat e tyre nuk ekzistojnë zyr­tarisht, e as burimet origjinale të këtyre shkollave nuk kanë mbijetuar. Prandaj, pasimi i shkollave të tilla do të sillte vështirësi. Shejh Abd’urr-Rreuf Menavi, dijetari i famshëm i hadithit, e ka cituar Hafiz Dhehebiun: “Neve na duhet që të besojmë se katër imamët, dy Sufjanët (Theuri dhe Ibn Ujejne), Evza’iu, Davud Dhahiriu, Is‘hak ibn Rah­vejhi dhe të gjithë imamët e tjerë ishin korrektë. Jomuxhte­hidi duhet që të ndjekë një shkollë specifike. Nuk lejohet që të pasohen sahabët (r.a) e as pasardhësit e tyre, siç ka deklaruar Imami i dy Xhamive të Shenjta, ngaqë shkollat e tyre nuk janë të dokumentuara dhe të organizuara. Në vendime gjyqësore dhe në dhënie të fetvave nuk lejohet që të pasohet një shkollë jo e dokumentuar ose e paorganizuar. Gjithashtu, të pasuarit e katër shkollave juridike ka lulëzuar e përparuar dhe është raf­inuar në atë masë, saqë termat absolutë janë bërë specifikë dhe fjalët e tyre të përgjithshme janë definuar. Kjo është ndryshe nga shkollat e tjera, ku pasuesit e tyre janë zhdukur. Imam Raziu ka cituar se ekziston konsensus (ixhma’) të dijetarëve që një person i zakonshëm (jo i ditur – shën. i përkth.) nuk mund t’i pasojë sahabët (r.a.) dhe pasardhësit e tyre – tabi’inët (kuptohet t’i pasojë drejtpërdrejt ata – shën. i përkth.).” Fe­jd’ul-Kadir, komentim i Xhami’us-Sagir nga Menavi, vol. 1, f. 210.
Kjo pikë është diskutuar nga Imam Neveviu me fjalët vijuese
“Edhe pse dija dhe statusi i sahabëve (r.a.) dhe i pasardhësve të tyre është shumë më superior sesa i dijetarëve që erdhën pas tyre, nuk lejohet për askënd që t’i pasojë shkollat juridike të të parëve. Kjo qëndron kështu, ngaqë ata nuk ishin në gjendje që t’i dokumentonin fetvatë e tyre e as që t’i aranzhonin parimet dhe detajet e shkollave të tyre. Asnjë sahabi (ose pasues i tij) nuk ka formuar ndonjë shkollë të strukturuar juridike. Ky strukturim është bërë nga dijetarët që erdhën pas tyre, të cilët duke qenë vetë studentë të flaktë të paraardhësve të tyre, u ngarkuan me detyrën e formulimit të premisave dhe normave të ekstrapolimit dhe nxjerrjes së ligjeve përpara se të ndodhte incidenti.”
Kufizimi i taklidit vetëm në këto katër shkolla juri­dike është shpjeguar nga disa dijetarë të mëdhenj. Megjithatë, mbi këtë pikë unë do të doja ta tërhiqja vëmendjen veçanërisht tek dy dijetarë. I pari është Imam Ibn Tejmijje dhe i dyti është Shah Velijjullahu. Do të citohen opinionet e tyre, meqë edhe ata që nuk pajtohen me konceptin e taklidit i çmojnë shumë lart këta dijetarë nga pikëpamja akademike.
Ibn Tejmijje, në librin e tij të fetvave të mëdha (kryesore), ka shkruar
“Nuk ka asnjë diferencë në të pasuarit e një muxhtehidi dhe jo të tjerët, për sa i përket asaj që ka të bëjë Kur’ani dhe Sunneti. Prandaj, Maliku, Lejth ibn Sa’di, Evza’iu, Thevriu ishin imamë të kohëve të tyre. Të pasuarit e njërit nga ta është i lejueshëm. Asnjë musliman nuk mund të thotë se mund të pasohet njëri, por jo tjetri. Megjithatë, nëse dikush nuk ka lejuar që të pasohet njëri nga këta dijetarë në kohët tona, këtë e ka bërë për shkak të njërës prej këtyre dy arsyeve në vazhdim. E para, nëse nuk ka asnjë që e njeh shkollën juridike të atij imami të posaçëm. Kjo gjë do t’i shkaktonte atij dijetari të posaçëm (ose shkollës së tij juridike) ‘vdekjen’. Ekziston një diferencë shumë e njohur mendimesh lidhur me të pasuarit e një shkolle të vdekur (d.m.th., një shkolle të shuar nga koha). Të pasuarit e këtyre imamëve sot është si ta pa­sosh një person të vdekur, gjë e cila s’lejohet. Një gjë e tillë do të ishte valide vetëm nëse do të ekzistonte dija e shkollës së tij. Arsyeja e dytë themi se do të ishte ajo që konsensusi i dijetarëve të ketë ardhur në përfundimin se sot mbizotërojnë opinione që i kundërshtojnë ato të atyre dijetarëve. Nëse disa dijetarë, shkolla e të cilëve sot është ende gjallë, përshtaten me opinionin e atyre dijetarëve (imamëve), shkolla e të cilëve nuk ekziston sot, atëherë definitivisht opinionet e këtyre të dytëve do të merren si dëshmi kolaboruese dhe dytësore.”(Fetvatë kryesore të Ibn Tejmijjes, vol. 2, f. 446.) Shah Velijjulla­hu ia ka kushtuar një kapitull të tërë këtij diskutimi, në librin e tij Ikd’ul-Xhid dhe e ka quajtur ‘Kapitulli mbi theksimin e të pasuarit të njërës nga këto katër shkolla juridike dhe të dënuarit e idesë për braktisjen e tyre.’ Ai këtë kapitull e ka filluar me fjalët: “Ju duhet të dini se të pa­suarit e këtyre katër shkollave (medhhebeve) ngërthen në vete dobi dhe përfitime të shumta publike. Braktisja e tyre rezulton në dëm dhe të keqe. Ne do ta shpjegojmë këtë gjë përmes shumë konkluzioneve…” (Ikd’ul-Xhid, f. 31.) .Ai pastaj vazhdon duke shpjeguar shumë arsye, të cilat unë do t’i para­frazoj në pika, në vend se të përkthej një pasazh shumë të gjatë. Është e nevojshme që dikush të mbështetet tek paraardhësit e hershëm nëse dëshiron që ta kuptojë lig­jin islam. Mënyra jonë e vetme për ta bërë një gjë të tillë është ose duke e llogaritur mirë që deklaratat e paraard­hësve janë transmetuar deri tek ne përmes një zinxhi­ri të fortë transmetuesish ose duke i lexuar deklaratat e tyre që janë të dokumentuara nëpër libra të besue­shëm. Është e nevojshme që të vërtetojmë se vërtet këto deklarata kanë qenë të besueshme dhe të përdorshme nga dijetarë të tjerë. Në fund, nëse deklaratat e tyre janë të hapura për disa kuptime, atëherë merret kuptimi më i preferuar. Nganjëherë, deklarata e një muxhtehidi të caktuar mund të duket se është e përgjithshme, mirëpo ajo në fakt mund të jetë krejtësisht specifike, gjë e cila do të kuptohej nga dijetarët që e kanë studiuar shkollën e tij juridike. Andaj, është e nevojshme që deklaratat e këtij muxhtehidi të caktuar të dokumentohen, të kup­tohen dhe të sqarohen në atë mënyrë që të theksohet shpjegimi i arsyeshëm. Nëse një muxhtehid i caktuar nuk i ka pasur të kodifikuara deklaratat e tij, atëherë një medhheb i tillë nuk duhet të pasohet. Në kohën tonë, të katër shkollat e spikatura juridike (pra ajo hanefite, ma­likite, shafi’ite dhe hanbelite – shën. i përkth.) e ndajnë këtë avantazh, ndërsa shkollat e tjera jo. Edhe shkolla juridike imamije dhe zejdije gjithashtu e posedojnë këtë privilegj. Megjithatë, meqë opinionet e tyre janë josun­nite, nuk do të ishte e lejueshme që të shfrytëzoheshin deklaratat e tyre. Pejgamberi a.s. ka thënë: “Pasojeni shumicën absolute (dërrmuese) të Ummetit.”Meqë dihet mirë fakti se përveç këtyre katër shkollave juridike të tjerat janë shuar, atëherë mosndjekja e tyre do të ishte shkuarje kundër parimit të përmendur në hadith. Krejt në fund themi se nëse do të lejohej dhënia e fetvave duke u bazuar tek cilido nga dijetarët e hershëm dhe shkollat e tyre, atëherë dijetarët e korruptuar (të prishur) do ta shfrytëzonin e keqpërdornin Sheriatin dhe fetvatë e tyre do t’i bazonin mbi deklaratat e cilitdo nga paraardhësit. Kjo gjë pashmangshmërisht do t’i hapte rrugë abuzimit të deklaratave të tyre. Nga dijetarët e korruptuar do të kërkohej që t’i justifikonin dëshirat egoiste duke i cituar paraardhësit e devotshëm. Të mbështeturit në pasimin e shumicës absolute të Ummetit do ta pezullonte ten­dencën për kaos brenda Sheriatit.(Ikd’ul-Xhid, f. 31.)
Burimi: www.muftitaqiusmani.com,04. 02. 2013,
Përktheu nga anglishtja: Daim Abazi

Shfaq më shumë artikuj të ngjashëm
Shfaq më shumë në Shkrime

Shfleto

Uniteti i myslimanëve obligim fetar dhe domosdoshmëri e kohës

Mr. Ekrem Mqedonci* Të nderuar të pranishëm, sot është ditë feste, ditë kremte, por mbi të…