NUK KA ASGJË MBI INTERESAT E VENDIT TONË
Prishtinë, 21 gusht 2014

Myftiu i Kosovës, Mr. Naim Tërnava ka mbajtur sot mbledhje me kryetarët e Këshillave vendor të BIK-ut, me të cilët ka biseduar për jetën fetare si dhe zhvillimet e fundit në vend.

Myftiu, pasi i përgëzoi kryetarët për punën që bëjnë në terren, fillimisht foli për kultivimin e tolerancës dhe mirëkuptimit ndërfetar te ne si vlerë e populli tonë, për se Myftiu, tha: “Te ne me shekuj nga populli ynë, nga komunitetet fetare, nga besimtarët tanë dhe nga predikuesit tanë mësimet fetare janë kultivuar drejtë, janë kultivuar në frymën e  librave hyjnore, duke kultivuar tolerancën, mirëkuptimin, solidaritetin, dashurinë e besimin për Zotin, për njerëzimin, për këtë botë dhe botën e ardhme. Siç e dimë toleranca e mirëkuptimi ndërfetar te ne është vlerë tashmë kombëtare e nacionale, vlerë që duhet ruajtur e kultivuar, vlerë që na bënë model për popujt e tjerë. Në kultivimin e kësaj vlere s’ka dyshim se meritore është paria fetare që me përgjegjësi ka udhëheqë institucionet e fesë në vendin tonë, dhe me atë përgjegjësi ka edukuar popullin drejtë. Prandaj, duke u nisur nga kjo, me gjithë tendencat që janë shënuar viteve të fundit për një interpretim më të ngushtë të parimeve fetare, kërkohet nga ne që të jemi të përgatitur në ruajtjen e vlerave që i kanë krijuar të parët tanë, sepse ashtu i shërbejmë në mënyrën më të mirë, fesë tonë, kombit tonë, vendit tonë dhe njerëzimit në përgjithësi”.
Më tutje përkitazi me këtë Myftiu potencoi faktin se tani duhet  të jemi të vëmendshëm e mos të lejojmë që kjo vlerë e popullit tonë të preket nga grupet e individ të caktuar, që duan të sjellin këtu mësime ekstreme e interpretime radikale të çështjeve fetare. Këtë ne nuk duhet lejuar, duhet të marrim masa që besimtarët tanë të mos bien pre e  mësimeve e predikimeve të tilla .
Myftiu Tërnava në vazhdim të fjalës së tij foli edhe për arrestimet e fundit të të dyshuarve për lidhje me organizatat terroriste, për këtë ai tha: “Të nderuar, ju siç jeni ne dijeni, ditë më parë organet tona të sigurisë arrestuan një grup qytetarësh tanë, kryesisht të rinj që dyshohen për lidhje me organizatat e të ashtuquajturit Halifat.
E kemi mbështetur dhe përkrahur aksionin e forcave të rendit, pa pretenduar fajësinë e të arrestuarve. E kemi bërë këtë dhe do ta bëjmë gjithmonë, sepse nuk ka asgjë mbi interesat e vendit tonë, nuk mund të ketë kauzë që në emrin e fesë dhe duke politizuar e keqpërdorur fenë, të rrezikojë sigurinë dhe rendin kushtues të vendit tonë.
Arrestimet e fundit nuk janë lajm i mirë për ne dhe vendin tonë. Prandaj, në vend se kjo të na bëjë më të përgjegjshëm dhe të na mobilizojë dhe që bashkërisht të marrim masa karshi këtij realiteti dhe kësaj situate të krijuar, fatkeqësisht ca individ që vetën e mbajnë si hoxhallarë, pedagogë e imamë, të vetëshpallur si reformator e vizionar, e panë të udhës, natyrisht për interesat e tyre, që ta sulmojnë BIK dhe lidershipin e saj.
Pa dashur t’i ikim përgjegjësisë që na takon, sepse ne jemi institucion i këtij vendi, institucion i besimtarëve tanë, u bëjmë me dije atyre se kështu nuk i shërbehet vendit, fesë, besimtarëve dhe as  BIK-së.
Bashkësia Islame e Kosovës mbetet e përkushtuar në punën dhe misionin e saj që të jetë pranë besimtarëve të saj, t’i edukoj e mësoj ata drejtë në frymën që e ceka më lartë – në frymën e traditës së kultivuar nga të parët tanë. Në këtë mision BIK, kërkon mbështetjen dhe përkrahjen, por edhe bashkëpunimin me të gjitha institucionet e vendit, kërkon mbështetjen dhe përkrahjen e shoqërisë civile, mediave dhe individëve me ndikim. Ne jemi të hapur për këtë, sepse këtë ja kemi borxh vendit tonë, besimtarëve tonë, të parëve tonë dhe brezave që do të vijnë.
Roli i fesë, ka qenë dhe do mbetet deri në Kiamet kultivimi i paqes, dashurisë, respektit, mirësjelljes, tolerancës e mirëkuptimit”-tha, veç tjerash, Myftiu Tërnava.

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Hytbeja e Myftiut të Kosovës, Naim ef. Tërnava, e mbajtur me rastin e festës së Fitër Bajramit

Familja Sot është ditë feste, ditë gëzimi, ditë mëshire e shpërblimi, ngase të gjitha adhu…