Prishtinë, 31 janar 2020

U mbjat tribuna “Mbulesa – identiteti, krenaria dhe zgjedhja jonë”

Më 30 janar, ditë e enjte, Departamenti i Gruas i Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, në bashkëpunim me Medresenë “Alauddin” dhe me Fakultetin e Studimeve Islame, për nder të Ditës Botërore të Shamisë, organizoi tribunën me temën “Mbulesa – identiteti, krenaria dhe zgjedhja jonë”, në të cilën të ftuara ishin znj. Besa Ismaili Ahmeti deputete, njëherësh profesoreshë në Fakultetin e Studimeve Islame, znj. Gyltene Dërguti psikologe dhe znj. Azemine Kukaj Kajoshi biologe.

Fillimisht para të pranishmeve u lexua një pjesë nga Kurani fisnik, për të vazhduar më pas me fjalën përshëndetëse të drejtueses së Departamentit të Gruas në BIK, znj. Vaxhide Bunjaku, e cila në fjalën e saj fokus të veçantë i kushtoi dashurisë që duhet ta ndiejë një vajzë e një grua ndaj mbulesës. “Dashuria që arriti një femër ta ketë për mbulesën, bëri që ajo sot ta marrë vendimin më të duhur për bartjen e saj, ani pse ajo e dinte fare mirë se në vendin tonë nuk do t’i arrinte të drejtat e saj të merituara. Ndonëse ato që bartin mbulesën nuk e kanë fatin e njëjtë me femrat e tjera, disa prej tyre hasin në vështirësitë shtesë, ato të stigmës institucionale, shoqërore apo edhe familjare, ngase dikush nënçmohet nga familja, të tjerat diskriminohen në punësim, disa largohen nga shkolla, por pavarësisht të gjitha këtyre sfidave, mbulesa konsiderohet si zgjedhje personale që tregon qartë dinjitetin, dashurinë dhe vullnetin e femrës,” tha ndër të tjerash drejtuesja e Departamentit të Gruas së BIK, znj. Vaxhide Bunjaku.

Duke folur rreth mbulesës, profesoresha Besa Ismaili Ahmeti u shpreh se: “Mbulesa ime përfaqëson udhëtimin tim tërëjetësor. Unë mbulesës sime i kam ndërtuar paraprakisht një themel të fuqishëm. Këtë ma ka mundësuar edukata e prindërve të mi. Mbi ato themele kam ngritur mure të larta e të qëndrueshme. Kam vënë standarde, jo që të tjerat të mos i arrijnë, por t’i kapërcejnë ato e të ecin tutje.”

Rreth ndjenjave dhe përjetimeve që i ka dhënë mbulesa, znj. Gyltene Dërguti tha se asnjëherë nuk është ndier ndryshe, as kur ka dalë në rrugë e as kur ka hy në institucione. “Me shaminë time asnjëherë nuk jam ndier ndryshe, as kur kam dalë në rrugë e as kur kam hyrë në institucione. Unë jam ndier ndryshe kur kam qenë në shtëpi. Krahas punëve shtëpiake i kam kërkuar vetes të lexoj, ta zhvilloj veten profesionalisht që ta dërgoj në vend urdhrin “lexo”, që me të t’i ofroj shërbim vendim tim.” Ndërsa znj. Azemine Kukaj para të pranishmeve foli shkurtimisht rreth sfidave dhe kënaqësive që ka mbulesa. “Në jetë njeriu ka sfida, por ka edhe kënaqësi. Ajo që më mban të fortë në rrugëtimin tim është fakti që të gjithë jemi krijuar për të përmbushur një mision nga Zoti. Amaneti që të jemi në shërbim të njerëzimit dhe lënia e gjurmëve pas të cilave dikush do të rrugëtojë sigurt, është sfida të cilën e kam pranuar dhe ndihem krenare,” tha ajo.

Gjatë programit për të pranishmet u dha edhe një dokumentar i shkurtër rreth punonjëseve të Bashkësisë Islame dhe të institucioneve të saj, Medresesë “Alauddin” dhe Fakultetit të Studimeve Islame, si dhe u kënduan ilahi dhe monolog nga nxënëset e Medresesë “Alaudin” të Prishtinës.

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Drejtori Simnica priti në takim kryetarin e Xhamisë Shqiptare në Neumarkt të Gjermanisë, z. Naser Gashin

Prishtinë, më 19 prill 2024 Drejtori i Diasporës në Kryesinë e Bashkësisë Islame të Kosovë…