Prishtinë, 05 dhjetor 2018

Në kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe, në Abu Dabi, u mbajt ceremonia zyrtare e fillimit të Forumit të Pestë Ndërkombëtar të Promovimit të Paqes në Shoqëritë Islame, me titullin “Aleanca e virtyteve, mundësi për paqen globale.”

Ky forum organizohet nën patronazhin e Qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe, më konkretisht nga Ministria e Punëve të Jashtme. Në ceremoninë e hapjes ishte prezent ministri i Punëve të Jashtme dhe i Bashkëpunimit Ndërkombëtar të EBA-së, sheiku Abdullah bin Zajed. Krahas personaliteteve nga e gjithë bota, në këtë forum po merr pjesë edhe kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, i shoqëruar nga një pjesë e kabinetit të tij.

Fjalimin e parë në këtë ceremoni hapëse e paraqiti ambasadori për Liritë Fetare i SHBA-së, z. Sam Brovnback, i cili në fjalën e tij veçoi përkushtimin dhe angazhimin e presidentit Trump, zëvendëspresidentit Pens, si dhe sekretarit të SHBA-së, z. Pompei për liritë fetare anekënd botës, duke theksuar faktin se SHBA nuk do të tolerojë diskriminimin në baza fetare. Ai gjithashtu ftoi liderët fetarë që të promovojnë paqen, tolerancën në xhamitë, kishat, sinagogat dhe vend faljet e tyre.

Më pas para të pranishmëve për një fjalë rasti u paraqit kryetari i këtij forumi, dijetari i mirënjohur i botës islame, z. Abdullah bin Bejja, i cili u fokusua në përqendrimin dhe forcimin e paqes, duke luftuar çdo lloj të ekstremizmit dhe radikalizmit. Ai ftoi në mënyrë të veçantë mediet që të luajnë rolin e tyre në parandalimin e dhunës.

Në hapje të këtij forumi folën edhe sekretari gjeneral i Ligës së Botës Islame, dr. Abdulkerim al Isa, kryetari i Universitetit të Az’harit, dr. Muhamed al Muharsavi, ministri për Çështje Fetare i Egjiptit, z. Muhamed Xhuma, këshilltari i sekretarit gjeneral të OKB-së për parandalimin e gjenocidit, dr. Adama Diang, këshilltari i emirit të Kuvajtit, dr. Abdullah Matuk, i cili njohu të pranishmit me fillimin e realizimit të iniciativës “Ofrimi i ushqimit për 1 miliardë nevojtarë”. Ai tha se kjo iniciativë kapi shifrën e papritur për ushqimin e 2.5 miliardë nevojtarëve anekënd botës përmes projekteve të ndryshme. Gjithashtu në këtë ceremoni u paraqitën edhe rabini David Rosen dhe znj. Sara Khan nga Britania e Madhe.

Gjatë kësaj ceremonie u nda edhe çmimi “Imam Hasan” për paqe për vitin 2018, i cili iu nda dy presidentëve, atij të Eritresë dhe të Etiopisë, në shenjë përkushtimit dhe nënshkrimi të aktit të paqes mes dy shteteve.

Forumi zhvillon punimet deri më 7 dhjetor.

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Drejtori Simnica priti në takim kryetarin e Xhamisë Shqiptare në Neumarkt të Gjermanisë, z. Naser Gashin

Prishtinë, më 19 prill 2024 Drejtori i Diasporës në Kryesinë e Bashkësisë Islame të Kosovë…