Prishtinë, 21 mars 2019

Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës organizoi akademi përkujtimore me rastin e kalimit në ahiret të Kasim ef. Gërgurit, ish-drejtorit Financiar në këtë Kryesi. Kjo akademi u mbajt në amfiteatrin e Fakultetit të Studimeve Islame në Prishtinë dhe në të morën pjesë kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, dekani i FSI-së, prof. dr. Fahrush Rexhepi, drejtori i Medresesë, Jakup Çunaku, familjarë, bashkëpunëtorë, koleg, përfaqësues të këshillave të BI-së, studentë, shokë etj.

Në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve, Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, tha se e kam shumë të vështirë të flasë për nxënësin, studentin dhe kolegun e punës, Kasim ef. Gërgurin. “Edhe kjo fjalë e imja sot këtu para jush, për mua është pjesë e atyre sprovave të mëdha, që në një rrethanë tjetër, kurrë nuk do ta kisha përzgjedhur dhe nuk do të isha pajtuar, pra që të kujtoj e nderoj nxënësin, mikun, kolegun e bashkëpunëtorin tim të vyer, Kasim ef. Gërgurin, i cili me caktimin e Allahut xh.sh., me datën 15 mars 2019, kaloi në ahiret, duke na lënë ne mërzitur e të pikëlluar dhe duke lënë një zbrazëti e boshllëk në mesin tonë. Mirëpo, caktimit të Allahut ne i themi vetëm amin dhe atë e pranojmë me plotë besim, nënshtrim dhe durim të thellë, sepse me urdhrin dhe caktimin e Allahut besimtari duhet të pajtohet plotësisht. Kasim efendiun e kam njohur, i kam përcjellë sukseset dhe punët e tij dhe e kam vlerësuar këtu e tri dekada e gjysmë më parë, pra saktësisht që nga viti 1985, si nxënës në Medrese dhe deri në ditët kur ai u nda fizikisht nga ne. Kjo njohje e jona u takon tri periudhave të ndryshme, Kasimi si nxënës, si student dhe si koleg e bashkëpunëtor. Në detyrën e drejtorit financiar, Kasim efendiu dha një kontribut të çmuar për avancimin e programeve profesionale në fushën e financave, trajnimeve dhe përgatitjen e stafit jo vetëm këtu në qendër, por edhe në të gjitha këshillat e BI-së dhe në institucionet e tjera që veprojnë në kuadër të Bashkësisë Islame të Kosovës. Ai qe i afërt me bashkëpunëtorët, modest me të tjerët, parimor në punë, e mbi të gjitha korrekt e bashkëpunues me të gjithë. Ajo që e ka bërë të veçantë Kasim efendiun, duhet ta themi se ka qenë institucionalist i përkushtuar, që do të thotë se i ka dashur e respektuar institucionet dhe është angazhuar për to. Shpeshherë e thoshte me bindje, ne shyqyr Zotit i kemi krijuar institucionet tona, këto duhet respektuar. Madje edhe në derset e ligjërimet e tij, ai gjithherë vëmendje të posaçme u kushtonte forcimit të institucioneve si në kuadër të BIRK-ut, ashtu edhe të institucioneve publike e shtetërore të vendit. Si pedagog, bashkëpunëtor e bashkudhëtar i Kasim efendiut, me bindje e them se përkushtimi, urtësia e besnikëria ishin virtytet kryesore të Kasim efendiut”, tha ndër të tjerash Myftiu Tërnava.

Për periudhën sa ishte nxënës në medresenë Alaudin, foli kujdestari i Kasim efendiut, prof. Ruzhdi Shabani. “Do të kisha dëshiruar që Kasim efendiu të ishte sot në vendin tim dhe ai të fliste për profesorin e tij, por ja që caktimin e Zotit askush nuk mund ta ndryshojë. E kam pasur nxënës, ashtu siç i pata edhe të tjerët, por ai ishte shumë i dashur, korrekt, fytyrëqeshur. Me shokët ishte shumë i afërt dhe sado që të flasim për virtytet e tij, forcën dhe anën pozitive që kishte, është pak, por unë e lus Zotin që Kasim efendiun ta shpërblejë me shpërblimin e Tij”, tha profesor Shabani.

Kasim efendiu ishte personalitet që respektoi shokët dhe kolegët, e ndër shokët më të afërt të tij ishte edhe Bahri ef. Sejdiu, i cili para të pranishmëve evokoi momente nga shoqëria e tij me Kasimin, që nga viti i parë në Medrese, pastaj gjatë shërbimit ushtarak, si dhe momente nga jeta studentore në Aman të Jordanisë, e krejt në fund edhe si nëpunës i BIRK-ut, në të cilin dallohej me karakterin e tij intelektual dhe që e donte institucionin dhe vijën zyrtare institucionale. “Ai do të na mungojë të gjithëve në institucionin tonë të BIRK-ut, seminaret dhe takimet tona, në shkrimet nga sfera e akadit, si dhe familjarëve në përgjithësi”, tha mes tjerash Bahri ef. Sejdiu.

Në këtë akademi të pranishmëve me një fjalë iu drejtua edhe bashkëluftëtari i Kasim efendiut, komandant Mensur Kasumi, i cili çmoi guximin dhe trimërinë e Kasim efendiut gjatë luftës së fundit të UÇK-së. “Njeriu i parë që më është bashkëngjitur në luftë ka qenë hoxha i nderuar Kasim efendiu. E kam dashtë dhe e kam respektuar shumë, sepse ai na jepte moral dhe këshilla. Ka qëndruar së bashku me mua në një bunker për një javë pa lëvizur aspak dhe çdo çast e luste Zotin që të dy të jemi në mesin e dëshmorëve. Por deshi Zoti që të jetojmë edhe më dhe ja që vdekja e tij sot na pikëllon shumë. Kasimin e krahasoj me veprimtarë të mëdhenj të çështjes kombëtare dhe fetare të shqiptarisë, e këso burra rrallë lindin.”

Në emër të familjes, të pranishmit i përshëndeti i biri i rahmetliut, Enes Gërguri, i cili falënderoi Myftiun Tërnava dhe BIRK-un për organizimin e kësaj akademie përkujtimore. Krejt në fund të kësaj akademie, u bë edhe duaja e hatmes, të cilën për Kasim efendiun e kanë lexuar kolegët e tij të punës. Këtë dua e bëri Agim ef. Hyseni.

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Drejtori Simnica priti në takim kryetarin e Xhamisë Shqiptare në Neumarkt të Gjermanisë, z. Naser Gashin

Prishtinë, më 19 prill 2024 Drejtori i Diasporës në Kryesinë e Bashkësisë Islame të Kosovë…