Prishtinë, 4 tetor 2013
I nderuar Haxhi Selim Muça-kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë
I nderuar Haxhi Sulejman Rexhepi-Resi i Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoni
Të nderuar studiues, referues dhe ju pjesëmarrës!

Kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë që në emrin e Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës dhe në emrin tim personal të përshëndes këtë tubim me rastin e promovimit të përmbledhjes së kumtesave nga konferenca shkencore “Kontributi i prijësve myslimanë në formësimin e vetëdijes dhe identitetit kombëtar”.
S’kam se si të mos ndihem i lumtur kur dihet se vitin e kaluar ishim tubuar sikurse sot këtu në këtë sallë, për të ndjekur punimet e konferencës shkencore për të vënë në pah kontributin e ulemasë shqiptare për pavarësinë dhe lirinë e vendit, që mbahej me rastin e 100-Vjetorit të Pavarësisë dhe Mëvetësisë së shqiptarëve.
Tubimi i sotëm, po në Tiranë, me rastin e promovimi të botimit të kumtesave në një përmbledhje të veçantë, shënon përmbylljen me sukses të kësaj nisme fisnike dhe të dobishme për shkencën, dhe ato që nga sot bëhen pronë dhe vihen në dispozicion të lexuesve gjithandej trojeve tona.
E veçanta e konferencës së vitit të kaluar dhe e botimit të kumtesave të saj mes dy kapakëve, është se që të dy këto projekte janë realizuar dhe janë finalizuar suksesshëm bashkërisht nga tri komunitetet myslimane shqiptare: Komuniteti Mysliman Shqiptar, Bashkësia Islame e Kosovës dhe Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë, që dëshmon edhe një herë dëshirën dhe nevojën e shqiptarëve për bashkim e integrim shpirtëror, kulturor e shoqëror, kjo në njërën anë, kurse në anën tjetër, jemi të bindur se kjo punë e hairit ka simbolikën dhe domethënien e vetë, ashtu siç pati tubimi dhe kontributi i ulemasë shqiptare të të gjitha trojeve për shpalljen e Pavarësisë, ashtu edhe kjo ka simbolikën dhe domethënien e vetë në kujtimin për ata që e bënë shtetin, e krijuan dhe e pavarësuan atë.
Libri që po promovojmë sot paraqet vetëm një pjesë të kontributit të ulemasë shqiptare për pavarësinë dhe mëvetësinë e vendit. Përmes këtij libri edhe njëherë kujtojmë të gjithë ata ulema që kontribuuan për arritjen e mëvetësisë së shqiptarëve, siç ishin ulemaja e kalibrit të Ymer Prizrenit, Haxhi Zekës, Vehbi Dibrës, Ahmet Korenicës, Rrystem Shportës, Hfz. Ibrahim Dalliut, Hfz. Ali Korçën, Hfz. Ali Krajës, Shejh Salihut, mulla Idriz Gjilanit, Musa Shehzades, Shejh Eminit, mulla Rasim Zapodit, Hoxhë Mehmetit të Shtiqnit, Shejh Mehmet Sezait, Hfz. Abdylfetah Raufit nga Shkupi, Hfz. Abdullah Abdullahut nga Tetova, Hfz. Hetem Tahirit nga Tetova, e shumë e shumë të tjerëve që përmenden e që nuk përmenden në libër, të cilët me punën dhe kontributin e tyre kanë hyrë në histori dhe jo vetëm që kanë hyrë, por edhe e kanë bërë historinë.
Natyrisht, vargu i ulemave që kanë kontribuar në këtë drejtim nuk përmbyllet vetëm me këta që i përmendem, por edhe më shumë të tjerë gjithandej trojeve shqiptare, për kontributin e të cilëve sigurisht që do të flitet e do të shkruhet në të ardhmen dhe do të mbahen konferenca e tubime shkencore, pse jo në bashkëpunim të tri komuniteteve islame shqiptare.
Botimi i kësaj monografie, vjen në duart tona në një kohë të përshtatshme dhe, na thotë mendja, paraqitet shumë e nevojshme, sidomos sot kur ndihet nevoja për të njohur të kaluarën tonë, e cila rrezikon të harrohet dhe të zbehet dhe të interpretohet ashtu siç nuk ka qenë në të vërtetë, kurse disa nga personalitetet kryesore bartës të lëvizjeve kombëtare, nga radhët e ulemasë, të anatemohen, të anashkalohen e të harrohen në pafundësi.
Prandaj pikërisht për këtë arsye, botimi dhe promovimi i monografisë “Kontributi i prijësve myslimanë në formësimin e vetëdijes dhe identitetit kombëtar”, merr vlera ku e ku më të mëdha dhe vjen edhe si një shlyerje e borxhit ndaj të gjithë atyre ulemave që punuan e vepruan në shërbim të çështjes kombëtare dhe pavarësimit të vendit tonë.
Uroj që pikërisht këta ulema dhe personalitete duhet t’i marrim si model dhe të tillët duhet të shërbejnë si burim frymëzimi për brezat e ardhshëm.
Uroj po ashtu që edhe në të ardhmen të kemi organizime të këtij formati, pra projekte të përbashkëta të tri komuniteteve islame shqiptare. Kurse Kryesia e Bashkësisë Islamë të Kosovës, edhe njëherë ripërsërit faktin dhe shpreh gatishmërinë, se duke qenë e vetëdijshme për rolin që kanë luajtur shumë ulema gjatë historisë tonë, do të vazhdojë edhe në të ardhmen të mbështes  aktivitete të tilla kushtuar ndriçimit të këtyre figurave, disa prej të cilave, fatkeqësisht, deri sot nuk janë aq të njohura dhe nuk janë të renditura meritueshëm në vendin që u takon në historinë tonë.

Ju faleminderit!
Tiranë, 3 shtator 2013

Myftiu i Kosovës
 Mr. Naim Tërnava
(* Fjala përshëndetëse e Myftiu të Kosovës në promovimin e librit “Kontributi i prijësve myslimanë në formësimin e vetëdijes dhe identitetit kombëtar”)

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Myftiu Tërnava priti në takim zv/ministrin e Jashtëm të Turqisë, z. Yasin Ekrem Serim

Prishtinë, më 28 mars 2024 Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnav…