Prishtinë, 16 tetor 2018

Nën organizimin e Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, sot në sallën e konferencave të Fakultetit të Studimeve Islame, u promovua libri “Histori e qytetërimit islam” i autorit prof. dr. Qazim Qazimi.

Në këtë promovim morën pjesë kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava, kryetari i Kuvendit të BIRK-ut, dr. Ajni Sinani, dekani i Fakultetit të Studimeve Islame, prof. dr. Fahrush Rexhepi, përfaqësues nga kolegji “Bedër” nga Shqipëria, profesorë, studiues, dashamirë të librit e të kulturës, si dhe shumë të ftuar të tjerë.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Myftiu Tërnava përgëzoi autorin e librit, prof. dr. Qazim Qazimin për botimin e këtij libri, duke theksuar se kjo vepër është një begati e madhe, e cila do të shërbejë në të mirë të mësimit rreth qytetërimeve në përgjithësi, e në veçanti për qytetërimin islam. “Allahu në Kuran betohet dhe thotë: “Nun, betohem në lapsin dhe në atë që ata shkruajnë”. Për më tepër edhe fjala e parë e zbritur në Kuranin fisnik është: “Lexo, studio, mëso me emrin e Zotit”. Andaj duke u nisur nga këto porosi hyjnore, myslimanët, fjalës së shkruar i kanë kushtuar vend meritor përgjatë gjithë historisë së tyre. Falë zbulimeve të dijetarëve që i hodhën të përmbledhura në faqet e librave, sot bota mbarë dhe njerëzimi njeh këtë zhvillim, këto arritje që ne sot i gëzojmë, po ashtu përmes shkrimeve ne sot njohim një pjesë të mirë nga e kaluara e njerëzimit, njohim kulturat dhe qytetërimet e hershme, me një fjalë, njohim të kaluarën historike të popujve, në mënyrë që të projektojmë sa më mirë të ardhmen tonë”, tha mes tjerash Myftiu Tërnava.

Duke folur për rëndësinë e librit “Histori e qytetërimit islam”, Myftiu Tërnava tha se ky libër për lexuesin tonë ka një rëndësi të veçantë, ngase është ndër librat e paktë në gjuhën shqipe, i cili në mënyrë të thukët, kronologjike dhe përmbajtësore, sjell njohur për kulturën dhe qytetërimin islam, që nga zanafilla e tij e deri në ditët e sotme, përfshirë këtu pashmangshëm edhe qytetërimin shqiptar me elementet islame dhe kontributin e shqiptarëve dhënë qytetërimit islam në veçanti dhe atij botëror në përgjithësi.

“E veçanta e këtij libri përveç të arriturave të tjera, qëndron edhe në faktin se profesor Qazimi arriti që të na japë një kornizë me vijat kryesore, me etapat, periudhat, karakteristikat dhe përfaqësuesit kryesorë të qytetërimit, ndaj ata që tani e tutje do të shkruajnë në gjuhën shqipe për historinë dhe qytetërimin islam do të kenë një bazë të mirë për t’u mbështetur në veprën e profesor Qazimit. Një vepër si kjo i ka munguar lexuesit shqiptar, u ka munguar bibliotekave tona, u ka munguar studiuesve dhe studentëve tanë, andaj me bindje të plotë themi se kemi përmbushur një boshllëk me botimin e kësaj vepre. Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës ka mirëpritur përgatitjen e këtij libri nga profesori i nderuar dhe me kënaqësinë më të madhe ka vendosur që ta botojë atë, për ta vënë në dispozicion për të gjithë ata që interesohen për këtë fushë. Më lejoni që, krejt në fund, ta uroj dhe ta përgëzoj profesor Qazim Qazimin për punën që ka bërë në përgatitjen e kësaj vepre dhe t’i uroj profesorit shëndet dhe kontribute të tjera në fushën e fjalës së shkruar”, përfundoi fjalën përshëndetëse Myftiu Tërnava.

Drejtori për Shtyp dhe Veprimtari Botuese, njëherësh kryeredaktori i shtëpisë botuese “Dituria Islame”, z. Ahmet Sadriu foli për veprimtarinë e kësaj shtëpie botuese, duke potencuar mes të tjerash se deri më tani janë botuar mbi 200 tituj nga fusha të ndryshme fetare, si nga jurisprudenca, historia dhe qytetërimi islam, tefsiri, hadithi dhe fusha të tjera. Krahas këtyre librave kemi botuar edhe një sërë monografish dhe botimesh të veçanta me vlerë për histografinë, kulturën, gjuhësinë dhe letërsinë shqipe. Drejtori Sadriu falënderoi Myftiun Tërnava për mbështetjen e vazhdueshme që po jep për botimin e librave fetarë e shkencorë, duke u zotuar se edhe në të ardhmen do të botojnë vepra të këtilla në interes të fesë dhe shkencës.

Rreth veprës “Histori e qytetërimit islam” referuan prof. dr. Hysen Matoshi dhe dr. Sadik Mehmeti.

Prof. Hysen Matoshi çmoi lart këtë vepër, duke vënë në pah vlerën shkencore dhe fetare që ka, si dhe për vendin e merituar që zë kjo vepër në kuadër të veprave historike dhe të qytetërimit islam. “Marrë në përgjithësi sinteza “Histori e qytetërimit islam” është një shenjë e pjekurisë së islamologjisë dhe kulturës shqiptare, ajo është një dëshmi se dijet tona në sferën e identitetit kanë kapërcyer konceptin e kapaciteteve tona të përkufizuara vetëm në një funksion marrës të dijeve të të tjerëve. Autorësia e një vepre të tillë, e cila vjen si produkt i një studiuesi me përvojë të gjatë profesionale e intelektuale është një shenjë trimëruese, që tregon se po hapërojmë drejt horizonteve të reja të dijes globale”, tha mes tjerash prof. Hysen Matoshi.

Ndërkaq, dr. Sadik Mehmeti në fjalën e tij mes tjerash theksoi se vepra “Histori e qytetërimit islam” e autorit Qazim Qazimi, jo vetëm që duhet të përfshihet në kurrikulat e fakulteteve tona islame, por ajo do t’i shërbej edhe publikut të gjerë dhe kulturës në përgjithësi. “Ky botim është shkruar në gjuhën e pastër shqipe, thjeshtë dhe qartë, i lexueshëm nga kushdo, andaj mund të themi se ky botim është i përshtatshëm për periudhën kohore në të cilën po jetojmë”, tha në fjalën e tij prof. Mehmeti.

Krejt në fund, autori prof. dr. Qazim Qazimi falënderoi të gjithë pjesëmarrësit, e në veçanti Kryesinë e Bashkësisë Islame të Kosovës, në krye me Myftiun Tërnava për botimin e kësaj vepre, duke premtuar se me lejen e Zotit do të jap kontribut shkencor edhe në të ardhmen.

 

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Myftiu Tërnava mori pjesë në iftarin e shtruar nga emiri i Katarit

Prishtinë, më 18 mars 2024 Me ftesë të emirit të Katarit, shejh Temim bin Hamad al Thani, …