Kryesia e BIK
Vendi ynë nuk ka nevojë për interpretime të ngushta të fesë, që qojnë në ekstremizëm e mosdurim ndërfetarë
Prishtinë, 26 prill 2014
Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, në mbledhjen e mbajtur sot të kryesuar nga Myftiu, Naim Tërnava, debatoi për shqetësimet e shprehura nga ana e Byrosë për Siguri Diplomatike e DASH, në prag të festës së Pashkëve, në të cilin fitet për rritjen e ekstremizmit me bazë fetare në Kosovë.

Me këtë rast, myftiu Tërnava ka thënë se Kryesia ka shqyrtuar me seriozitetin më të madh shqetësimin e DASH, dhe me vëmendje ka përcjellur zhvillimet në ditët vijues përkitazi me këtë çështje. Bashkësia Islame e Kosovës me të gjitha strukturat dhe institucionet e saj është e vetëdijshme për peshën dhe rëndësinë që ka në shoqëri feja, institucionet fetare dhe mësuesit e interpretuesit e fesë.
“Është fat i mirë që ne si popull kemi një histori të begatshme në kultivimin e tolerancës e mirëkuptimit ndërfetar. Andaj, në asnjë mënyrë nuk guxojmë që të lejojmë të preket kjo vlerë e kultivuar me shumë sukses nga të parët tanë. BIK është e angazhuar në kultivimin dhe avancimin e kësaj tradite shekullore, traditë kjo që është në përputhje me mësimet dhe parimet e fesë islame, por edhe të feve tjera tek ne.
Vendi ynë nuk ka nevojë për interpretime të ngushta të fesë, interpretime këto që qojnë në ekstremizëm e mosdurim ndërfetarë a ndërnacional. Duhet angazhim nga të gjithë që në vendin tonë, në institucionet tona, në BIK të mos ketë vend për njerëz që duan të mbjellin ekstremizëm, mosdurim e urrejtje”-tha Myftiu Tërnava në mbledhjen e Kryesisë së BIK.
Myftiu ka kërkuar nga anëtarët e Kryesisë së BIK që të shqyrtojnë me përgjegjësit e Këshillave në terren gjendjen aktuale të jetës fetare në vend, dhe për këtë t’i paraqesin raport Kryesisë së BIK.
Në mbledhje Kryesia shqyrtoi disa lëndë në përputhje me kompetencat e saja kushtetuese.

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Myftiu Tërnava u prit në takim nga sekretari gjeneral i Ligës së Botës Islame RABITA, dr. Muhamed Abdulkerim al Isa

Prishtinë, më 23 prill 2024 Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërna…