Në Tiranë u hap konferenca shkencore “Kontributi i prijësve myslimanë në formësimin e vetëdijes dhe identitetit kombëtarë”

Me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë dhe në kuadër të përkujtimit të figurave historike islame që luajtën një rol të jashtëzakonshëm në shpalljen e pavarësisë dhe në ndërtimin e identitetit tonë kombëtar ka filluar punimet sot në Tiranë, Konferenca shkencore mbarëshqiptare “Kontributi i prijësve myslimanë në formësimin e vetëdijes dhe identitetit tonë kombëtar”.

{jathumbnail}Të pranishëm në  hapjen e konferencës ishin Kryeministri i Shqipërisë, Prof. Dr. Sali Berisha, krerët e  bashkësive fetare të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi si dhe të trevave të tjera shqiptare, krerët e komuniteteve të tjera fetare në vend, ministra, deputetë e ambasadorë të akredituar në Tiranë, si dhe personalitete të tjera të larta të politikës, kulturës, artit dhe shkencave, nga të gjitha trevat shqiptare dhe nga diaspora.
Në emër të organizatorëve fjalën e hapjes e mbajti kancelari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Ali Zaimi. Më pas kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Haxhi Selim Muça, i cili pasi falënderoi të pranishmit, vlerësoi lart rolin dhe kontributin e personaliteteve islame në përpjekjet për pavarësinë e vendit dhe në konsolidimin e shtetit shqiptar në këto 100 vjet.
“Kur udhëton nëpër  historinë shqiptare dhe flet për lëvizjet dhe përpjekjet mbarëkombëtare, kupton se një rol të rëndësishëm kanë luajtur edhe rilindësit e mëdhenj shqiptarë, të cilët në shumë raste ishin prijës myslimanë me detyra fetare që nga imamë xhamish, e deri në drejtues të lartë si myfti, kryemyfti, kadi, myderriz dhe kryetar komuniteti, ku në kushte e rrethana të vështira punuan për krijimin dhe ngritjen e shtetit shqiptar, si dhe kontribuuan për forcimin dhe konsolidimin e këtij shteti, duke dhënë një ndihmesë të jashtëzakonshme në formësimin e vetëdijes kombëtare dhe fetare të popullit tonë” , theksoi kreu Muça.
Më tej ai shtoi se, periudha e Rilindjes Kombëtare dhe ajo e Pavarësisë, dëshmuan se ekzistenca e besimit fetar, jo vetëm që nuk u bë pengesë për përballimin e situatave të vështira të atyre kohërave, por u bë faktor i domosdoshëm për ruajtjen e pavarësisë dhe forcimin e shtetit, duke vlerësuar se diversiteti fetar ka qenë dhe është një pasuri kombëtare, kjo falë prijësve të shquar fetarë.
Më pas zoti Muça ka bërë një përshkrim të disa periudhave kryesore historike ku prijësit myslimanë fetarë kanë dhënë kontributin e tyre të paçmuar për kombin tonë. Gjithashtu kreu i myslimanëve shqiptar, ka vlerësuar kontributin e paraardhësve të tij për hapjen e medresesë së Tiranës në mars të 1924, e cila, siç tha ai, shumë shpejt u bë djep i dijes dhe kulturës kombëtare.
Ndërsa Kryeministri i Shqipërisë z. Sali Berisha, shprehu nderim dhe respekt për liderët shpirtëror dhe fetar kur tha: “Lider fetarë e udhëheqës shpirtëror, përulem me nderim dhe respekt përpara jush, para veprës së ndritur të paraardhësve tuaj, vazhdimit të saj me mençuri, dashuri e guxim nga ju dhe të gjithë udhëheqësit shpirtëror të këtij kombi.”
Kreu i qeverisë, Sali Berisha, duke folur në këtë konferencë ka deklaruar se udhëheqësit shpirtërorë të kombit duhet të marrin vendin e merituar në histori.
“Roli dhe kontributi i udhëheqësve shpirtëror të kombit, të besimit mysliman, ortodoks dhe katolik në 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë është injoruar dhe është harruar dhe kjo është shumë e vërtetë. Kjo e vërtetë e hidhur ka shpjegimin e vet të qartë, sepse për diktatorin në Shqipëri armiku më i egër se feja dhe besimi tek zoti nuk kishte. Ndaj dhe ai ndërmori ndaj tyre barbaritë më të pashembullta në historinë moderne të njerëzimit”, theksoi kryeministri Berisha.
Sipas tij, në Kosovë dhe në trojet shqiptare pushtuesi donte t’u impononte besimin e tij, ndaj dhe ky kapitull i rëndësishëm i historisë sonë duhet të dalë dhe të vendoset në piedestalin që meriton.
“Elita fetare e vendit ka meritat më të para nga të gjitha elitat e tjera. Në rast se vështrojmë kombet dhe historitë e tjera ju do të gjeni kombe të cilat kanë traditat mijëra vjeçare shkrimi, alfabetesh, bibliotekash librash dhe qytetërimi. Por kombi ynë ka një specifikë që se ka asnjë komb tjetër dhe është diamant i qytetërimit të kombeve dhe kjo është toleranca fetare. S’ka dhe s’mund të ketë asnjë tregues më epror për qytetarinë e një kombi sesa toleranca fetare”, shtoi kryeministri.
“Udhëheqësit fetarë të vendit punuan në shekuj për të ruajtur identitetin tonë kombëtar. Mësimet e profetit nuk e ndajnë kurrë atdheun nga feja. Dashuria për atdheun vjen nga besimi, ndaj shqiptaria është pjesë e pandarë e besimit. Udhëheqësit fetarë në net të gjata pushtimesh i shndërruan institucionet e kultit në vatra të fuqishme lirie. Drita e Lidhjes së Prizrenit u ndez në Medresenë e Xhamisë Bajrakli.
Kleri mysliman më përkushtimin e tyre mahnitës i shërbyen shqipes me përkthimet e tyre. Ishin klerikët ata që kontribuuan në hapjen e shkollës së parë shqipe. Hafiz Ali Korça, së bashku më personalitete të shquara të vendit, hapën mësonjëtoren e parë, Hafiz Ibarhim Dalliu, figurë aq e ndritur e kombit, që bëri gjithçka për të hapur Normalen e Elbasanit, krah Luigj Gurakuqit dhe të tjerëve, ata bënë gjithçka për të ndriçuar dhe ushqyer shpirtin e këtij kombi më mësimet e zotit dhe profetit, më mësimet e shenjta, dhe bëri që drita  e dijes të ndriçojë në zemrat e shqiptarëve”, tha kreu i qeverisë.
Në përfundim kryeministri i vendit  theksoi se “besimi në kombin tonë ka dhe do të ketë një të ardhme të ndritur. Shqiptarët duhet të jenë krenarë me besimet e tyre fetare dhe duhet përulen me nderimin më të madh ndaj udhëheqësve të tyre shpirtëror e fetar për kontributin e madh që ata kanë dhënë  në shekuj dhe mijëvjeçarë.”
Më pas fjalë përshëndetëse kanë mbajtur edhe përfaqësues të Bashkësive Islame Shqiptare të Kosovës, Maqedonisë e Malit të Zi
Myftiu i Kosovës, z. Naim Tërnava, i cili përshëndeti të gjithë shqiptarët, në këtë përvjetor jubilar dhe shprehu nderim të veçantë për të gjitha ata figura  që kontribuuan në aktin madhor në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë dhe për të gjitha ata që sakrifikuan para dhe pas shpalljes së pavarësisë.
“Kontributi i ulemasë  shqiptare ishte determinues  si në pjesëmarrjen aktive nëpër kryengritje të shumta duke i udhëhequr ato, por edhe duke dhënë  kurajë luftëtarëve të lirisë me këshilla e vepra dhe me autoritetin të cilin e gëzonin në masë. Ulemaja shqiptare ishe e motivuar nga mësimet Kuranore  dhe porositë e Muhamedit a.s.  që të japin në vazhdimësi kontributin e tyre  për liri dhe pavarësi. Po ashtu një kontribut të  madh kanë dhënë edhe institucionet fetare islame si: xhamitë, mektebet, medresetë e teqetë, të cilat ishin çerdhe e përpjekjeve për mbijetesë dhe pavarësi të shqiptarëve. Pavarësia e shqiptarëve dhe mbijetesa e tyre ndër shekuj është kontribut dhe rezultat i një vetëdije kombëtare e fetare kolektive që ka mbizotëruar tek shqiptarët, është rezultat i tolerancës, i harmonisë  e mirëkuptimit, virtyte këto me të cilat dallohet e veçohet ky popull”, u shpreh Myftiu i Kosovës.
Më tej ai ngriti shqetësimin se “historia jonë nuk është treguar  shumë e drejtë ndaj kontributit të ulemasë dhe institucioneve islame” dhe uroi që kjo konferencë  të shërbejë si një nismë e mbarë që të gjithë atyre që kontribuuan  për pavarësinë e Shqipërisë dhe ruajtjen e identitetit të tyre kombëtar e fetar, t’u jepet haku dhe të renditen  meritueshëm në panteonin  e historisë së kombit tonë.
Ndërsa nga ana e tij Kreu i Bashkësisë Islame të Maqedonisë z. Sulejman Rexhepi, ka  deklaruar se “100 vite më parë shqiptarët e Maqedonisë u përfaqësuan nga një hoxhë – Myftiu Vebi Dibra. 100 vite më vonë shqiptarët e këtij nënqielli që kanë mbetur jashtë kufijve administrativë të  shtetit Amë, përfaqësohen sërish nga një hoxhë, gjë që kanë treguar se gjatë këtij shekulli nuk kanë lëvizur nga dini e imani, por i kanë ruajtur me fanatizëm vlerat kombëtare dhe fetare duke qenë në shërbim të Zotit, Atdheut, Kombit dhe Lirisë.”
“Dijetarët islam gjithmonë kanë dëshmuar se kanë qenë sa krijues aq edhe veprimtarë të lëvizjes Kombëtare, të lëvizjes  gjithëkombëtare shqiptare. Kontributi i tyre ishte aq i madh saqë nuk e ndalnin dot as dëbimet e persekutimet, dhuna e shfarosja fizike”, tha ndër të tjera Kreu i Bashkësisë Islame të Maqedonisë.
Në përfundim, një fjalë të shkurtër përshëndetëse mbajti edhe Kreu i Bashkësisë Islame të Malit të Zi, z. Rifat Fejziç, i cili vlerësoi lart rolin dhe kontributin e myslimanëve në Pavarësinë e Shqipërisë dhe formimin e shtetit shqiptar.

Konferenca e organizuar nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, Bashkësia Islame e Kosovës dhe Bashkësia Islame e Maqedonisë  dhe mbarë trevave shqiptare, përkon me 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Në këtë konferencë dyditore, akademikë, studiues shqiptarë nga të katër anët e trojeve shqiptare, do të flasin për rolin dhe kontributin e jashtëzakonshëm të prijësve myslimanë, të atyre klerikëve të urtë, që ishin përkrah apo dhe në krye të patriotëve shqiptarë dhe në krye të çdo momenti vendimtar të historisë sonë.
Sesionet shkencore do të vazhdojnë në Universitetin BEDËR sot dhe nesër.
Me rastin e këtij viti jubile, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, ka marrë iniciativën e organizimit të shumë aktiviteteve, konferencave e botimeve, për të ndriçuar sadopak  historinë e lëvizjeve të mëdha kombëtare për liri e pavarësi, për arsimin dhe aspiratat në ndërtimin e identitetit kombëtar, ruajtjes së vlerave universale islame dhe trashëgimisë së madhe kulturore të harmonisë e bashkëjetesës tek shqiptarët.

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Drejtori Simnica priti në takim kryetarin e Xhamisë Shqiptare në Neumarkt të Gjermanisë, z. Naser Gashin

Prishtinë, më 19 prill 2024 Drejtori i Diasporës në Kryesinë e Bashkësisë Islame të Kosovë…