Ballina Lajme Komunës së Klinës do t’i shtohet edhe një xhami e re

Komunës së Klinës do t’i shtohet edhe një xhami e re

Prishtinë, 03.06.2015

Në përfundim të rrugës së re gjarpërore, që kalonte nëpërmes fushave të blerta dhe pamjeve pitoreske përreth, përfaqësues të Kryesisë së BIK-ut, me në krye Myftiun Naim ef. Tërnava, shoqëruar nga kryeimami Sabri Bajgora, zëvendëssekretari Rexhep Luma dhe zëvendëskryeimami Fatmir Iljazi, arritën në fshatin Këpuz, me qëllim të vënies së gurthemelit për një xhami të re, në një parcelën tokësore të dhuruar nga Komuna e Klinës.

Të shumtë ishin qytetarët e kësaj ane që kishin dalë të përjetojnë këto momente dëlirësie shpirtërore, në mesditën e së mërkurës të datës 3 qershor 2015. Përfaqësuesi i tyre, Halil Berisha, njëherit kryetar i fshatit Këpuz, ndër të tjera tha: “Është kënaqësi shumë e madhe që ndodhemi këtu, dhe së bashku me ju t’i gëzohemi këtij manifestimi këtu në Këpuz, pra me rastin e vënies së gurthemelit të këtij tempulli të shenjtë – xhamisë, sepse Allahu xh.sh. thotë: “Xhamitë i ndërtojnë ata që kanë besim të fuqishëm në Allahun dhe që besojnë në Ditën e Gjykimit. Nisur nga konteksti i thënies së Pejgamberit a.s., se kushdo që merr pjesë në ndërtimin e xhamisë, në çfarëdo forme qoftë, Allahu do t’i ndërtojë pallate në Xhenet, unë lutem për të gjithë ata që kontribuan, pra Allahu u dhashtë forcë e shëndet, energji e capital, që edhe punët tjera në rregullimin e infrastrukturës së këtij fshati t’i kryejnë me lehtësi. Në emër të fshatit ju falënderoj për pjesmarrjen tuaj!”, tha Berisha.
Në emër të Këshillit të Bashkësisë Islame të Klinës të pranishmit i përshëndeti dhe u uroi mirëseardhje kryetari, Kadri efendi Berisha, i cili ndër të tjera tha: “Sot është një ditë e madhe jo vetëm për Këshillin e Bashkësisë Islame, jo vetëm për fshatin Këpuz, por për tërë komunën e Klinës, pasi që këtij regjioni po i shtohet edhe më tepër bukuria me ndërtimin e xhamisë së re”.
Ai përshëndeti dhe falenderoi Myftiun e BIK-ut, Naim ef. Tërnava për donacionin e siguruar për ndërtimin e xhamisë, si dhe kryetarin e Komunës z. Sokol Bashota, për mbështetjen e vazhdueshme që po i jep Këshillit, në veçanti për ndarjen e parcelës tokësore për xhaminë e Këpuzit.
Këtë ngjarje e nderoi me prezencën e tij edhe i pari i komunës së Klinës, z. Sokol Bashota, i cili edhe u shpreh: “I nderuar Myfti, dhe ju të nderuar imamë që çdo ditë te popullata e gjerë përçoni mesazhet e Zotit, dhe bëni thirrje që gjithmonë qytetarët të ndjekin rrugën e drejtë. Në emër të institucionit që drejtoj, sot jo vetëm për Këpuzin dhe fshatrat përreth, por edhe për Kosovën mbarë, them është një ngjarje e rëndësishme, për arsye se ky tempull i shenjtë po ndërtohet në tokën shqiptare, në tokën e Kosovës. Nga këtu uroj që gjithmonë të ndëgjohet zëri i Zotit, dhe të jepen dhe të merren mesazhet e drejta, për çka është e dedikuar edhe kjo xhami. Historikisht shqiptarët ishin të privuar nga shumë të drejta, duke nisur nga ato më elementaret, përfshirë këtu edhe besimin në Zotin. Falë burrave që me petkun e hoxhës, me sakrificën, gatishmërinë  dhe mundin e tyre, jo vetëm që përçuan fjalën e Krijuesit te qytetarët, por u bën fli edhe për këtë tokë. Çdoherë që i kujtojmë, i vlerësojmë dhe i ngrisim ata, ne do të ecim më të sigurt drejt përparimit dhe perspektivës së këtij vendi, drejt integrimeve tona euroatlantike. Nga ky vend dhe nga kjo fushë kemi bërë thirrje për rezistencë ndaj pushtuesit, për mobilizim, për kapje të armëve në dorë. Fshati juaj këtë e ka dëshmuar më së miri, duke iu përgjigjur kësaj thirrjeje me rreshtim në radhët e UÇK-së, dhe ja, sot falë gjakut të bijëve tanë ne po i gëzojmë këto fryte. Urime dhe e gëzofshi këtë tempull!”, tha Bashota.
Myftiu i Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, Naim ef. Tërnava, dukej mjaft i emocionuar në mesin e fshatarëve që e kishin rrethuar dhe me padurim prisnin hedhjen e ndonjë lopate beton në themelet e kësaj xhamie, për t’u bërë në këtë mënyrë hisedar në shpërblimin e Zotit xh.sh. “Është kënaqësi e veçantë kur Myftiu gjendet në mesin e xhematit”, u shpreh Myftiu. “Është një ndjenjë e mirë që e përjeton prijësi fetar, sigurisht edhe xhemati. Por kjo ndjenjë rritet dhe fiton domethënie edhe më të madhe kur prezenca jonë këtu është për një vepër të lavdëruar nga Krijuesi ynë, pra për vënien e gurthemelit edhe të një shtëpie tjetër të Allahut xh.sh. Sigurisht se e drejta ekskluzive e ndërtimit të xhamive u takon atyre që e besojnë Zotin xh.sh., besojnë Ditën e Fundit, falin namaz, japin zekatin, e kështu me radhë, çka do të thotë se nga fuqia e mbrendshme që kemi në shpirtin tonë, në zemrën dhe mendjen tonë, ne edhe praktikisht  tregojmë se i përkasim  kësaj feje të bukur, e cila ka përmbushur shpirtin tonë me nevojat që i ka, edhe si individ, edhe si familje, edhe si shoqëri. Në emër të BIK-ut dëshiroj të falënderoj të gjithë ata që ndihmuan që kjo xhami të ndërtohet në këtë vend kaq të bukur, që ka dhënë shumë nga vetja edhe për çlirimin e vendit. Dëshiroj të falënderoj edhe kryetarin Bashota, për bashkëpunimin me ne, i cili ka zgjatur dorën e ndihmës për Këshillin e BI-së në Klinë, duke restauruar në tërësi xhaminë e qytetit dhe objektet përreth saj. Më lejoni të ritheksoj se falë sakrificës dhe kontributit të këtij populli ne ndërtojmë edhe infrastrukturë moderne, ndërtojmë spitale, shkolla, çerdhe e xhami, ku praktikojmë porositë e të Madhit Zot. Kjo fe e jona është përplot me humanitet e tolerancë, është përplot me mëshirë që respekton vetën dhe të tjerët, respekton besimin që kemi, por respekton edhe besimet e tjera. Andaj, nga kjo xhami e lus Zotin dhe uroj që të reflektohet vetëm drita dhe shkëlqimi i ardhmërisë, bashkimi, uniteti dhe edukata e brezit të ri, që do të vijë pas nesh, për të ruajtur këtë fe e këtë atdhe, ku i Madhi Zot na ka krijuar dhe na ka bërë borxhli që t’i dalim zot. Lum përa ta që ia dhuruan jetën këtij vendi, lum për ata që u flijuan për këtë vend, duke e fituar në këtë mënyrë shpërblimin e Allahut – pavdekshmërinë dhe përjetësinë. Edhe një here, urime!”, tha  në fjalën e tij Myftiu Tërnava.
Ashtu siç e do tradita dhe zakoni ynë shqiptar, nikoqiri kishte përgatitur një drekë për të gjithë të pranishmit. Të mbedhur rreth sofrës, përfaqësues të shumë fshatrave të atyre anëve rikujtuan periudhat e errëta kohore nën pushtimin serb, me këtë rast duke vlerësuar dhe çmuar rolin e institucionit të BIK-ut ndër vite, e sidomos për kontributdhënien në krijim të shtetësisë dhe pavarësisë së vendit tonë, e duke mos lënë anash as Medresenë “Alauddin” dhe gjithë xhamitë e Kosovës, që shërbyen si vatra të dijes dhe arsimit edhe në kohën kur shkollat shqipe u mbyllën dhunshëm nga pushtuesi serb.{gallery}kepuz{/gallery}

Shfaq më shumë artikuj të ngjashëm
Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Myftiu Tërnava merr pjesë në hapjen e xhamisë në Dubravë të Suharekës

Prishtinë, 25 maj 2017 Myftiu i Republikës së Kosovës, Naim ef.Tërnava me bashkëpunëtorë m…