Prishtinë, 1 shtator 2017

Si tradicionalisht, në të gjitha xhamitë e Republikës së Kosovës, si në tërë botën ku jetojnë myslimanët, me gëzim e hare u kremtua festa e Kuban Bajramit. Manifestimi qendror për Kosovë u mbajt në xhaminë “Sulltan Mehmet – Fatih”, në Prishtinë, që u hap me faljen e namazit të sabahut, të cilit i priu Egzon ef. Ibrahimi. Pas namazit të sabahut për besimtarët u dha një program me ilahi, kaside e këndim Kurani. Ndërsa më pas u mbajt ligjërata tematike kushtuar kësaj feste, nga kryetari i KBI të Prishtinës Hetem ef. Sopiani i cili tha se dita e Kurban Bajramit është një ditë e madhe, ditë kur lartësojmë Zotin dhe kryejmë obligimet tona ndaj Zotit, duke shpresuar që në tërë botën të mbizotërojë paqja, mirësia dhe solidariteti. Ai më tutje tha se Festa e Kurban Bajramit na e përkujton ngadhënjimin e besimit, bindjes dhe dashurisë ndaj Allahut mbi të gjitha lakmitë e kësaj bote, bile edhe mbi pasurinë dhe fëmijët tanë. Këtë sprovë e përjetuan edhe dy pejgamberët e Allahut xh.sh. Ibrahimi dhe Ismaili a.s. (babë e bir), por që të dy vërtetuan se jo rastësisht ishin të zgjedhurit e Zotit. Ibrahimi a.s. tregoi gatishmërinë që të flijojë djalin e tij të cilin Zoti ia kishte falur në moshën e pleqërisë, diçka që për ne do të ishte absurde, por edhe gatishmëria e Ismailit a.s. ishte në nivel.

Gallery Wordpress

Namazit të Kurban Bajramit priu mr. Jakup Çunaku- drejtor i Medresesë Alauddin në Prishtinë, ndërsa hytben e Bajramit e mbajti kryemami i Republikës së Kosovës prof. Sabri ef. Bajgora i cili edhe iu drejtua opinionit të gjerë me mesazhin për këtë festë duke theksuar se këto festa ngjallin ndjenjën për vepra të mira. Ai ka veçuar se sot është një ditë e madhe feste për mbarë myslimanët. Është Dita e Kurban Bajramit. Është ditë që bashkon zemrat e miliona besimtarëve anekënd botës, por në veçanti, të atyre që sot gjenden në vendet e shenjta, në Arefat, Muzdelife, Mina dhe në vetë Mekën e bekuar. Ata, të veshur me një petk të bardhë që simbolizon thjeshtësinë dhe dëlirësinë shpirtërore, shfaqin para botës unitetin, barazinë, solidaritetin, devotshmërinë dhe madhështinë e këtij Ymeti. Ata sot, janë në përfundim të ritualeve të Haxhit, i cili është një demonstrim i fuqishëm i universalitetit të kësaj feje dhe i vëllazërimit në mes myslimanëve, pavarësisht racës, ngjyrës apo etnisë. Këta duke kryer Haxhin, zbatojnë edhe në praktikë, njërin prej 5 fondamenteve bazë të Islamit, për të cilin i Madhi Zot xh.sh. thotë:“Vizita e Qabes për hir të Allahut, është detyrim për atë që ka mundësi.,” – (Ali Imran, 97). “Islami, si fe hyjnore, në vete bart mesazhin e Paqes Universale, dhe si parim bazë ka formimin e një shoqërie të shëndoshë, dinjitoze e humane, me vlera të larta morale. Nën hijen e kësaj shoqërie të njerëzishme, të gjithë njerëzit pa kurrfarë dallimesh, do të gëzojnë lumturinë e vërtetë si shpirtërore ashtu edhe atë materiale”-shtoi Kryeimami Bajgora

Kryeimami Bajgora theksoi se sot, për fat të keq, Bota po vlon nga konfliktet e armatosura, duke shkaktuar vdekje të njerëzve të pafajshëm, tmerr e dhunë dhe dëbim nga vatrat e tyre. Te një pjesë e njerëzimit pothuajse ka humbur arsyeja dhe humaniteti, andaj të lutemi në këtë ditë të bekuar dhe të kontribuojmë për shuarjen e çdo konflikti dhe armiqësie. Sot më tepër se kurrë kemi nevojë, për paqe e dashuri, kemi nevojë të flakim tej urrejtjet, armiqësitë dhe paragjykimet dhe të bashkëveprojmë drejt ndërtimit të një shoqërie njerëzore, në të cilën secili individ, do ta ndjente veten të dinjitetshëm..

Në fund ai ka ftuar të gjithë prijatarët tanë politikë, si dhe qytetarët e Republikës së Kosovës, që të punojnë e kontribuojnë edhe më shumë për ndërtimin dhe fuqizimin e mëtutjemë të Vendi tonë.

Kontributi ynë për ndërtimin e një shteti funksional, ku do të respektohet e drejta e çdo individi, është amanet mbi amanete dhe detyrë e shenjtë.

Duanë e namazit të Kurban Bajramit e bëri Ahmet ef. Sadriu, drejtor për shtyp dhe veprimtari botuese në Kryesi të BIRK-së duke e lutur Zotin që në këtë ditë feste, zbrite mëshirën Tënde mbi ne, familjet tona, mbi myslimanet dhe njerëzinë mbarë. Mundësona që të jetojmë në paqe dhe harmoni me të tjerët, largoj e urrejtjen dhe dhunën mes nesh.

O Zot ynë, në këtë ditë të bekuar po të lutemi për më shumë mirësi, paqe, lumturi e mirëqenie. Bekoje familjen, rininë dhe popullin tonë.

O Zoti ynë mundësoje që në këto ditë feste të mos mungoj solidariteti mes nesh, duke i kujtuar ata që kanë nevojë për shtrirjen e dorës së ndihmës.

O Zoti ynë na i falë mëkatet tona dhe na bëj banorë të xhenetit ja rabbi.

O Zot ynë haxhinjtë tanë të cilët këto ditë janë mysafir Tu, pranoje haxhin dhe lutjet e tyre dhe të na kthehen shëndosh e mirë në familjet e tyre.

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Myftiu Tërnava priti në takim zv/ministrin e Jashtëm të Turqisë, z. Yasin Ekrem Serim

Prishtinë, më 28 mars 2024 Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnav…