Prishtinë, 15 tetor 2013
Me të zbardhur të ditës, xhamitë e shumta anë e kënd Kosovës u mbushën me besimtarë për të falur namazin e Kuban-Bajramit. Manifestimet që mbahen me rastin e Kurban – Bajramit  i referohen sakrificës e dashurisë njerëzore, mëshirës e faljes, mirëkuptimit, vëllazërimit e paqes, pastaj  unitetin, barazisë dhe solidaritetit  në mes njerëzve në emër të besimit në Zotin.

Si zakonisht manifestimi qendror për Kosovë u mbajt në kryeqytet, në Xhaminë e Madhe (“Sulltan Mehmet – Fatih”), ku qenë të pranishëm drejtuesit më të lartë të BIK në krye me Myftiun Naim Tërnava. 
Manifestimi filloi me faljen e namazit të sabahut,  të cilit i priu imami, Musa ef. Avidu, pas të cilit për vlerën dhe rëndësinë e kësaj feste një ligjëratë tematike e mbajti, mr. Ekrem Siminica.
“Këtë festë të madhe të Bajramit e karakterizojnë dy komponente të rëndësishme me vlera të larta e fisnike – Haxhi dhe therja e Kurbanit.
Haxhi paraqet tubimin më të madh dhe më të rregullt botëror mbi mirëqenien njerëzore si tërësi ku mbizotëron paqja dhe mëshira”- tha Ekrem ef. Siminca. Ndërsa, për kurbanin u shpreh: “Qëllimi dhe rëndësia kryesore e çdo dispozite islame është devotshmëria, gjegjësisht, pasurimi me vlera të larta. Pra, edhe institucioni i Kurbanit ka rëndësi dhe vlerë të madhe në formimin e personalitetit të njeriut dhe bashkësisë.”
Faljes së namazit të Kurban – Bajramit i  priu sekretari i përgjithshëm i BIK, Resul ef. Rexhepi,  ndërkaq hytben e  Kurban – Bajramit e mbajti Myftiu Naim Tërnava.
“Sot, në këtë festë të cilës edhe më shumë i shton vlerën Haxhi dhe prerja e Kurbanit, obligime të cilat i kryejmë në shenjë respekti e bindje në urdhrat e të Madhit Zot, na shtyjnë që ne të rikujtojmë edhe njëherë begatitë dhe porositë e shumta të dërguara te njerëzit përmes të të zgjedhurve të Allahut xh.sh., pejgamberëve. Këto urtësi Hyjnore në vazhdimësi u barten përmes Pejgamberëve te popujt e ndryshëm.
Ne rikujtojmë dashurinë e respektin e madh të Ibrahimit a.s. me birin e tij Ismailin, gjithherë në kërkim për t’iu afruar sa më shumë Allahut xh.sh. dhe porosive hyjnore, të drejtës, të vërtetës dhe të mirës. Në kërkim të vazhdueshëm të gjetjes së lartësisë shpirtërore në atmosferën e Haxhit dhe prerjes së kurbanit, duke e harruar për një çast botën e përkohshme”.
Me tutje myftiu tha: “Vlerat e Kuranit i bëjnë myslimanët të përgjegjshëm për ti trajtuar të gjithë njerëzit, mysliman apo jomysliman, me mirësjellje e drejtësi, për të parandaluar përhapjen e mizorisë, e cila përfshin të gjitha format e anarkisë dhe terrorit që godasin sigurinë, qetësin dhe paqen. Besimtarët kanë përgjegjësi për pengimin e këtyre njerëzve, duke ndaluar mizorit në tokë dhe duke sjellë paqe e siguri për të gjithë njerëzit e botës, duke i përshkruar ata që bëjnë vepra të tilla të liga si ndjekës të gjurmëve të djallit.
Akte të tilla po ndodhin fatkeqësisht nëpër botë, skena trishtuese po paraqiten nëpër ekrane të shumta, që vijnë si rezultat i largimit nga morali i mbështetur në dashuri, respekt e tolerancë, virtyte këto për të cilat ka urdhëruar Zoti në Kuran.
Ndaj të punojmë në forcimin e besimit në mesin tonë, në vëllazërimin e njerëzve mes vete, për krijimin e kushteve sa më të mira për jetë.
– Të shtrijmë dorën e pajtimit me njëri – tjetrin,të harrojmë zënkat dhe armiqësitë.
– Të punojmë për paqe dhe harmoni mes njerëzve.
– Të rrisim besueshmërinë mes nesh.
– Të  respektojmë besimet e njëri tjetrit. Të jemi shembull për harmoni fetare në botë, ashtu siç kemi qenë deri sot.
-Të punojmë për avancimin e mundësive dhe vlerave tona që na i ka dhuruar Allahu, duke punuar për një të ardhme sa më të mirë për brezat që po vijnë.
Shoqëria jonë, si asnjëherë deri tash, ka nevojë për vlera të mirëfillta shpirtërore. Prandaj, unë duke shfrytëzuar këtë rast, në këtë ditë të shenjt dhe nga ky vend i shenjt, i ftoi të gjithë besimtarët tanë, të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë që të bashkëveprojnë drejt ndërtimit të një shoqërie të shëndoshë, të pastër e të ndershme dhe të mos lejojmë që në mesin tonë të depërtoi virusi degjenerues e devalvues”.
Manifestime kushtuar Kurban-Bajramit u mbajtën  në të gjitha xhamitë e Kosovës.{gallery}kb13{/gallery}

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Myftiu Tërnava u prit në takim nga sekretari gjeneral i Ligës së Botës Islame RABITA, dr. Muhamed Abdulkerim al Isa

Prishtinë, më 23 prill 2024 Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërna…