Ballina Njoftime Deklaratë e Myftiut për aktin vandal të përdhosjes së varrezave hebraike në Prishtinë

Deklaratë e Myftiut për aktin vandal të përdhosjes së varrezave hebraike në Prishtinë

Prishtinë, 2 dhjetor 2011

 

Deklaratë e Myftiut të Kosovës Naim Tërnava për aktin vandal të përdhosjes së varrezave hebraike në Prishtinë

 

Në emrin tim personal, në emër të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovë, në emër të punonjësve të Bashkësisë Islame, dhe në emër të besimtarëve islam, dënoj fuqishëm atakimin dhe përdhosjen e varrezave hebraike në Prishtinë.

Është e ditur botërisht se hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe ndjekjeve të nazisteve, gjetën mbrojtje, përkrahje dhe strehim gjithandej ndër shqiptarët. Të parët tanë e bënë këtë vepër humane  e njerëzore, madje duke rrezikuar edhe veten e tyre. Populli ynë po ashtu ka ruajtur dhe trajtuar me dinjitet ndër dekada këto varreza si dëshmi e një realiteti historik dhe e një periudhe ndër më të errëtat të njerëzimit.

Përdhosja, dhunimi dhe atakimi i varrezave, përveçse është i dënueshëm sipas parimeve fetare, nuk ka të bëjë as me traditën e popullit të Kosovë.

Sipas mësimeve islame, të atakosh vendin e të vdekurve, është vepër e urryer, përkitazi me këtë i dërguari Muhamedi a.s. ka thënë: “Kush shkel mbi varr, shkel në zjarr”.

Ne jemi mësuar dhe edukuar nga të parët tanë që të respektojmë e të vlerësojmë fenë, përkatësinë dhe traditën e tjetrit, andaj këtë vepër e konsiderojmë edhe atak mbi vlerat dhe frymën e tolerancës e mirëkuptimit ndërfetar  që populli i Kosovës i ka kultivuar me shekuj.

Kërkoj, nga organet përgjegjëse që sa më parë të gjejnë autorët e këtij akti brutal dhe të njëjtit të nxirren para drejtësisë.

Shfaq më shumë në Njoftime

Shfleto

Varroset Mustafë ef. Dervisholli

Prishtinë, 23 maj 2020Sot në varrezat e fshatit Obranq të Podujevës me pjesëmarrjen e fami…