Mr. Ajni Sinani

I Lartësuar është Ai që e barti robin e Tij (Muhamedin a.s.) natën nga Mesxhidul Harami (në Mekë) në Mesxhidul Aksa (të Kudsit), rrethinën e secilës e kemi bekuar, për t’i treguar atij disa nga mrekullitë Tona. Ai, me të vërtetë dëgjon çdo gjë dhe sheh çdo gjë.” (El Isra, 1)
Allahu i njeh më së miri robërit e Tij, prandaj Ai, qoftë i Lavdëruar, i dha në kohën më kritike dhuratën më të mirë dhe mbështetjen më të fuqishme shpirtërore Pejgamberit më të dashur. Kështu erdhi ajo natë e madhe dhe e shenjtë, kur i Dërguari i Allahut do të shihte sekretet e botës së padukshme që s’mund të shihen nga syri i njeriut. Atë natë meleku Ridvan, ruajtësi i Xhennetit, ishte njoftuar se do ta nderonte një mysafir i veçantë.

Ai do ta priste njeriun dhe krijesën më të bekuar dhe më të denjë për nderime e respekt të vazhdueshëm e të pafund. Muxhizja e Israsë dhe Miraxhit është shprehje e nderit më të lartë që Allahu ia kishte caktuar vetëm Muhamed Mustafasë. Meleku më besnik, Xhibril Emini, qe urdhëruar të sillte Burakun, që ishte më i shpejtë se rrufeja dhe drita, tek njeriu dhe pejgamberi më besnik, Muhamed Emini. Pejgamberi a.s. do të përshkonte hapësirat e universit që s’mund të arrihen në aspektin fizik, dhe do ngjitej deri në ato lartësi, që Allahu i ka caktuar si kufij të fundit, të cilit nuk i ka arritur asndonjë pejgamber i zgjedhur dhe as ndonjë melek i afërt. Jo vetëm nga aspekti fetar, po edhe nga pikëpamja logjike, është e mundshme që Krijuesi Absolut dhe i Plotfuqishëm, që ka krijuar çdo gjë që ekziston në univers dhe vetë universin, e ka fare të lehtë të modifikojë, kurdo që Ai dëshiron, ligjet e natyrës që Ai i ka vendosur. Nëse njeriu me mundësitë dhe aftësitë e tij shumë të kufizuara, duke shfrytëzuar zbulimet teknike, mund të bartet nga një cep në një cep tjetër të globit, madje të udhëtojë edhe në planetë të tjerë, vallë, a nuk mund ta bartë Krijuesi robin e Tij nëpër hapësirat e gjithësisë, madje deri në skajet e universit të cilin e ka krijuar Ai Vetë?!
Isra
Në gjuhën arabe me fjalën ‘Isra’ nënkuptohet udhëtimi natën. Mirëpo fjala “lejlen” (natën)
… që e barti robin e Tij natën“, e përmendur në ajetin e parë të sures “el Isra”, nënkupton një pjesë të natës dhe jo tërë natën. Isra është udhëtimi tokësor që Allahu ia mundësoi Pejgamberit përmes Burakut, në vijën horizontale – nga Qabeja në Kuds. Në hadithet e tij Pejgamberi a.s. thotë: “‘usrije bi” që do të thotë, jam bartur. Meqenëse ky udhëtim ishte impresionues dhe i mrekullueshëm, udhëtim që i është dhuruar enkas Muhammedit a.s., një sure kuranore është quajtur “El Isra”. Që në fillim të ajetit të parë të saj, Allahu i Madhërishëm përmend shprehjen “Subhane” (I Lartësuar është), që le të kuptohet se kjo ndodhi ka qenë një mrekulli e veçantë dhe një ngjarje e madhërishme.
Mi’raxh
Fjala ‘Mir’axh’ ka kuptimin e ngjitjes dhe ngritjes në lartësi, të ngriturit lart. Prandaj, Mir’axhi nënkupton udhëtimin dhe ngjitjen e Pejgamberit a.s. në vijën vertikale, prej Kudsit në shtatë qiejt, deri në Sidretul Munteha, thellësira për të cilat di vetëm Allahu xh.sh. Është interesante të përmendet se Pejgamberi a.s. në udhëtimin e tij qiellor, nuk qe ngritur drejt nga Qabeja, por së pari qe bartur në Kuds/Jerusalem, në Bejtul-Makdis, dhe më pas, prej aty, qe ngritur nëpër shtatë qiejt dhe më tutje. Kjo mbase për të treguar rëndësinë e Kudsit për myslimanët dhe lidhjen mes Qabesë dhe Bejtul Makdisit. Depërtimi në një botë më të lartë shpirtërore
është synim i çdo Pejgamberi. Secili prej tyre në një kohë ka pasur momente të caktuara dhe ka arritur në një pozitë të lartë. Islami ia mundëson këtë përjetim të veçantë secilit mysliman përmes namazit pesë herë në ditë, në mënyrë të obligueshme, kurse në mënyrë vullnetare gjatë gjithë 24 orëve. Pejgamberi a.s. thotë: “Namazi është mi’raxhi i besimtarit”. (Essalatu mi’raxhul mu’min).
Një vit para Hixhretit
Myslimanët e kujtojnë këtë ngjarje të rëndësishme, që ka ndodhur pas vitit të pikëllimit “Amu-l-huzni”, në të cilin vdiqën Hatixhja r.a., gruaja besnike e Pejgamberit a.s. dhe Ebu Talibi, xhaxhai dhe mbrojtësi i tij. Ky udhëtim i Pejgamberit a.s., sipas shumicës së dijetarëve myslimanë, ka ngjarë në natën e 27 të muajit Rexheb, një vit para Hixhretit. Ai ndodhi në një kohë kur myslimanët po përjetonin ditë të rrezikshme dhe të vështira. Mi’raxhi konsiderohet si ngjarja e fundit në Mekë para Hixhretit dhe do të ishte një përgatitje për periudhën pas tij.
Larja e zemrës
Enesi r.a. transmeton se i Dërguari a.s. ka thënë: “Kur isha në një gjendje si gjysmë në gjumë dhe gjysmë i zgjuar, erdhi tek unë ai (meleku Xhibril), i cili e hapi gjoksin tim, e mori zemrën time, e lau dhe e ktheu atë përsëri. Pastaj erdhi një krijesë, e cila ishte më e vogël se mushka e më e madhe se një gomar, që ishte e bardhë dhe që quhej Burak. Pastaj u barta prej saj … “.(Buhariu). Buraku e hidhte hapin në distancë aq sa mund të shihte syri.
Pengesat materiale
Me rastin e Israsë dhe Mi’raxhit, para syve të Muhamedit a.s. u zhdukën të gjitha pengesat e botës fizike, të cilat qëndrojnë si perde dhe pengojnë shikimin e botës shpirtërore. Pushuan të gjitha pengesat e kohës dhe hapësirës dhe të gjitha sekretet e qiellit e çdo gjë që ishte në tokë e fshehur, qe shfaqur në mënyrë të qartë dhe haptazi.
Koha dhe hapësira
Kur Pejgamberi a.s. u kthye nga ky udhëtim i jashtëzakonshëm, shtrati i tij nuk ishte ftohur ende dhe uji i abdesit nuk kishte pushuar së rrjedhuri ende nga ibriku. Kjo nuk është e pamundshme kur e dimë se Allahu është Ai Që e sundon kohën dhe gjithësinë. Ai ka bërë që shpejtësia e materies të mos arrijë shpejtësinë e dritës. Nëse arrihet që kohën ta vendosim (ta shndërrojmë) në zero, atëherë kalohet në amshueshmëri. Dhe këtë zero në kohë mund ta vendosë vetëm Allahu. Prandaj Allahu, me rastin e kësaj ndodhie, u urdhëroi të gjitha ligjeve që sundojnë në botën materiale, që të pushonin së vepruari për pak çaste dhe të largoheshin të gjitha pengesat e kohës, vendit, hapësirës, të folurit, dëgjimit, shikimit, udhëtimit, lëvizjes, qetësisë, lodhjes dhe pushimit.
El Aksa
Udhëtimi nga Qabeja në Kuds tregon vlerën e Mesxhidul Aksasë, që konsiderohet xhamia e tretë për nga rëndësia për myslimanët.
Pejgamberi a.s. ka ardhur në Aksa me anën e Burakut. Pasi e kishte lidhur, hyri në xhaminë e Aksasë dhe fali dy rekate namaz, duke u prirë si imam pejgamberëve të tjerë. Kur Pejgamberi a.s. doli jashtë xhamisë, Xhibrili a.s. i ofroi një kupë me qumësht dhe një tjetër me verë. Ai zgjodhi kupën e mbushur me qumësht. Xhibrili i tha: “Ke zgjedhur atë që është e natyrshme.
Sikur ta merrje këtë kupën tjetër, pasuesit e tu do të shkonin në rrugën e gabuar”. Pas kësaj Xhibrili e shpuri Pejgamberin a.s. drejt qiejve.
Kur arritën në qiellin e parë, Xhibrili kërkoi që të hapej dera. Ai u pyet se kush ishte ai që gjendej me të. Ai iu përgjigj se ishte Muhammedi a.s.
Pastaj u tha: “A është dërguar?” Xhibrili a.s. u përgjigj: “Po.” Meleku e hapi qiellin e parë dhe tha: “Banorët e qiellit janë të lumtur nga ky lajm i mirë”.Në këtë qiell Pejgamberi a.s. pa një njeri. Ky njeri, kur shikonte djathtas, qeshte, kurse, kur shikonte majtas, qante. Ky burrë, kur e pa të Dërguarin e Zotit, i tha: “Mirë se ke ardhur, Pejgamber i mirë dhe pasardhës i mirë”!
I Dërguari i Zotit pyeti se kush ishte ai njeri dhe iu tha se ai ishte hazreti Ademi. Në të djathtë të tij ishin shpirtrat e pasardhësve të tij, që do të hyjnë në Xhenet, kurse në të majtë shpirtrat e atyre që do të shkojnë në Xhehenem. Prandaj, Ademi a.s., kur shikonte në të djathtë, ishte i kënaqur, kurse, kur shikonte në të majtë, ishte i trishtuar. Në këtë mënyrë Pejgamberi a.s. kaloi në secilin qiell. Në çdo qiell takoi pejgamberë.
Në qiellin e dytë takoi Jahjain dhe Isain, në të tretin hazreti Jusufin, në të katërtin Idrisin, në të pestin Harunin, në të gjashtin Musain. Të gjithë i shprehnin mirëseardhje duke i thënë: “Mirë se vjen, pejgamberi i mirë, vëllai i mire”!Në qiellin e shtatë, i Dërguari a.s. pa hazreti Ibrahimin, që ishte mbështetur në “Bejtul Ma’mur”. Aty çdo ditë hynin nga shtatëdhjetë mijë melekë, të cilët nuk ktheheshin edhe një herë për të hyrë aty. Pastaj Pejgamberit iu tregua Xheneti. Kupa qiellore e Xhenetit ishte prej margaritarëve, kurse dheu i tokës prej myshku. Pejgamberi a.s. pa edhe Xhehenemin dhe gjëra të tjera të panumërta, si edhe Xhibrilin në pamjen e tij të vërtetë. Ai kaloi mbi qilimin Refref edhe pa Kursiun dhe Arshin. Muhamedi a.s. dëgjoi fërshëllimën (kërcitjen) e penës. Pra, nocioni kohë pushoi së ekzistuari dhe Pejgamberit a.s. iu prezantuan e shkuara, e tashmja dhe e ardhmja.
Ai arriti tek Sidretul Munteha. Xhibrili a.s. ndaloi aty duke thënë: “Nëse shkoj më tutje edhe
një qime floku, do të digjem dhe shkatërrohem”. Pejgamberi a.s. vazhdoi më tutje. I Dashuri i Allahut, në një mënyrë të panjohur dhe të pashembullt, arriti deri në lartësinë që kishte caktuar Allahu i Madhërishëm vetëm për të.
Aty iu ngrit perdja e sekreteve dhe ai u gjend në vendin e shenjtërive më të përsosura dhe të paarritshme nga cilado krijesë. Aty Allahu i ka shpallur ato që ka dashur dhe dëshiruar. Në këtë vend Pejgamberit i janë dhënë tri dhurata nga Allahu:
1.    Tri ajetet e fundit nga surja El Bekare;
2.    Premtimi me Xhennetin për ata që janë pasuesit e Muhamedit a.s., e që Allahut nuk i shoqërojnë dikë tjetër; dhe
3.    Falja e pesë namazeve gjatë ditës.
A ishte Mi’raxhi vetëm me shpirt apo edhe me trup?
Pejgamberi a.s. e ka bërë Mi’raxhin me shpirt e me trup dhe në gjendje të zgjuar. Konfirmim për këtë janë Fjalët e Allahut: “…që e barti robin e Tij (Muhamedin a.s.)”. Fjala rob (abd), e përdorur në ajetin kuranor, në arabisht do të thotë një qenie e plotë njerëzore e përbërë nga shpirti dhe trupi, ashtu siç është termi “insan”. Nuk ka dyshim se kjo është e mundshme dhe e pranueshme për logjikën e myslimanit, sepse Allahu është i Gjithëpushtetshëm dhe, kur Ai dëshiron diçka, vetëm thotë: “Bëhu! dhe ajo bëhet”. Madje edhe kundërshtimi i idhujtarëve ishte ngase ata e kishin kuptuar se Muhamedi a.s. kishte udhëtuar me shpirt e trup, se përndryshe ata nuk do ta kundërshtonin. Gjatë Israsë, trupi i Pejgamberit a.s. nuk ka pësuar ndryshime. Kurse gjatë Mi’raxhit, nëpër shtatë qiejt, trupi i Pejgamberit ka pësuar ndryshime. Pas arritjes në Sidretul Munteha, trupi i bekuar i Pejgamberit a.s. ka pësuar ndryshime edhe një herë, për të arritur aty ku nuk mund të shkonte madje as vetë Xhibrili a.s..
Kthimi dhe tregimi
Në mëngjes, Pejgamberi a.s. shkoi në Qabe dhe tregoi për Mi’raxhin. Kur e dëgjuan këtë të pafetë, ata filluan të bënin shaka. Shkuan tek Ebu Bekri dhe i thanë se miku yt thotë se brenda një nate ka shkuar në Kuds dhe është kthyer prej atje. Kur Ebu Bekri dëgjoi për këtë, u tha: “Nëse ai e ka thënë një gjë të tillë, unë i besoj”. Pejgamberi a.s. atë ditë e quajti Ebu Bekrin “Sidik” (i sinqertë). Idhujtarët, për ta sprovuar Pejgamberin a.s., i thanë: “Muhamed, ti thua se ke qenë në Kuds!
Na trego atëherë sa dyer dhe sa dritare ka xhamia Aksa”? Pejgamberi më vonë ka thënë: “Unë nuk kam ditur për atë që më pyetën ata. Por, kur filluan të më pyesnin, Xhibrili ma solli Mesxhidul Aksanë para syve. Unë e shihja atë, i numëroja (dyert e dritaret) dhe menjëherë u përgjigjesha pyetjeve të tyre”. Pejgamberi a.s. u tregoi idhujtarëve se, gjatë kthimit për në Mekë, kishte parë një karvan me udhëtarë me deve dhe se ata do të arrinin ditën e mërkurë. Ashtu edhe ndodhi. Karvani arriti të mërkurën, para perëndimit të diellit. Besimtarëve iu forcua besimi, kurse idhujtarëve kryeneçësia. Gjithashtu, atë mëngjes, Xhibrili a.s. shkoi dhe ia mësoi Pejgamberit a.s. mënyrën e faljes së pesë namazeve dhe kohët e tyre. Më parë namazi kishte dy rekate në mëngjes dhe dy rekate në mbrëmje.
Mësime
Nga Israja mësojmë se, atëherë kur heqin dorë njerëzit në tokë, vjen ndihma nga qielli. Lidhja në mes Mesxhidul Haramit dhe Mesxhidul Aksasë na bën me dije se këto dy xhami janë të shenjta. Namazi i Pejgamberit a.s. si imam i pejgamberëve të tjerë, ka domethënien se mesazhi i tij vlen për të gjithë popujt, për të gjitha vendet dhe do të vazhdojë të vlejë sa të ketë jetë mbi tokë. Të gjithë urdhrat dhe ndalimet i kanë ardhur Muhamedit a.s. nga Allahu nëpërmjet melekut Xhibril, e vetëm një obligim i ka ardhur drejtpërdrejt, dhe ai është namazi, gjë që tregon për rëndësinë e tij. Me namaz njeriu lartësohet dhe afrohet tek Allahu. Prandaj namazi nuk duhet të kundrohet vetëm si një obligim, po duhet të shndërrohet në një lloj miraxhi, ku ne të ndiejmë kënaqësinë e qëndrimit para Allahut dhe të komunikimit me Të.

Shfaq më shumë në Shkrime

Shfleto

Argumentet për vlerën e natës së 15 të muajit shaban

Një ndër muajt e preferuar, të cilët i ka veçuar Allahu i Madhëruar dhe që i ka dhënë një …