Prishtinë, 12 maj 2018

Në 19-vjetorin e ekzekutimit u përkujtua imami i shquar Ismet Limani

Në Prishtinë, më 12. 05. 2018, nën organizimin e Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës dhe Këshillit të Prishtinës, u mbajt akademi përkujtimore kushtuar imamit Ismet Limani në 19-vjetorin e ekzekutimit të tij nga forcat serbe.
Në këtë aktivitet përveç kolegëve, xhematit, ish-nxënësve, miqve e familjarëve, qenë të pranishëm edhe drejtuesit më të lart të BIK-ut, të prirë nga Myftiu i Kosovës Naim Tërnava.
Ismet ef. Limani aktivitetin e tij  kryesor e ka zhvilluar në xhaminë e Hajvalisë, ku ka dhënë një kontribut të madh në konsolidimin e xhematit të xhamisë, pasi ai pati fatin që të jetë imami i parë pas ndërtimit të xhamisë më 1996. Ismet efendiu është njohur si një mualim i shquar, i cili mësim-besimit i kishe kushtuar rëndësinë meritore dhe gjatë aktivitetit të tij në xhami u pati mësuar mësim-besimin disa gjeneratave të të rinjve të Hajvalisë.
Në fjalën e tij në akademinë kushtuar Ismet efendiut, Myftiu i Kosovës Naim Tërnava, përveç të tjerash, tha: “Hoxha Ismet ef. Limani me punën e tij arriti që të afronte rreth vetes në xhami shtresa të ndryshme të xhematit, t’u printe e të ishte me ta në gëzime e hidhërime, t’i dëgjonte, t’i udhëzonte, të bashkëbisedonte e të vepronte bashkërisht në të mirë të komunitetit, vendit e fesë.
Ai qe një njeri i përkushtuar në misionin e tij, i qetë, i përpiktë, i devotshëm, me urtësinë dhe butësinë që manifestonte qe bërë i dashur në mesin e xhematit, të cilët e çmonin dhe e respektonin shumë. I çmuar dhe i respektuar Ismet efendiu qe edhe nga koletë dhe institucioni ku punoi e veproi. Dha kontribut të çmuar në Këshillin e Bashkësisë Islame të Prishtinës.
Mirëpo, puna dhe aktiviteti i tij në edukimin e brezit të ri, derset dhe ligjëratat e tij, në veçanti ato me motive kombëtare, bënë që organet e pushtetit serbë ta vinin në shënjestër si të papërshtatshëm, kështu që ndaj tij, si edhe ndaj mijëra veprimtarëve anekënd Kosovës, nisin presionet e shantazhet nga më të ndryshmet nga autoritetet serbe, të cilat vëzhgonin me kujdes punën dhe aktivitetin e Ismet ef. Limanit, i cili xhaminë atë kohë e kishte bërë qendrën më të rëndësishme në komunitet. Për këtë ai disa herë u përndoq dhe u mor në pyetje nga segmente të sigurimit serb”
Më tutje, Myftiu duke folur për kontributin që ka dhënë në edukimin e brezit të ri, u shpreh: “Tani pas 19 vjetëve, kur Kosova është e lirë, sovrane e demokratike, mulla Ismetin nuk e kemi në mesin tonë, ngase siç e thamë më lart ai iu bashkua radhës së shehidëve për lirinë e vendin. Mirëpo, mulla Ismeti la mbrapa tij xhaminë ku shërbeu, Bashkësinë Islame dhe i la Kosovës një trashëgimi të pasur në fushën e edukimit shpirtëror. Nxënësit, të cilëve ai ua mësoi parimet themelore të fesë, nxënësit që ai ua mësoi edukimin fetar dhe ndenjën e atdhedashurisë, tani e sa kohë me sukses vazhdojnë rrugën dhe mision e mulla Ismetit. Disa prej tyre i gjejmë në radhët e Bashkësisë Islame, ku kryejnë detyrën me përgjegjësi, duke përfshirë këtu edhe imamin e xhamisë, ku veproi ai, por përveç kësaj talebe të mulla Ismetit gjejmë edhe të tjerë që janë të angazhuar në shumë institucione të tjera publike e të cilët nuk i kanë braktisur mësimet që morën nga ai.
Është detyrë jona, është detyrë e obligim i nxënëseve të tij, i xhematit të tij që misionin e mulla Ismetit ta vazhdojmë, ai ishte një model i mirë e një model i suksesshëm. Ai misionin dhe punën e tij e zhvilloi në kushte e rrethana të vështira, fillimisht u përball me sistemin monist e më vonë me riokupim, por asnjëra e as tjetra nuk e ndalën nga rruga i tij. Tani vendi ynë është i lirë, është bërë reale kauza për të cilën ranë dëshmorët dhe martirët e luftës së fundit, për ne mbetet që të angazhohemi për të ndërtuar një shoqëri të lirë, të edukuar, larg veseve të këqija, një shoqëri me integritet, që njeh vlerat hyjnore, humane e njerëzore”.

Gallery Wordpress Të pranishmit në akademi i përshëndeti edhe kryetari i Këshilli të Prishtinës Hetem Sopjani dhe vëllai i Ismetit Ridvan Limani. Në përfundim të akademisë u shfaq filmi dokumentar “Fanar i pashuar” i realizuar nga Zenel Hajrizi dhe Xheladin Fazliu dhe që i kushtohet jetës dhe veprës së Ismet ef. Limanit.

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Hytbeja e Myftiut të Kosovës, Naim ef. Tërnava, e mbajtur me rastin e festës së Fitër Bajramit

Familja Sot është ditë feste, ditë gëzimi, ditë mëshire e shpërblimi, ngase të gjitha adhu…