E nderuar zonja Presidente Jahjaga

Të nderuar udhëheqës të komuniteteve fetare,

 Të nderuar pjesëmarrës

 Të nderuar, zonja dhe zotërinj

 

Kam nderin dhe respektin e veçantë që sonte në qytetin e bukur të Prizrenit, qytet në të cilin edhe praktikisht mund ta shijojmë e përjetojmë bukurinë e bashkëjetesës e diversitetit të njerëzve e të besimeve dhe kulturave të ndryshme.

Në këtë qytet ku xhamitë, kishat dhe objektet e tjera të kulteve, janë dëshmi faktike e historike që dëshmojnë katërçipërisht për bashkëjetesën krah për krahë të besimeve dhe besimtarëve për shekuj me radhë.

Për popullin e Kosovës, është një nder i madh që njerëzit e vullnetit të mirë, njerëzit që kultivojnë, diskutojnë dhe shpërndajnë mesazhe paqeje, respekti e mirëkuptimi, mesazhe dashurie harmoni, të jenë mysafirë në sofrën dhe në vendin e tyre. Dhe jo vetëm kaq, por këto mesazhe hyjnore e fisnike t’i ndajnë edhe me ne, por njëkohësisht edhe të marrin nga përvojat, historia dhe tradita jonë e begatë.

Të nderuar të pranishëm,

Historikisht, populli ynë njihet për të kaluarën e tij të ndritur në kultivimin e tolerancës e mirëkuptimit ndër fetarë dhe ndërnacional. Vlerë kjo e kultivuar me shumë kujdes e fines nga të parët tanë brez pas brezi, aq sa në bënë të dallueshëm dhe na veçon nga shumë popuj të tjerë, dhe  njëkohësisht na bënë vend në mesin e popujve të qytetëruar që shquhen për këto virtyte.

Të nderuar pjesëmarrës,

Më lejoni të theksoj faktin se brenda dy muajve të fundit kam pasur rastin të marrë pjesë qoftë me kontribute, qoftë si pjesëmarrës në tri konferenca ndërkombëtare të cilat kishin për temë bosht përafërsisht e njëjtë temë sikurse kjo konferencë, e organizuar nga Qeveria e Kosovës.

Më lejoni po ashtu të theksoj edhe se ndër konkluzat e këtyre konferencave ishte edhe fakti se bota sot ka nevojë më shumë se kurrë për kultivimin dhe praktikimin e mësimeve hyjnore, për kultivimin dhe praktikimin e Fjalëve të Zotit, të cilat urdhërojnë për paqe, qetësi, dashuri, mirëkuptim, dialog e respekt, pa bërë dallime etnike, racore e fetare.

E, pikërisht këto urdhra e porosi, na detyrojnë neve besimtarëve të këtyre mësimeve e porosive, dhe sidomos në radhë të parë neve prijësve fetarë, që me fjalët dhe veprat tona, të jemi shembull në zbatimin dhe jetësimin e këtyre urdhrave hyjnorë.

Në anën tjetër, mosmarrëveshjet, konfliktet, dhuna e luftërat, fetarisht janë të dënueshme dhe vijnë si rezultat i urrejtjes, mosdurimit dhe mostolerancës, vese këto që njerëzimit i kanë sjellë shumë vuajtje, pasoja, dëme e shkatërrime të mëdha.

Të nderuar të pranishëm,

Feja islame është fe e paqes, parimet e së cilës pranojnë, njohin dhe bashkëjetojnë  me të tjerët. Madje vetë  emri “islam” domethënë “paqe”. Kurse një nga Emrat e bukur të Allahut është “Selam” që ka po këtë domethënie.

E, në Kuranin fisnik, ndër të tjerash, thuhet:

 “Ju keni fenë tuaj (të cilës i përmbaheni), e unë kam fenë time!” (El-Kafirun, 6)

Askush nuk mund të thotë diçka më shumë se kjo, ngase kjo thënie është hyjnore. Këtë duhet pranuar, besuar dhe praktikuar në jetën tonë të përditshme.

Kurse, në shumë vende në Kuran, Zoti i madhëruar i përmend pasuesit e librave tjerë të shpallur, dhe u bën thirrje atyre që të bashkohen që të gjithë dhe të jenë të bashkuar rreth parimeve themelore dhe porosive hyjnore.

Allahu xh.sh. thotë:

“Thuaju (o i Dërguar): “O ithtarë të librit, ejani të bashkohemi rreth një fjale të  drejtë mes nesh dhe mes jush: Të mos adhurojmë askënd pos Allahut, të mos ibëjmë Atij asnjë shok, dhe të mos e konsiderojmë njëri – tjetrin zotër pos Allahut”. (Ali-Imran, 64)

 Të nderuar të pranishëm,

Zoti i krijoi njerëzit të ndryshëm, si në besim, në adete e zakone, racë e gjuhë etj., me qëllimin e vetëm të njihen, bashkëpunojnë e të respektohen mes vete dhe jo të luftojnë njëri-tjetrin .

Në Kuran thuhet:

“Sikur të dëshironte Zoti yt, do t’i bënte njerëzit të një lloji, por nuk dëshiroi, Ai e di pse. Ata (njerëzit) vazhdimisht do jenë të ndryshëm mes vete”.(Hud, 118)

Përderisa kjo është kështu, atëherë nuk mund ta gjykojmë dhe nuk duhet ta gjykojmë fenë islame, nga veprimet e disa grupeve, qofshin ata edhe prej atyre që fshihen nën petkun islam.

Dhuna, vrasjet dhe gjakderdhja nuk kanë lidhje dhe nuk dalin nga mësimet  e fesë islame. Ato nuk janë të pranueshme në  fenë islame. Kurse ata që i bëjnë këto, duke vrarë njerëz të pafajshëm, nuk e kanë  razinë e Zotit dhe as miratimin e myslimanëve. 

Prandaj, duhet ta themi dhe këtë duhet ta përsërisim se  feja islame është e pastër nga ajo që po ia mveshin ata që fenë islame po e keqpërdorin për qëllimet e tyre antihumane dhe antifetare.

Bashkësia Islame e Republikës së Kosovës është e vetëdijshme për sfidat që po kalon Ymeti islam sot, prandaj ajo është e angazhuar dhe do të angazhohet në vazhdimësi me gjithë kapacitetet e saja për të mos lejuar që feja të shfrytëzohet dhe të mos manipulohet  për interesa sektare, medhhebore, politike e klanore, kushdo qofshin pjesëtarët e tyre dhe ngado që të vijnë ata. 

Të nderuar të pranishëm

Jam këtu që në emër të Bashkësisë Islame të Kosovës, institucioneve të saj, imamëve dhe xhematëve të saj, që të shpreh edhe një herë përkushtimin tonë, gatishmërinë, vendosmërinë, mirëkuptimin dhe vizionin tonë, që së bashku me Kishën Katolike të Kosovës si dhe me Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë të japim kontributin tonë për afrimin, pajtimin dhe bashkëjetesën midis besimtarëve tanë, me qëllim që të jetojmë në paqe, të lirë, në harmoni, me dinjitet e mirëkuptim të ndërsjellë.

Fundja, këtë e kemi mision me të cilin na ka ngarkuar Krijuesi ynë.

Njerëzimi ka nevojë për ne, për aq sa ne jemi interpretues dhe zbatues të drejtë e korrekt të mësimeve hyjnore.

Lus Zotin që e ardhmja e njerëzimit të jetë sa më e mirë, më e lumtur, më e begatshme, ku do të mbizotëroj paqja, lumturia, dashuria, dialogu, harmonia e mirëkuptimi.

Zoti na udhëzoftë dhe na drejtoftë në gjërat me të cilat Ai është i kënaqur! Amin! {gallery}interfaith14{/gallery}

(Fjala e Myftiu të Kosovës, Naim Tërnava , në hapjen e Konferencës së Dytë Ndërfetare në kuadër të javës së pajtimit dhe tolerancës ndërfetare, Prizren, 23 maj 2014)

Shfaq më shumë në Fjalime

Shfleto

Fjala e Myftiut Naim ef. Tërnava në promovimin e tri veprave të tij

I nderuari reis i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut, Shaqir ef. Fetahu, I n…