Të kultivojmë frymën e dashurisë, paqes, tolerancës e respektit të ndërsjellë*
Të nderuar e shumë te respektuar besimtarë!
Vëllezër e motra!
Sot është dita e parë e Fitër – Bajramit, besimtarët Islam anë e këndë botës kudo që ata jetojnë kanë mësyrë xhamitë, për të kryer edhe faljen e namazit të Fitër – Bajramit, i cili vjen si kurorëzim i agjërimit të muajit të Ramazanit, i tërë atij adhurimi e përkushtimi një mujorë që kemi bërë për Zotin xh.sh., në shenjë respekti për të gjitha këto të mira të cilat na i ka dhuruar gjatë jetës në këtë botë.

Me agjërimin e muajit  Ramazan –muajin e Kuranit, del në pah dorëzimi dhe nënshtrimi i plotë ndaj Zotit, pa dorëzim të plotë ndaj Zotit as adhurimi nuk mund të quhet adhurim. E as adhuruesi si adhurues i drejtë. Nisur nga kjo Allahu xh.sh. e ka bërë shpërblimin për agjërim që ti përkas vetëm Atij, se vetëm Ai do ti shpërblej agjëruesit. Allahu xh.sh. ka caktuar që ky muaj ti kushtohet zemrës dhe shpirtit,butësisë dhe durimit,qetësisë dhe urtësisë, për të edukuar pasanikun dhe për të kujtuar të varfrit.
Ndaj edhe sot, në këtë ditë feste jemi më të gëzuar se kurrë, sepse me përkushtim e nderë, agjëruam edhe këtë muaj me çka presim në shpërblimet e të Madhit Zot. E kjo është edukata që besimtari duhet të tregoi ndaj Allahut të Lartësuar.
Njeriu pa dyshim është krijesa e cila u nderua më së shumti nga ana e Allahut xh.sh., kur u kërkua nga ai të  besohet Allahu Një dhe të adhurohet vetëm Ai.
Allahu xh.sh. thotë:
Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër pos që të më adhurojnë. Unë nuk kërkoj prej tyre ndonjë furnizim e as s’dëshiroj të më ushqejnë ata”.(Edharijat: 56-57).
Nëse njeriu i kthehet vetës së tij, ai do të bindet dhe do të shprehë dashurin ndaj Krijuesit  dhe do ta adhuroi vetëm Atë. Me këtë ndjenjë të përkushtimit rrisim dashurin dhe besimin për Zotin Krijues të këtij Universi. Të mos lejojmë që veprat e liga të shkatërrojnë natyrshmërinë e pastër që bartë shpirti i njeriut. Besimi në Zotin mbështjellë zemrën e njeriut me iman e devotshmëri se Allahu xh.sh., është Krijuesi dhe furnizuesi i çdo gjëje.
Adhurimi është parim i parë, për të cilin Allahu xh.sh. zbriti librat hyjnorë, dhe dërgoi shumë Pejgamber, për ti ftuar njerëzit në këtë adhurim. Allahu xh.sh. thotë:
Ne nuk dërguam asnjë të dërguar para teje e të mos i kemi shpallur atij se: Nuk ka zot tjetër përveç Meje, pra më adhuroni!“El-Enbija-25
Është mëkat i madh për njeriun të cilit iu është dhuruar mendja dhe vullneti,që të jetoi i hutuar dhe i pavëmendshëm,pa ditur fare për vetën e tij e as për rolin e tij në këtë botë. Derisa roli i njeriut është kyç në këtë jetë,atij i takon udhëheqja në tokë,përgjegjësia por edhe llogari dhënia për punën dhe angazhimin e tij në këtë jetë. Është për të ardhur keq për ata të cilët janë të pa vëmendshëm sa duhet në urdhrat e Zotit xh.sh. largohen nga kjo botë pa shijuar më të mirën që ka kjo botë,e kjo është dashuria ndaj Allahut xh.sh., besimi e njohja e Tij. Kjo dashuri ndriçon zemrat me dritën hyjnore, gjuha  e tij nderohet me përmendjen e Allahut xh.sh., dhe gjymtyrët e njeriut zbukurohen me shërbimin ndaj Allahut të Madhërishëm.

Allahu xh. sh. thotë:
Kush bën vepër të mirë, qoftë mashkull ose femër, e duke qenë besimtar, Ne do t’i japim atij një jetë të mirë (në këtë botë), e (në botën tjetër) do t’u japim shpërblimin më të mirë për veprat e tyre”. En-Nahl:97
E kur myslimani e falënderon Allahun  xh.sh. për mirësitë e Tij, kthehet sinqerisht tek Ai, ku shpreson në faljen e Tij dhe i trembet dënimit të Tij. Atëherë Allahu xh.sh. e ngrit atë në shkallën më të lartë duke i dhuruar begatitë e  Tij. Këta njerëz e donë Allahun xh.sh.,e madhërojnë atë dhe zbatojnë urdhrat e Tij, këshillojnë për të mirë dhe nuk shkelin kufijtë e Tij. Këshilla për të mirë dhe ndalimi nga e keqja,janë obligim për çdo mysliman të moshës madhore. Këtë e përshkruan shumë mirë kur Llukmani i drejtohet birit të tij:”
O djali im, fale namazin, urdhëro për punë të mira, e ndalo nga të këqijat, përballo me durim çdo gjë që të godet, vërtet, këto janë nga çështjet më të preferuara”. Llukman-17
Derisa njeriu bënë edhe vepra të këqija dhe bëhet prej njerëzve mëkatar, Allahu xh.sh. e thërret atë që ai të pendohet duke i thënë.
“…Pendohuni të gjithë te All-llahu, o besimtarë, në mënyrë që të gjeni shpëtim”. Nur-31.
Andaj o besimtarë:Shpejtoni në punë të mira, largohu nga punët e liga e të këqija që të jetë Zoti i kënaqur me juve. Kjo do të ndikoj në faljen e mëkateve nga ana e Allahut xh.sh., dhe do tu shpërblej me xhenet i cili është premtuar për besimtarët e drejt e të devotshëm, ruani vetën nga mashtrimet e intrigat e shejtanit të mallkuar detyra e të cilit është mashtrimi dhe largimi i njeriut nga besimi dhe përkushtimi e adhurimi i Zotit xh.sh. Kjo thirrje e Allahut xh.sh., për besim në Zotin një dhe kryerjen e obligimeve ndaj Krijuesit të këtij universi, shoqëroi edhe njeriun e parë Ademin a.s. për të vazhduar te të gjithë pejgamberët e tjerë me radhë deri te Muhamedi a.s. të cilit iu shpall Kurani.
Ju vëllezër e motra, mos hezitoni asnjë herë edhe pas ramazanit t’ia mësyni xhamisë aty ku përmendet e adhurohet Allahu xh.sh., aty ku edukohet shpirti e pastrohet zemra nga çdo ves i keq, aty ku njeriu e gjen vetën më afër Zotit  xh.sh.
Mëkatet e mëparshme të mos jenë pengesë e pendimit, kthehu, që jetës  ti japish kuptim e domethënie, ngase këtë  jetë e krijoi i Madhi Zot. Dyert e kësaj feje universale për botën mbarë pa dallim kohe, gjuhe, race a vendi janë të hapura. Zoti është i mëshirshëm e mëshirën e tij në raport me njeriun e tregon edhe me këtë ajet kuranor.
S’ka dyshim se All-llahu nuk falë (mëkatin) t’i përshkruhet Atij shok (idhujtarinë), e përpos këtij (mëkati) i falë kujt do.“En-Nisa:48.
Edhe besimtari duhet të jetë i mëshirshëm, mëshira duhet të jetë pjesë e moralit të tij, kjo mëshirë e ky moral i lartë te njeriu lind nga pastërtia e shpirtit, duke bërë vepra të mira,dhe duke u larguar nga veprat e këqija,përmes së cilave ruan pastërtinë e shpirtit para Zotit dhe para njeriut. Besimtarit të tillë asnjëherë nuk i boshatiset zemra nga mëshira. Ndaj njeriu i mirë e donë mëshirën, mundohet ta zbatoi atë duke këshilluar edhe të tjerët se mëshira është vlerë njerëzore e natyrshmërisë së njeriut.
Muhamedi a.s. thotë:
Allahu i mëshiron ata njerëz që janë të  mëshirshëm
Prandaj është pjesë e njerëzores për çdo njeri, dhe gjithashtu pjesë e Islamit te çdo besimtarë ti zbutet zemra dhe tu dalë në ndihmë nevojtarëve, tu shtrijë dorën e ndihmës të varfërve,sepse vet Allahu i Madhërishëm është i Mëshirshëm dhe do ti mëshiroi robërit e Tij, që janë të mëshirshëm.
Vëllezër e motra!
Islami është fe e cila iu është shpallur njerëzimit me qëllimin e dhurimit të një jete paqësore, përmes së cilës të pasqyrohet në tokë mëshira dhe bamirësia e pafund në këtë jetë. Zoti xh.sh. i urdhëron të gjithë njerëzit në moralin Islam, ku bamirësia, paqja dhe toleranca mund të jenë pjesë e jetës në të gjithë botën.
Allahu xh.sh. thotë:
O ju që besuat, hyni në paqe tërësisht (përqafojeni fenë islame në tërësi), e mos ndiqni rrugën e djallit, sepse ai është armik juaji i hapët”.El-Bekare-208.
Kurani e bënë myslimanin përgjegjës për trajtimin  e njerëzve qofshin mysliman apo jo në mënyrë të ndershme,me mirësjellje dhe drejtësi. për të parandaluar përhapjen e mizorisë,anarkisë dhe terrorit, të cilat direkt godasin sigurinë,qetësin dhe paqen,në mesin e njerëzve.
Në Kuran thuhet:
“…… E All-llahu nuk e do çrregullimin (fesadin)”.El-Bekare-205.
Islami është i pastër nga të gjitha këto akte të cilat prodhojnë vetëm dhunë e pasiguri. Asgjë nuk ka feja Islame të përbashkët me këto akte të dhunës të cilat po ndodhin nëpër shumë vende të botës. Luftërat e shumta e të pa kuptimta të cilat sot po zhvillohen edhe në emër të fesë të cilat po sjellin vetëm, pasiguri, vrasje, terror, masakra, dhunime nuk kanë asgjë të përbashkët me porosit hyjnore të Madhit Zot. Të gjitha këto janë krime të cilat nuk përkojnë me natyrën e të qenit njeri, por megjithatë ndodhin nga vet njeriu i çfarëdo besimi qoftë ai.
Vrasja e njeriut është një prej akteve më mizore që bënë njeriu, historia njerëzore fatkeqësisht është plot e përplot me akte të tilla. Allahu xh.sh. përsërit në Kuran një urdhëresë të shpallur më herët te hebrenjtë në “Dhiatën e Vjetër”  kur thotë:
Për këtë (shkak të atij krimi) Ne u shpallëm (ligj) beni israilëve se kush mbyt një njeri (pa të drejtë), pa  mbytur ai ndonjë tjetër dhe pa  bërë ai ndonjë shkatërrim në tokë, atëherë (krimi i tij) është si t’i kishte mbytur gjithë njerëzit. E kush e ngjall (bëhet shkak që të jetë ai gjallë) është si t’i kishte ngjallur (shpëtuar) të gjithë njerëzit. Atyre (beni israilëve) u erdhën të dërguarit Tanë me argumente, mandej edhe pas këtij (vendimi) shumë prej tyre e teprojnë (kalojnë kufijtë në mbytje) në këtë tokë”.El-Maide-32.
Shëmbëlltyra e njerëzimit, më i dashuri i Allahut xh.sh., Muhamedi a.s. trondit botën me këtë thënie para 1400 vjetësh. Që edhe gjatë luftës duhet të ketë kod mirësjelljeje kur thotë:
Mos vrisni fëmijë! Shmangni  prekjen  e njerëzve që ia kanë përkushtuar vetën lutjes nëpër kisha!Kurrë mos vrisni gra dhe pleq!Mos digjni e as mos prisni pemë!Kurrë mos rrënoni shtëpi!”.
Vrasja e një njeriu pa drejtësisht është krim i cili është njësoj sikur me vrasjen e gjithë njerëzimit. Ndaj Allahu xh.sh., ka urdhëruar njeriu që ti largohet çdo të keqeje. Shtypja, mizoria, vrasja, gjakderdhja janë të gjitha të ndaluara. Megjithatë vëllezër e motra, në kohën e sotme aktet e terrorizmit, gjenocidit, krimit, masakrave ndodhin nëpër shumë vende të botës. Njerëz të pafajshëm vriten, fëmijë, gra burra të shtyrë në moshë,pa u kursyer fare për interesa tërësisht artificiale, dhe zhyten në gjakderdhje. Këto tmerre po ndodhin edhe në vende me histori e civilizim të lashtë si Bagdadi, Basra e Damasku, Palestina, vende të cilat i kanë dhanë botës civilizim, qytetërim e kulturë. Sot nga lufta e brendshme mes tyre po u kanoset edhe zhbërja si shtet.
Vëllezër e motra!
Zoti na urdhëron të kryejmë punë të mira.
Allahu xh.sh thotë:
“… Dhe bën mirë ashtu siç të ka bërë All-llahu ty, e mos bën të këqija në tokë, se All-llahu nuk i do çrregulluesit”.El-kisas-77.
Përkundër këtyre parimeve jemi dëshmitarë të asaj që edhe gjatë  këtij  muaji të bekuar të Ramazanit fatkeqësisht ishim dëshmitarë të shumë vrasjeve, torturave, maltretimeve, krimeve masakrave, nëpër shumë vende të botës a në veçanti në botën Islame. Po derdhet  shumë gjak i pakuptimtë, ku nuk u kursyen as të pa fajshmit, si fëmijët grat dhe burrat e shtyrë në moshë. Më e keqja e kësaj se kjo gjakderdhje po bëhet kinse në emër të fesë,a në realitet e gjithë kjo është kundër  parimeve të fesë Islame.
Kurani na ka urdhëruar që të jetojmë në paqe të respektojmë njëri tjetrin, të rrisim e forcojmë vlerat morale e njerëzore në mesin e besimtarëve, të bashkëpunojmë e veprojmë bashkërisht, në kultivimin e dashurisë mes njerëzve. Duhet ta dimë të gjithë se Islami është kundër dhunës kudo që paraqitet apo ndodhë ajo, është kundër vrasjeve të njerëzve të pa fajshëm, kundër torturave të natyrave të ndryshme, kundër çdo gjëje e cila shkon në dëm të shoqërisë njerëzore.
Ne jemi kundër çdo dhune pa varësisht se ku ajo ndodhë, pavarësisht se çfarë besimi i takon ai që e kryen. Duhet të ruajmë vendin tonë nga  ky sindromë shkatërrues, e i prishtë i cili synon destabilizim, përçarje, mos tolerancë, gjakderdhje e krime të natyrave të ndryshme. Interesat e individëve,të grupeve apo kujtdo qofshin ato duhet edhe më të ngrisim zërin e arsyes të gjithë ne, se nuk do të tolerojmë me asnjë çmim destabilizimin e vendit tonë përmes këtyre akteve në emër të fesë. Unë ftojë edhe me këtë rast të gjithë imamët, të gjithë popullin që të jemi syçelë dhe të mos iu krijojmë hapësirë e mundësi grupeve ekstreme e radikale të veprojnë në vendin tonë. Bashkësia Islame me tërë forcën e saj do të luftoi çdo lloj ekstremizmi e radikalizmi i çfarëdo ngjyre qoftë ai i cili shkon në dëm të shtetit tonë, të sigurisë së vendit tonë.
Bashkësia Islame është e përkushtuar që të mbroj vlerat e Islamit, dhe në raport me këtë nuk do të zmbrapset pa varësisht presionit që mund ta ketë nga qarqe të ndryshme.
Bashkësia Islame është kundër asaj që po ndodhë në Siri, Irak, e vende tjera, ku zullumi dhe masakrat janë prej më të ndryshmëve, ku po vriten e mbyten fëmijë e njerëz të pafajshëm, për disa interesa të pakuptimta.
Ne jemi edhe kundër vrasjes së njerëzve të pa fajshëm, fëmijëve grave e pleqve që po ndodhë në Gaza –Palestinë tash e sa vjet, a në veçanti  gjatë këtij muajit të Ramazanit. Ftojmë bashkësinë ndërkombëtare që të ndikoi dhe kjo luftë e këto vrasje e shkatërrime të ndalen, dhe të fillojnë bisedimet për gjetjen e zgjidhjes së problemit Palestinezo- Izraelit.
Gjithashtu bota demokratike të mos mbetet shikuese pasive e asaj që po ndodh me myslimanët e Mijan Marit në Burma dhe Afrikën Qendrore, të cilët po vriten e digjen vetëm pse janë myslimanë,e të cilët nuk kanë asnjë mbrojtje dhe kanë mbetur në harresë. T’iu ndihmohet atyre dhe të vendoset paqja mes të gjithë atyre që jetojnë në ato shtete.
Të nderuar vëllezër e motra!
Të kultivojmë frymën e dashurisë, paqes, tolerancës respektit të ndërsjellë edhe me besimet e tjera, që Kosova të jetë vend i harmonisë, bashkëpunimit të tolerancës e paqes. Ngase Islami është një fe e cila iu është shpallur njerëzimit me qëllimin e dhurimit të një jete paqësore, përmes së cilës pasqyrohet në tokë mëshira dhe bamirësia e pafund e Zotit.
Ky është edhe mesazhi universal i cili del nga kuptimi i drejt i agjërimit të muajit të shenjët të Ramazanit, mesazh i cili në vazhdimësi troket në ndërgjegjen e njeriut për ta rizgjuar atë, në mënyrë që bota të përqafoi paqen.
Më lejoni që nga ky vend i shenjët nga kjo xhami, edhe njëherë ta lus Krijuesin e këtij Universi për mirëqenien tuaj, kudo që gjendeni ju në Kosovë e brenda trojeve tona etnike shqiptare, por edhe në mërgatën e largët. Zoti na faltë begati të shumta edhe në këtë ditë të Bajramit.
Me fat ju qoftë festa e Fitër – Bajramit!

Myftiu i Kosovës
Naim Tërnava
28 korrik 2014

(Hytbeja e Myftiut të Kosovës, Naim ef. Tërnava me rastin e festës së Fitër- Bajramit të mbajtur sot në Xhaminë e Madhe të Prishtinës)

Shfaq më shumë në Hytbe

Shfleto

ANGAZHIMI FAMILJAR DHE KOLEKTIV PËR LUFTIMIN E DHUNËSN DAJ FEMRËS

Të nderuar vëllezër besimtarë!Brenda më pak se një jave u shënuan dy vrasje të grave nga b…