Në vazhdën e aktiviteteve të BIK, kryeimami i këtij institucioni, Sabri ef. Bajgora me bashkëpunëtorë (Fatmir Iljazi, Vedat Sahiti dhe Besim Mehmeti) me datën 08.02.2013 (e premte), vizituan qytetin e Gjakovës, gjegjësisht Këshillin e Bashkësisë Islame, kryetarin dhe imamët, Institutin e hifzit në ish Medresenë e Madhe, si dhe objektin e institucionit parashkollor – çerdhen e fëmijëve e cila ka përfunduar së ndërtuari.

Fillimisht takimi u zhvillua me kryetarin e Këshillit të KBI në Gjakovë, Ahmet ef. Hoxha, me ç’rast u bisedua rreth punës së Këshillit në përgjithësi, me theks të veçant mbi zhvillimin e jetës fetare në qytet dhe rrethinë. U cek se Gjakova vuan tash e sa kohë nga mungesa e kuadrit profesional të imamëve, për çfarë edhe shumë xhami në fshatra janë pasive dhe nuk funksionojnë fare. Kryeimami Bajgora premtoi se shumë shpejt kësaj problematike do t’i vie fundi, duke i bërë me dije kryetarit Hoxha, se Kryesia e BIK, së shpejti do të marrin përsipër mbulimin e tërë territorit të Gjakovës me imamë, në vendet ku ka nevojë. Për këtë, do të kemi përkrahjen edhe nga përfaqësuesi i DIYANET-it në Kosovë, z.Idris Keskin.
Në xhaminë e Hadumit në Gjakovë, kryeimami Bajgora mbajti hutben dhe fali namazin e xhumasë para xhematit që kishin mbushur xhaminë. Në fjalën e tij të cilën ia kushtoi lindjes së Muhammedit a.s., ai u shpreh: ”Lindja e Muhamedit a.s., shëndriti horizontet e kësaj gjithësie, duke ua ndriçuar njerëzimit shtigjet e udhëzimit hyjnor. Ai ishte shembulli më i pëkryer i moralit, i dashurisë dhe i sakrificës, prandaj çdo veprim yni në këtë botë, duhet të jetë konform urdhërave kuranore dhe porosive të tij fisnike. Ne si Ymet musliman, duhet të jemi krenar që jemi të përzgjedhur nga i Lartmadhërishmi që ta bartim mesazhin e fundit hyjnor tek gjeneratat që po vijnë. Vuajtjet që baballarët tanë i përjetuan nën thundrën e sistemit komunist, tash fatmirësisht i takojnë së kaluarës, prandaj ne, duhet të bëjmë përpjekje titanike, që të rinjtë tanë, t’i edukojmë në frymën e Islamit, i cili vazhdon të pulsojë me po atë dashuri e elan, sikurse në zemrat e të parëve tanë”.
Në takimin që kryeimami Bajgora pati me imamët e këtij qyteti, kërkoi nga ata që të jenë të devotshëm dhe të kryejnë punët dhe detyrat e tyre me përpikëri dhe përgjegjësi të plotë para Allahut dhe besimtarëve. Ai gjithashtu kërkoi nga imamët që të vazhdojnë ta ruajnë dhe kultivojnë unitetin dhe kompaktësinë që kanë paraqitur gjer më sot ndaj njëri tjetrit, e të mos lejojnë që dëshirat e imëta, interesat personale e egot vetanake të mbisundojnë interesat e islamit dhe institucionit ku veprojnë  duke mënjanuar në këtë mënyrë përçarjet apo moskënaqësitë eventuale që mund të ndodhin. Takimi ishte mjaft vëllazëror dhe i frytshëm.
Në vizitën që kryeimami Bajgora i bëri institutit të hivzit, u njoftua hollësisht për veprimtarinë dhe punën e tyre, dhe nga afër përcolli metodologjinë e nxënies përmendësh të Kuranit nga nxënësit e këtij instituti. Kryeimami i Kosovës, Sabri Bajgora dhe udhëheqësi i institutit të hivzit, Genqer Dirvari u dakorduan për bashkëpunim të fuqishëm dhe mbështetje të mëtutjeshme të Kryesisë së BIK karshi tyre.
Vizitat  në ditën e xhuma do të vazhdojnë më tej nga ana e Kryeimamit të BIK, Sabri Bajgora, nëpër të gjithë Këshillat e BI të Republikës së Kosovës më rradhë.

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Myftiu Tërnava po merr pjesë në sesionin e 23-të të Bordit të Lartë të Akademisë së Jurisprudencës Islame

Prishtinë, më 20 prill 2024 Në Riad të Arabisë Saudite, ka filluar punimet sesioni i 23-të…