Rexhep Elezaj

(Në vend të përgëzimit)

Fakulteti i Studimeve Islame, vatër e pashuar e dijes dhe Kulturës fetare

Më 25 janar 2003 u bënë dhjetë vjet që kur në Prishtinë u themelua Fakulteti i Studimeve Islame (FSI). Rrita dhe puna e këtij institucioni të lartë arsimor islam gjatë një dekade, patjetër na rikujton kohët e vështira dhe datat e lavdishme nga historia jonë e vjetër dhe e re. Na rikthen pashmangshëm në shpalimin e kohës dhe ecjes së saj shtigjeve të vështira, nëpër të cilat bashkë me të do të kalonte edhe fati dhe historia e mësimeve islame në Kosovë.

 

Ky përvjetor na rikujton Kosovën deri dje të okupuar egërsisht nga regjimet barbare serbe, të cilat për më shumë se një shekull torturuan dhe shkelën të drejtat fetare islame të shqiptarëve me metoda makabre anticivilizuese. Pushtuesit dhe uzurpuesit e tokave shqiptare janë të njohur për qëndrimet e tyre fashizoide ndaj fesë islame si dhe ndaj shqiptarëve. Që në fillim na shtrohet pyetja: A më shumë këto regjime zbrazën urrejtjet e tyre patologjike përmes shovinizmit fetar dhe egocentrizmit ortodoks ndaj fesë islame tek shqiptarët, apo përmes “izmave” të tjerë shpërfaqën shqiptarofobinë më shtazarake ndaj gjithë asaj që quhej kulturë dhe traditë shqiptare në Ballkan?!

Siç na mëson historia, në bazë të përvojës së hidhur të shqiptarëve me regjimet serbe gjatë historisë tragjike, gati gjithmonë ka rezultuar se duke shprehur urrejtjen kundër shqiptarëve si popull dhe si bartës me shumicë të besimit islam, në thelb regjimet serbe kanë manifestuar kundërshtitë e tyre, para së gjithash, ndaj pranisë dhe ekzistimit të kombit shqiptar në trojet e tij etnike, dhe se, duke shprehur shovinizmin hegjemonist-ortodoks ndaj tyre, ata njëkohësisht zbraznin urrejtjet kundër fesë islame si religjion hyjnor. Pra, gjatë gjithë kohës së okupimit serb të gjysmës së trojeve etnike shqiptare, duke bërë luftë dhe propagandë të paskrupullt kundër pranisë islame në jug të Europës, faktikisht ata bënin luftë kundër qenies kombëtare shqiptare, duke ushtruar dhunë, terror dhe gjenocid të paparë. Kështu, me këtë luftë të dyfishtë kundër shqiptarëve dhe kundër fesë islame, ata arritën që në qarqet evropiane ato veprime t’i paraqitnin si luftë të tyre të “shenjtë” në mbrojtje të Krishterimit, në emër të të cilit në gjysmën e dytë të shekullit 19 dëbuan me dhunë nga vatrat e tyre shekullore mbi 600 mijë shqiptarë të Toplicës, Nishit, Pazarit të Ri, etj., që i cilësuan si elementë të rrezikshëm për Evropën dhe kulturën e saj, sidomos në aspektin fetar. Dëshmia më e fortë se regjimet serbe kanë zbatuar politikë të kriminalizuar kundër pranisë së Islamizmit në Ballkan, është shkatërrimi në mënyrë barbare i 260 xhamive vetëm në Beograd deri në fillim të shekullit 20 dhe po këtë veprim makabër do ta përseritnin pas 99 vjetve gjatë luftës së fundit në Kosovë (1998/99) kur dogjën dhe bënë rrafsh me tokë mbi 240 xhami shqiptare. Pra, pas nëntë dekadash, regjimi kriminal i Beogradit do ta bëjë të njëjtin aktë krimit kundër pranisë islame në Ballkan, që në esencë ishte krim ndaj kulturës fetare të shqiptarëve(!?) Pse ishin kaq ngushtë të lidhura këto dy aspekte në luftën e regjimeve serbe kundër shqiptarëve, nuk është vështirë të kuptohet. Mbase një gjë këtu nuk duhet ta harrojmë kurrë: shqiptarët duke e ndier gjithnjë rrezikun nga shfarosja e tyre kolektive, duke e ndier vetën të përbuzur dhe të nënçmuar nga fqinjët e tyre veriorë (serbët) dhe nga ata jugorë (grekët), por edhe për faktin tjetër se kësaj çmendurie serbe antishqiptare shpesh do t’i dilte krah vetë Evropa me qëndrimet e saj pro Serbisë dhe pro Greqisë, duke përkrahur në këtë mënyrë hegjemonizmin ortodoks serbo-grek, etj, si dhe për shkak të hileve të mëdha që u bëheshin shqiptarëve pas shpine që nga shekulli 17 e këndej, këto kanë qenë shkaqe të mjaftueshme që me shumicë ta përqafojnë fenë islame. Prandaj, është i paqëndrueshëm historikisht mendimi i atyre që sot vazhdojnë t’i akuzojnë shqiptarët e përkatësisë fetare islame “se duke e lënë fenë e të parëve (Krishterimin), kanë tradhtuar Zotin dhe kombin..”(!?)

Pra, shumica e shqiptarëve e përqafuan Islamin, sepse në të gjetën shpëtimin e tyre kombëtar për t’iu shmangur zhbërjes graduale si komb, kështu që shkaqet e cekura më lart si dhe përkatësia e njëjtë fetare me armiqtë gllabërues, ishin motivet kryesore që i shtynë ta pranonin fenë islame, pa i harruar këtu as faktorët e tjerë tërheqës që do të ndeshin në filozofinë islame, mbi njeriun dhe jetën e tij si qenia fizike e shpirtërore më e përsosur në këtë botë, përkatësisht duke zbuluar të vërtetën e ekzistimit të Krijuesit të vetëm dhe të Gjithfuqishëm të gjithësisë, Zotit xh.sh., të cilit në Islam nuk mund t’i mvishen veti dhe hipoteza absurde, siç bëjnë disa fe.

I sollëm disa shembuj nga historia jonë, për të vënë në dukje se nga u vinin shqiptarëve të këqia, të cilat në vazhdimësi goditën rëndë qenien kombëtare dhe fetare të tyre, e që padyshim burim të vetin kishin hegjemonizmin e shfrenuar serb, i cili bëri orvatje të vazhdueshme që të zhdukte çdo gjë shqiptare në Ballkan, meqë, po të mos vepronte nacional-shovinizmi ortodoks serb, nuk do kishte konflikte dhe luftëra shqiptaro-serbe, por as kolonizim të trojeve etnike shqiptare, i cili për fat do të përfundonte më 12 qershor 1999, në Kosovë, pas disa shekujsh. Prandaj, bashkë me tmerret

që ka përjetuar pjesa e kombit shqiptar në Kosovë me trevat e tjera gjatë kohës së riokupimit serb të Kosovës (1945-1999) në aspektin e shtypjes së ndjenjave dhe të drejtave kombëtare, të njëjtin fat tragjik e ka pësuar edhe feja islame tek shqiptarët, e cila, falë disa rrethanave më të favorshme në Evropë dhe një politike më liberale pas vitit 1974, do të ndikonte që regjimi komunist ish-jugosllav të bënte disa lëshime të vogla duke lejuar që në Kosovë mësimi fetar islam të ngrihej në nivel të shkollimit të mesëm, siç ishte medreseja “Alauddin” e Prishtinës, të hapeshin xhami të reja nëpër fshatra e qytete të Kosovës, por në të cilat imamët edhe më tej nuk guxonin të flisnin asgjë për kombin dhe atdheun e tyre të robëruar, po vetëm për anën shpirtërore të besimtarit. Në rritjen e vetëdijes kombëtare te shqiptarët e Kosovës, që kur u themelua më 1951, kontribut të pazëvendësueshëm ka dhënë medreseja e mesme “Alauddin” e Prishtinës, po edhe xhamitë e shumta të cilat, me gjithë vështirësitë e mëdha me të cilat ballafaqoheshin gjatë okupimit të dyfishtë serbo-komunist, ia dolën ta mbijetonin këtë barbari antishqiptare dhe antiislame të pashembullt në historinë më të re të Evropës.

Pas gjithë këtyre katrahurave dhe dhunës që përjetoi kultura fetare islame e shqiptarëve në Kosovë, ushtruar nga regjimet krimenale serbe që nga shekulli i 18 e deri në çlirimin e Kosovës para afër katër vjetësh, shqiptarët do t’ia dalin të mbijetojnë edhe gjenocidin fetar, dhe kjo falë punës dhe angazhimit të përkushtuar të të gjithë faktorëve (Bashkësisë Islame, këshillave islamë nëpër komuna, etj.) dhe besimtarëve islamë kudo, të cilët për asnjë çast nuk iu nënshtruan dhunës dhe diktatit okupues serbosllav, falë vigjilencës kombëtare dhe fetare të intelektualëve, profesorëve, hoxhallarëve, studentëve dhe nxënësve shqiptarë, mundi i të cilëve fatbardhësisht do të kurorëzohej para 10 vjetësh me themelimin e Fakultetit të Studimeve Islame të Prishtinës, pikërisht në rrethana të okupimit klasik të Kosovës, me hapjen e të cilit më në fund arsimit dhe kulturës fetare islame do t’i hapej edhe një dritare e re e dritës dhe diturisë pas aq shumë vuajtjesh dhe

peripecish, pa funksionimin e të cilit mësimi dhe edukimi fetar islam në Kosovë do të ngelte i mangët, posaçërisht kur është fjala për emancipimin dhe ngritjen e kulturës dhe vetëdijes fetare, kombëtare e profesionale tek gjeneratat që do të vijnë. Sepse në këtë institucion të lartë arsimor për herë të parë në Kosovë do të zhvillohet mësimi dhe edukimi meritor mbi fenë dhe filozofinë islame në mënyrë të drejtë, të saktë, burimore dhe bashkëkohore, ku mësimet fetare islame, ajetet kuranore dhe hadithet e profetit Muhamed a.s. komentohen saktë, në mënyrë të plotë dhe krejtësisht afër kuptimit origjinal në gjuhën arabe, e jo siç ndaloheshin vlerat e fesë islame me masa represive gjatë gjithë kohës së diktaturës komuniste gjithandej në hapësirat shqiptare.

Për fund, të themi se pa respektimin e plotë dhe trajtimin e barabartë të feve në shoqërinë e re demokratike shqiptare, nuk mund të ketë tolerancë dhe as begatim të mëtejmë të vlerave morale dhe civilizuese, por as dialog të suksesshëm në ndërkomunikimin fetar në Kosovë, pa të cilin është i paimagjinueshëm jetësimi i parimeve të shoqërisë civile dhe multikulturore. Prandaj, duke pasur parasysh rrethanat e reja dhe demokratike të krijuara pas luftës në Kosovë, urojmë që FSI i Prishtinës ta çojë më tej misionin e nisur dhe të shenjtë drejt krijimit të bazave shkencore, ku besimi dhe feja islame të mos mund të keqinterpretohen më, gjegjësisht të mos paraqiten më qëndrime abuzive dhe nënçmuese ndaj saj, ngase Islamizmi me asgjë nuk e ka dëmtuar kombin shqiptar deri më sot, përkundrazi e ka ndihmuar në shumë aspekte, para së gjithash e ka mbrojtur nga zhdukja dhe asimilimi kolektiv si dhe nga shkrirja në kultura të huaja. Andaj, në emër të gjithë asaj që është punuar për të arritur deri këtu, përgëzojmë këtë institucion të lartë islam në Kosovë si dhe drejtuesit e tij për punën dhe mundin e bërë dhe që vazhdojnë ta bëjnë në ruajtjen dhe kultivimin e mëtejmë të kulturës shqiptare dhe vlerave të Islamit në Kosovë.

Shfaq më shumë në Shkrime

Shfleto

Argumentet për vlerën e natës së 15 të muajit shaban

Një ndër muajt e preferuar, të cilët i ka veçuar Allahu i Madhëruar dhe që i ka dhënë një …