Myftiu i Kosovës
Mr. Naim Tërnava

HASAN EFENDI NAHI PERSONALITETI ISLAM I SHEKULLIT NJEZET

 
Të nderuar të pranishëm në këtë sesion shkencor kushtuar Hasan Efendi Nahit i cili tërë jetën ishte në shërbim të fesë e atdheut.
Të nderuar Hoxhallarë e profesor, dashamir të fjalës së shkruar
Të nderuar mysafir
E nderuara familje
Të nderuar bashkëpunëtorë

Kam nderin e kënaqësinë që sot t’u drejtohem me një fjalë me rastin e mbajtjes së këtij sesioni shkencor kushtuar Hoxhës sonë Hasan efendi Nahit.

I lindur në Gjakovë më 12 mars 1905 Hasan efendi Nahi ishte një dijetar, mësues, hoxhë, studiues dhe mendimtar i madh i kohës në të cilën jetoi .Ai u arsimua në fillim nga babai dhe familja e tij, e cila kishte një traditë shumë të pasur Islame, por edhe atdhetare, për të vazhduar më vonë në Medresenë e Madhe të Gjakovës. Vitet e tridhjeta ishin vite të vështira për popullin shqiptar i cili tashmë ishte nën sundimin serb, përkundër kësaj gjendjeje Hasan efendi Nahi pati arsyen, guximin e gatishmërinë që të udhëtoi në drejtim të Kajros për të studiuar në universitetin e Az-harit, e për tu kthyer triumfalisht në vendlindje si udhëheqës shpirtëror i papërsëritshëm, për të qëndruar në krah të popullit të tij për ta edukuar e ndihmuar atë.
Me një energji të paparë deri në këtë kohë, Hasan efendi Nahi me punën e vazhdueshme arrin të rizgjoj ndjenjën dhe dashurin e madhe të popullit për fe e atdhe. I pajisur me virtyte e veçori të larta Islame ai bëri që populli shqiptarë të kthej shikimin kah ky njeri si shpëtimtar i së ardhmes Islame në Kosovë, e më gjerë. Hasan efendi Nahi I kushtoi tërë jetën e tij ngulitjes së bindjes tek njerëzit se feja e vërtet islame predikon dashurinë, mendje gjerësinë, mëshirën, seriozitetin në punë, paqen dhe shumë vlera tjera që e drejtojnë një person nga virtyti dhe njerëzorja.

Të nderuar të pranishëm!
Pas tërheqjes së perandorisë Osmane nga trojet tona, ndodhen ndodhi, ngjarje e luftëra të pa para më herët kundër popullit shqiptar i cili në shumicë i takonte besimit Islam. Copëtimi I trojeve etnike shqiptare, gjenocidi i vazhdueshëm mbi këtë popull të pa mbrojtur gati një shekull, instalimi me dhunë i sistemit komunist ateist i cili kishte për qëllim largimin e popullit nga besimi në Zotin Një.Për të arritur këtë nuk mbeti pothuajse mënyrë e metodë pa u përdorur kundër myslimanëve në Kosovë. Rezultat i kësaj ishte edhe largimi I shumë vëllezërve motrave tanë nga trojet tona etnike shqiptare , si në Turqi, Siri, Egjipt, e vende tjera nëpër Evropë e Amerikë.
Në këtë kohë tepër të vështirë të popullit shqiptarë nga aspekti fetar e kombëtar nga pushteti i atëhershëm ishin rrënuar e mbyllur shumë xhami, të gjitha medresetë e mejtepet, me qëllimin e vetëm që myslimanët të mos kenë shpresë për ardhmërinë e tyre e të emigrojnë nga Kosova. Hoxhallarët tanë, nuk u dorëzuan ata edhe pse mbretëronte një gjendje e jashtë zakonshme arritën që në vitin 51 të hapin Medresenë Alaudin, me hapjen e Medresesë të kthejnë edhe shpresën e humbur për një të ardhme sa më të mirë të Islamit.
Në këtë kohë kur besimtarët jetonin ditë tepër të vështira , kur luftohej çdo gjë Islame, i madhi Zot e dërgoi Hasan Efendi Nahin i cili ishte edhe simboli i shpresës për një ardhmëri më të mirë. Hasan efendi Nahi ishte një model i pa përsëritshëm, ai I qëndroi besnik fjalës së Allahut:
Allahu xh.thotë:
مِنَ الْمُؤْمِنِينَ رِجَالٌ صَدَقُوا مَا عَاهَدُوا اللَّهَ عَلَيْهِ فَمِنْهُمْ مَنْ قَضَى نَحْبَهُ وَمِنْهُمْ مَنْ يَنْتَظِرُ وَمَا بَدَّلُوا تَبْدِيلاً
”Prej besimtarëve kishte burra që vërtetuan besën e dhënë Allahut, e disa prej tyre e realizuan premtimin duke dhënë jetën, dhe ka prej tyre që janë duke pritur (ta zbatojnë) dhe ashtu nuk bënë kurfar ndryshimi”. (El-Ahzab-23).
Hasan efendi Nahi ishte burrë që I qëndroi besnik fjalës së Allahut, besës së dhënë Allahut, atë nuk pati fuqi ta tremb nga rruga e ardhmërisë, ishte përplot energji e dije që të jap maksimumin nga vetja pa kursyer asgjë. Ishte simbol i pamposhtur, i pathyeshëm, simbol i qëndresës dhe njeriut besnik të islamit. Emri i tij ishte simbol kuptimplotë i karakterit dhe edukimit për brezat e rijnë, dhe garanci në rritjen e moralit për islamin përkundër vështirësive të kohës kur jetoi e veproi ky mendimtar i madh islam. Duke qenë i mishëruar me mësimet e Islamit , humanizmi i tij ishte në vepër, ai ishte i veçantë në këtë fushë, duke i fisnikëruar edhe më cilësitë e larta shpirtërore.
Neve nxënësve të tij sikur na porosiste:Çdo popull i cili dëshiron të siguroi të ardhmen e tij, duhet të harxhoi sa më shumë energji për të edukuar brezin e ri në rrafshin fetarë dhe atë kombëtarë. Një popull që le pas dore edukimin e brezit të ri, duke lakmuar qytetërime e kultura të huaja vë në rrezik identitetin e vet.
Duke e ditur se familja ka një rëndësi jetike për rritjen e një gjenerate të shëndoshë, dhe sigurimin e një sistemi shoqëror të shëndoshë, Hasan efendi Nahi rëndësi të veçantë I kushtoi edhe edukimit të përgjithshëm familjar të besimtarëve në Kosovë e më gjerë. Ai nuk pushoi asnjëherë të dhënies së kontributit në këtë drejtim, me bindjen se:Fëmijët mund të marrin një edukatë të mirë në shtëpi vetëm nëse jeta familjare është e shëndoshë dhe e edukuar në frymën e drejt islame.
Vetë pamja-fiziku i efendi Nahit për shqiptarët ishte një lloj garancie për ditë më të mira si në aspektin fetar dhe atë kombëtarë, Hasan efendi Nahi ishte i dashur nga të gjitha brezat, gëzonte një autoritet të madh tek intelektualët, studentët, xhemati nëpër xhami, kolegët e tij, ai nuk mund të kalonte rrugës e të mos përshëndetej pothuajse nga të gjithë. Efendi Nahi kur ecte rrugës shikonim krenarin, shpresën, motivin, guximin, qëndresën, dhe gatishmërinë për të bërë më shumë. Kur fliste pothuajse çdo fjalë e tij ishte mesazh për popullin, ato diskutoheshin e analizoheshin se çfarë po porosit Hasan efendi Nahi, dhe kjo e mbante gjallë shpirtin Islam te shqiptarët. Hasan Efendi Nahi edhe pse i përndjekur nga sistemi komunist ateist bëri të pamundurën që të jetë nëpër xhami, shtëpi, dasma, vdekje, tubime të ndryshme dhe gjithherë i gatshëm që fjalën e Allahut ta shpjegoi si duhet. Ai ishte i afërt me xhematin, me intelektualin, studentët ngase ishte i përgatitur si askush tjetër për dialog me të gjithë.
Në predikimet dhe ligjëratat që mbante ai në vazhdimësi shtjellonte problematika shumë thelbësore të fesë Islame, pastaj theksonte çështjet e shtypjes shoqërore në kohëra pasi që qëllimi I tij ishte të inkurajonte brezin e ri për mos humbjen e shpresës. Duke inkurajuar brezin e ri për të harmonizuar ndriçimin intelektual me urtësinë shpirtërore dhe humane për ardhmërinë e popullit tanë.
Hasan efendi Nahi me ligjëratat e tij nuk u kufizua vetëm nëpër qytete, por udhëtoi nëpër shumë zona rurale, duke mos kursyer mundin dhe kohën. Dhe kjo bëri që Hasan efendi Nahi të tërhiqte vëmendjen e popullit, ngase ai nuk kufizohej vetëm në çështjet fetare, ai fliste rreth arsimit, shkollës shqipe, shkencës, nevojës së arsimimit të brezit të rinj, hapjen e shkollave të reja, problemet ekonomike, mos lëshuarën e vendit e shumë problem tjera.
Hasan efendi Nahi në ligjëratat e tij bazuar në ajete dhe hadithe të shumta, shekullin e kaluar e imagjinonte si shekull në të cilin populli shqiptar do të dëshmoi lindjen e një force shpirtërore që do të rivitalizonte vlerat morale tek populli shqiptar për largimin e sistemit komunist ateist dhe çlirimin kombëtar.
Thirrjen e tij gjithherë e mbështeste në ajetin:
ادْعُ إِلَى سَبِيلِ رَبِّكَ بِالْحِكْمَةِ وَالْمَوْعِظَةِ الْحَسَنَةِ وَجَادِلْهُمْ بِالَّتِي هِيَ أَحْسَنُ إِنَّ رَبَّكَ هُوَ أَعْلَمُ بِمَنْ ضَلَّ عَنْ سَبِيلِهِ وَهُوَ أَعْلَمُ بِالْمُهْتَدِينَ
“Ti o (Muhamed) thirr për në rrugën e Zotit tënd me urtësi e këshillë të mirë dhe polemizo me ata (kundërshtarët) me atë mënyrë që është më e mira. Zoti yt është Ai që e di më së miri atë që është larguar nga rruga e Tij dhe AI di më së miri për të udhëzuarit.” (En-Nahl -125)
Kishte bindjen Hasan efendi Nahi se rruga e besimit në vazhdimësi varet nga përgatitjet për përvetësimin e një edukimi universal të saktë të bazuar në argumente. Ngase sipas Hasan efendi Nahit e vetmja mënyrë për ti bindur të tjerët është bindja.
Unë por edhe disa ish medresant që sot marrin pjesë në këtë sesion shkencor kushtuar hoxhës sonë, por edhe qindra tjerë ndihen mirë vetëm e vetëm pse patëm fatin që të jemi nxënës të Hasan efendi Nahit, i cili dha shumë nga vetja për arsimimin e gjeneratave të reja edhe në Medrese.

Të nderuar të pranishëm!
Mësuesit e vërtetë mbjellin farën e pastër, edukimin e mirëfilltë, modelin e shëmbëlltyrën tek nxënësit e tyre, dhe nëpërmjet kësaj nxënësit e kuptojnë mësuesin e tyre, mësimet e të cilit do ta udhëzojnë, drejtojnë e udhëheqin drejt sukseseve në jetën e tyre të mëtutjeshme.
I tillë ishte Hasan efenia siç e quanim të gjithë, i tillë mbet edhe pas 20 vjetësh të vdekjes së tij, mësimet dhe emri i tij do të mbesin deri në amshim falë edhe përkthimit të Kuranit famëlartë në gjuhën shqipe që konsiderohet edhe kontributi më i madh i tij.
Ndaj ai ishte një edukator e mësues jo vetëm për mendjen po edhe zemrën e shpirtin e njeriut, personaliteti i tij është i veçuar edhe me përpjekjet e tij të vazhdueshme në hapjen e institucioneve edukative në mbar Kosovën e më gjerë. Me bindjen e thellë që kishte se qëllimi kësaj jete është që njeriu të kuptoi kuptimin e saj, me bindjen se do të udhëtojmë prej botës materialo shpirtrave në përjetësi.
Ndaj me të drejt mund të themi se Hasan efendi Nahi ishte personaliteti islam i shekullit që shkoi dhe shëmbëlltyrë që duhet ndjekur edhe ne të tjerët.
Duke përfunduar fjalën time të respektuar studiues iu dëshiroj punë të mbarë në këtë Sesion shkencor, nga i cili presim rezultate dhe të dhëna te reja.
Dhe në fund e lusim Allahun Fuqiplotë që ta shpërblej me të mirat e Tij , dhe ta gradoi me Xhenetul Firdevs hoxhën tonë.

Shfaq më shumë në Fjalime

Shfleto

Fjala e Myftiut Naim ef. Tërnava në promovimin e tri veprave të tij

I nderuari reis i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut, Shaqir ef. Fetahu, I n…