Ballina Shkrime Feja në fjalorin e shqipes së sotme, fjalor i ri – me paragjykime të vjetra

Feja në fjalorin e shqipes së sotme, fjalor i ri – me paragjykime të vjetra

Mexhid Yvejsi

Akademia e Shkencave e Shqipërisë
Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë

FJALOR I SHQIPES SË SOTME
Botimi i dytë i ripunuar (me rreth 35.000 fjalë)
Botues: “Toena”, Tiranë, 2002 

Në fund të vitit që shkoi, doli nga shtypi Fjalori i Shqipes së Sotme, botuar nga “Toena”, Tiranë, 2002.

Realizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, “Fjalori i shqipes së sotme” është përuruar me 27 janar 2003, në ambientet e Institutit Albanologjik të Prishtinës.

 

Para dhe gjatë përurimit, ashtu sikurse edhe para e gjatë botimit, “Fjalori i shqipes së sotme”, botim i dytë, i ripunuar, me rreth 35.000 fjalë, është lavdëruar nga të gjithë ekspertët tanë të shquar…!

Kështu akademik Rexhep Qosja ka theksuar: “Fjalori i vitit 1980 ka pasur një rëndësi dhe ndikim të madh në fushën e gjuhësisë dhe letërsisë shqipe, kurse varianti më i ri i këtij fjalori, pritet të ketë një ndikim edhe më të madh. Fjalori shënon epokën e gjuhës kombëtare, letrare, epokën e gjuhës së standardit.”

Fjalori i vitit 1980, ribotuar në Prishtinë më 1981, dhe ai i vitit 1984, shënon epokën e Partisë së Punës të Shqipërisë, që e shpalli Shqipërinë shtetin e parë e të vetëm ateist në botë (1967), e cila imponoi që me gjuhën kombëtare, letrare, shqipe, të thoshte se:

“Feja është besim i verbër dogmash, armik i përparimit, luftoni fenë, mohoni fenë…” (faqe, 450) Prishtinë, 1981.

Fjalori i vitit 1980, botuar në Tiranë e ribotuar në Prishtinë me 1981, dhe ai i vitit 1984 botuar në Tiranë, në gjuhën shqipe, letrare, kombëtare, shënon epokën e terrorit, të tmerrit, të diktaturës komuniste – ateiste, sepse shanin, fyenin, akuzonin, luftonin, mallkonin jo vetëm fenë, por edhe Kishën e Xhaminë, Hoxhën e Priftin, Biblën e Kur’anin, madje edhe Zotin, Perëndinë, kurse e lavdëronin Partinë…!!!

Në Fjalorët e Gjuhës shqipe (1980, 1981, 1984), botuar në Tiranë e ribotuar në Prishtinë, për Xhaminë e Kishën shënohen edhe këto fjalë:

Xhamia: “Kur s’ke bukë në shtëpi, pse çon vaj në xhami” (faqe, 2198)

Kisha: “Kërkon mbrojtje atje ku s’duhet, shkoj të zgjidhë një çështje atje ku nuk ia zgjidhin.” (faqe, 832)

Kurse për Hoxhën e Priftin fjalori shkruan:

Hoxha:“Kush ha djathë nga hoxha, pëlcet nga uji” (faqe, 693)

Prifti:“Barku i priftit është hambar për të ngrënë e për të marrë.” (faqe, 1545).

Për librat hyjnorë, Biblën e Kur’anin, Fjalori thotë:

Bibla: “Përmban dogma e mite të përbashkëta për fenë e hebrenjve e për fenë e krishterë.” (faqe, 138).

Kur’ani: “Libër që përmban dogmat e fesë myslimane dhe legjenda të ndryshme mitike.’ (faqe, 922).

Për Zotin, Krijuesin, Zhvilluesin, Furnizuesin e gjithësisë, Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe shkruan:

Zoti: “Trilluar nga fetë e ndryshme, s’ka Zot, nuk i lutemi Zotit.” (faqe, 2248).

Këto fjalë, si edhe shumë të tjera nga leksiku fetar, që janë mbi 400, kështu trajtoheshin e shpjegoheshin, me gabime e paragjykime. Këto fjalë, edhe pse në gjuhën shqipe, letrare, kombëtare, – vërtetë të torturojnë!

Dhe në këtë botë, thoshte Nadsoni, nuk ka torturë më të madhe sesa tortura me fjalë. Atëherë, një Fjalor që torturon, çfarë epoke shënon?!

Në parathënien e botimit të dytë, ndër të tjera, shkruan:

“Gjatë ripunimit janë bërë këto ndryshime e përmirësime:

“Janë përmirësuar shpjegime ose përkufizime fjalësh e termash, duke i shkarkuar ato nga ngarkesa të panevojshme ose me karakter politizues etj., ndërsa leksiku fetar është rivlerësuar e trajtuar në përputhje me të drejtën dhe lirinë e besimit që ekziston sot në vendin tonë…”

Fjalori i shqipës së sotme, i cili ka 1584 faqe, me retth 35.000 fjalë, botuar nga “Toena”, Tiranë, 2002, është ripunuar e plotësuar nga prof. dr. Jani Thomai, prof. dr. Miço Samara, prof. dr. Josip Kole, prof. dr. Pavli Haxhillazi, prof. dr. Hajri Shehu, prof. dr. Thanas Feka e Kornelja Sima.

Po, është e vërtetë se janë përmirësuar shpjegime e përkufizime fjalësh e termash, leksiku fetar, gjithashtu, deri diku, është rivlerësuar në Fjalorin e ri, por ende kanë mbetur shumë gabime e paragjykime të vjetra.

Në këtë botë të mjerë, thoshte Albert Ajnshtajni, është më vështirë të mposhtësh një paragjykim, sesa të shpërbësh një atom. Kurse Eduard R. Murro, drejtor i Angjencisë Informative Amerikane, për paragjykimin tha: “Askush s’mund të eleminojë tërësisht paragjykimet, por vetëm mund t’i njohë ato.”

Hartuesit e Fjalorit të shqipes së sotme jo vetëm që nuk i mposhtën paragjykimet ndaj fesë, në vençanti ndaj fesë islame, por nuk janë në gjendje as pas njëzet vjetësh t’i njohin, së paku, paragjykimet, që i kanë verbuar…

A nuk është verbëri kur hartuesit e Fjalorit të ri ende tallen, me ironi, me Kishë e Xhami, me Bibël e Kur’an?!

Qe disa shembuj, që i shënon Fjalori:

“Gjeti kishë (xhami) ku të falet, kërkon mbrojtje a ndihmë atje ku nuk duhet ose atje ku nuk i jepet. ” (faqe, 580)

“Kur s’ke bukë në shtëpi, pse çon vaj në xhami”?! (faqe, 1483). Nëpër kisha e xhami përmendet e lavdërohet, adhurohet Zoti, që është Një; në kishë u mbajt Kuvendi i Lezhës (1444); në xhami u zhvilluan kuvendet e njohura shqiptare, si “Lidhja e Prizrenit” (1878) dhe Lidhja e Pejës “Besa Besë” (1899); nëpër kisha e xhami u edukuan mendjet, zemrat e shpirtrat e shqiptarëve gjatë shekujve dhe u flijuan për Fe, Komb e Atdhe, siç ishin Myderriz Ymer Prizreni, Myderriz Haxhi Zeka, Papa Kristo Negovani, At Anton Harapi e shumë të tjerë…

Për librat e shenjtë, hyjnorë, Biblën e Kur’anin, që janë librat më të përkthyer në botë, më të lexuarit në rruzullin tokësor, që themeluan dy civilizime, dy kultura, më të përhapurat, më të qëndrueshmet dhe më me ndikim në historinë e njerëzimit, Fjalori i shqipes së sotme, Tiranë, 2002 thotë:

Bibla:“Dhjata e vjetër” dhe “Dhjata e re” (e para përmban mësime e mite të përbashkëta për fenë e hebrenjve e për fenë e krishterë, dhe e dyta është vetëm për fenë e krishterë. (faqe, 109).

Kur’ani:“Libër që përmban parimet e fesë myslimane”. (faqe, 635).

Hebrenjtë, të krishterët dhe myslimanët, që janë rreth katër miliardë banorë, më shumë se gjysma e popullsisë së botës, besojnë se Bibla dhe Kur’ani janë libra hyjnorë, libra të shenjtë, janë shpallje nga Zoti, për t’i udhëzuar njerëzit, popujt e botës, por, qe, hartuesit e Fjalorit të shqipes së sotme, ende nuk i pranojnë, as nuk i shënojnë si të tilla!

Çdo libër, çdo vepër kudo në botë, qoftë origjinal ose i përkthyer, ka një autor, ose dy a më shumë autorë, siç i ka edhe Fjalori i shqipes së sotme, shtatë hartues, që i kanë ripunuar e plotësuar, por e kanë harruar Zotin!

Hartuesit e Fjalorit të shqipes së sotme, që e ripunuan e plotësuan fjalorin, me rreth 35.000 fjalë, me 1584 faqe, janë të gjithë me tituj shkencorë; ata i shënuan emrat e tyre, edhe titujt shkencorë, në Fjalor, por nuk e shënuan emrin e Zotit, Autor i librave hyjnorë…!

Kjo dëshmon se hartuesit e fjalorit, njerëz të mençur, me tituj shkencorë, ende janë të pafe… Sipas Kontit N. L. Cincerdorf, njerëzit e mençur nuk duhet të jenë të pafe…

Lidhur me fenë, me Zotin, në përgjithësi, zemra mund “të kuptojë” më shumë sesa mendja. Zemra, siç thoshte Blez Pascal, i ka rezonet e saj, të cilat nuk i njeh mendja.

Mendja e hartuesve të Fjalorit… e vendosë të parën në renditje Partinë Socialiste, aty ku shkruhet fjala Parti (faqe, 936). Kurse, kur flitet ose shkruhet për fe, fenë islame, që e shkruajnë gabimisht fe myslimane, e renditin të fundit, edhe pasë fesë budiste…! (faqe, 324).

Pra në Fjalorin e shqipes së sotme, Tiranë, 2002, e para ndër partitë del Partia Socialiste, kurse ndër fetë, e fundit del feja myslimane, edhe pas fesë budiste…!

Ky është Fjalori i shqipes së sotme, i ripunuar, i plotësuar, që po lavdërohet prej ekspertëve tanë të shquar “si vepër kapitale”; “një nga shtyllat e kombit shqiptar”, “fjalor që shënon epokën e gjuhës kombëtare letrare, epokën e gjuhës së standartit”, siç theksoi akademik Rexhep Qosja. Kurse dr. Shefkije Islamaj tha: “Fjalori i shqipes së sotme duhet të jetë Bibla e kulturës shqiptare…”

Ky Fjalor që lavdërohet kaq shumë, sa të quhet Bibla e kulturës shqiptare, thotë se Bibla është libër që përmban mite. Mitet janë trillime, përralla…

Unë nuk them se Fjalori i ri ka përralla, por po them se ka gabime, të cilat duhet të përmirësohen.

Ky është vërtet fjalor i ri, por me paragjykime të vjetra!

Shfaq më shumë në Shkrime

Shfleto

Reflektime të përsosurisë islame në festën e Kurban Bajramit

HYRJE *** الحمد لله الكريم المجيد الذي أكرمنا بالدين والتوحيد، وأَسْبَغَ علينا نِعَمَه ظاه…