Drejtori për Diasporë i Kryesisë së BIK, z. Ekrem ef. Simnica, më 19 korrik 2015, mori pjesë në manifestimin e organizuar nga Bashkësia Islame Shqiptare “Bashkimi” në Nyrnberg të Gjermanisë, me rastin e festës së Bajramit të Madh, ku u bë edhe një dua hatmeje për gjeneratën e tretë pranë kësaj xhamie.

Drejtori për Diasporë, z. Ekrem ef. Simnica, falënderoi Kryesinë e Bashkësia Islame Shqiptare “Bashkimi” në Nyrnberg të Gjermanisë, në veçanti kryetarin e Kryesisë së xhamisë, z. Sefer Alushaj, i cili nuk mundi të marrë pjesë për arsye të obligimeve familjare, pra për ftesën dhe interesimin e tij për vazhdimin e bashkëpunimit me BIK-un. Falënderim i veçantë i shprehim edhe ish-kryetarit të Bashkësisë Islame Shqiptare “Bashkimi”, z. Ramadan Osmanit, për kontributin dhe bashkëpunimin e dhënë. Gjithashtu, e falënderojmë edhe imamin e nderuar, z. Sevgani ef. Asani, dhe gjithë xhematin dhe anëtarësinë e gjerë të kësaj Bashkësie Islame Shqiptare në Nyrnberg.
Manifestimi u mbajt nën drejtimin e imamit të xhamisë, Efendiut Sevgani Asani, ku u shfaq një program i pasur kulturor-fetar e kombëtar, pra nga nxënësit e mektebit, ndërsa u deklamuan vjersha e ilahi të ndryshme për nder të Fitër-Bajramit, si dhe bënë dua hatmeje 19 nxënës të mektebit.
Hapja e manifestimit u bë me leximin e pjesëve nga Kurani i madhëruar, e që u lexua nga z. Xhelal ef. Kaloshi, imami i nderuar i xhamisë “ASR” në Ingolstodt-afër Minhenit. Salla ishte e vogël për t’i zënë gjithë ata besimtarë të nderuar që kishin ardhur enkas për këtë manifestim. Pas fjalimit dhe paraqitjes së një historiku të shkurtër nga zv/kryetari i Kryesisë së xhamisë “Bashkimi”, (në mungesë të kryetarit), me përshëndetje e fjalim rasti xhematit iu drejtua edhe drejtori për Diasporë në BIK.
Drejtori për Diasporë z. Ekrem ef. Simnica i përcolli përshëndetjet dhe urimet e Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, të strukturave udhëheqëse të saj, dhe të Myftiut Tërnava, për festën e Fitër-Bajramit, duke e lutur Allahun Fuqiplotë për pranimin e agjërimit dhe gjithë veprave të mira të bëra në këtë muaj të veçantë. Drejtori për Diasporë falënderoi Kryesinë dhe xhematin e xhamisë për kontributin e dhënë nga Mërgata në të çdo kohë, duke kërkuar mirëkuptim që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe më, si me Bashkësinë Islame të Kosovës ashtu edhe me Bashkësitë fetare tjera dhe me vendlindjen në përgjithësi.
Përshëndetje e veçantë shkoi edhe për nxënësit dhe nxënëset bukuroshe, që salla shkëlqente nga prezenca e tyre; të veshur me rroba kombëtare, e që 19 prej tyre edhe kishin mësuar leximin e Kuranit famëlartë. Ky ishte gëzimi i jashtëzakonshëm, duke përkujtuar thënien e Pejgamberit a.s., i cili thoshte: “Më i miri prej jush është ai që e mëson Kuranin, dhe atë ua mëson edhe të tjerëve.” Ndërsa, të tjerët filiza të rinj interpretuan e recituan edhe disa vjersha e ilahi, e në sallë u bë një atmosferë festive dhe tepër e këndshme.
Drejtori për Diasporë, z. Ekrem Simnica kërkoi nga kryetari i Unionit Mysliman Shqiptar në Gjermani, Kryesia e xhamisë dhe xhematit në përgjithësi, që ta shtojnë bashkëpunimin e Qendrave Islame Shqiptare me institucionet fetare e shtetërore në vendet ku jetojnë e veprojnë, por edhe me institucionet fetare e shtetërore në vendlindje, për të pasur një jetë sa më të sigurt, e duke mos i dhënë mundësi ekstremistëve për t’u bërë me ndikim në shoqërinë tonë, veçmas duke e ditur se Islami është paqe dhe sistem që shoqëria njerëzore të jetojë e lumtur, e jo të jetohet me pasiguri, e që kjo është sprova më e madhe e shoqërisë njerëzore.
Drejtori për Diasporë gjithashtu falënderoi Qeverinë gjermane dhe popullin e saj për ndihmën dhe mundësinë që po i jep Kosovës, si në aspektin politik, ekonomik, social etj., por edhe për mbështetjen dhe mundësitë që ia dha mërgatës sonë në Gjermani, e që janë sofra dhe buka e Kosovës dhe kosovarëve.
I pranishëm në këtë ngjarje ishte edhe kryetari i UIZAD Deutschland, H. Salahudin Ibra, sekretari i përgjithshëm i UIZAD, z. Besnik Rama, imami i nderuar Jakup ef. Muhamedi, një nga recituesit e famshëm të Kuranit, Xhelal ef. Kaloshi, Dr. Asllan Tahiraj, Nusret Kurtishi etj.
Në fund të manifestimit u shpërndanë dhurata, si nga xhamia “Bashkimi ” por edhe nga UIAZD, si dhe nga drejtori i Diasporës në Bashkësinë Islame të Kosovës, që dha një dhuratë modeste për xhaminë “Bashkimi” në Nyrnberg.
Drejtori për Diasporë, Ekrem ef. Simnica, vizitoi edhe Qendrën Islame Shqiptare “Ballkan” në Mynih të Gjermanisë. Pritja ishte shumë e ngrohët e vëllazërore, ku u njoftua për punën, aktivitetin dhe të arriturat e Qendrës Islame Shqiptare “Ballkan”, për shumë vite. Ai e falënderoi imamin e nderuar Jakup ef. Muhamedi për pritjen dhe shoqërimin që i bëri gjatë gjithë kohës së qëndrimit në Minhen e në Nurnberg. Gjithashtu, ai kishte takim dhe e falënderoi edhe Kryetarin e Xhamisë Besnik Rama, Kryesinë dhe xhematin në përgjithësi, duke e lutur Zotin që t’i ndihmoi edhe më në punën dhe aktivitetin e tyre.{gallery}fb15dspr{/gallery}

Shfaq më shumë në Diaspora

Shfleto

Myftiu i Kosovës shtroi iftari për nder të Fitores së Bedrit

Prishtinë, më 27 mars 2024 Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnav…