Më 07 prill 2018, drejtori për Diasporë në Kryesinë e Bashkësisë Islame të Kosovës, Ekrem ef. Simnica, qëndroi në Gjermani, ku mori pjesë në shënimin e inaugurimit të xhamisë shqiptare “DAI” dhe objekteve përcjellëse të saj.

Në këtë inaugurim, përveç drejtorit Simnica, morën pjesë edhe kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi me bashkëpunëtorë, imami Ahmet Kalaja nga Shqipëria, përfaqësuesi i Unionit të Bashkësive Islame Shqiptare në Gjermani, z. Salahudin Ibra, si dhe imamë dhe udhëheqës të xhamive nga mbarë Gjermania dhe Zvicra. Këtë tubim e madhështuan edhe më shumë me prezencën e tyre edhe lexuesit e Kuranit, imami në Ingelshtad, z. Xhelal Kaloshi dhe hafëz Aziz Alili nga Kroacia, të cilët para të pranishmëve lexuan pjesë nga Kurani, duke bërë kështu këtë manifestim edhe më të begatë. Kënaqësi e veçantë për të pranishmit ishte edhe prezenca e përfaqësuesit të lartë të pushtetit lokal në Mannheim.

Nën udhëheqjen e programit nga moderatori z. Agim Avdiu, fillimisht iu dha fjala kryetarit të xhamisë, z. Amir Abdiu, i cili përshëndeti mysafirët, e më pastaj me nga një fjalë rasti të pranishmit i përshëndetën edhe kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, imami nga Shqipëria, Ahmet Kalaja, si dhe drejtori për Diasporë, Ekrem ef. Simnica.

Drejtori Simnica pas përshëndetjes dhe urimit në emër të Bashkësisë Islame të Kosovës, organeve udhëheqëse të saj, dhe në emrin e Myftiut Tërnava si dhe të popullit mysliman të Kosovës, foli për rolin dhe rëndësinë e xhamive në përgjithësi, e në veçanti në diasporë. Ai theksoi virtytin e shqiptarëve gjithandej në shtetet e Perëndimit, si dhe kujdesin e veçantë në shprehjen e ndjenjave fetare islame, gjë që po e dëshmojnë më së miri edhe me ndërtimin dhe themelimin e këtyre qendrave-xhamive madhështore dhe funksionimin e tyre, gjithnjë duke pas parasysh rrethanat, kohën dhe vendin ku jetojnë dhe veprojnë mërgimtarët tanë.

Drejtori për Diasporë, z. Ekrem Simnica ftoi vëllezërit shqiptarë që të vazhdojnë edhe më tutje të lënë përshtypje të mirë e pozitive te banorët vendës, si dhe tek autoritetet e shteteve perëndimore, me kulturën shqiptare, fenë, respektin, dhe mbi të gjitha me vlerat e mrekullueshme kulturore e civilizuese, njëherësh shprehu falënderimet më të sinqerta për popullin dhe qeverinë gjermane për kushtet dhe mundësitë që u ofrojnë komuniteteve, si në aspektin fetar ashtu edhe në atë kombëtar.

Islami është fe e paqes, tolerancës, mirëkuptimit, respektit të ndërsjellë, larg çdo ekstremizmi dhe radikalizmi. Kushdo që mundohet ta paraqesë islamin ashtu siç nuk është ai, ia bën dëmin më të madh vetë fesë së Allahut, myslimanëve, si dhe kombit të vet.

Duke përshëndetur themelimin e kësaj qendre, uroi që kjo dhe të gjitha xhamitë-qendra tjera në diasporë të kultivojnë vlerat madhështore të islamit.

Drejtori Simnica, ftoi të pranishmit që gjithnjë të përcjellin mesazhin e paqes, mirësjelljes, mirëkuptimit dhe vlerat kulturore e civilizuese. Ai duke vlerësuar pjesëmarrjen në këtë inaugurim si një nder dhe privilegj, shfrytëzoi rastin që në emrin e BIK-ut, t’i dhuroi mirënjohje kryetarit të nderuar të Xhamisë Shqiptare “DAI” në Mannheim z. Amir Abdiut, dhe kryesisë së Bashkësisë Islame Shqiptare në Mannheim.

Ky manifestim u përmbyll me një program kulturo-fetar, ku me këndimin e disa ilahive dhe pjesëve nga Kurani u paraqitën imami në Bashkësinë Islame “Asr”, Xhelal Kaloshi, hfz. Aziz Alili dhe Nusret Kurtishi.

Gallery Wordpress

E diel më 08 prill

Drejtori për Diasporë në Kryesinë e Bashkësisë Islame të Kosovës, Ekrem ef. Simnica vizitoi Bashkësinë Islame Shqiptare – Ludwigshafen

Fillimisht ai falënderoi imamin e kësaj xhamie, Ridvan ef. Kurtishin, kryesinë si dhe xhematin për mikpritjen e ngrohtë që i ofruan. Pas namazit të drekës, drejtori për Diasporë, Ekrem Simnica mbajti një ligjëratë, ku paraqiti të arriturat që ka shënuar Bashkësia Islame e Kosovës, si dhe sfidat me të cilat përballet kjo bashkësi. Ai gjithashtu njohu edhe me mbarëvajtjen e punës së Medresesë së Mesme “Alaudin”, Fakultetit të Studimeve Islame, si dhe të Institutit të Hivzit. Duke vlerësuar këtë vizitë si nder dhe privilegj, ai shfrytëzoi rastin që në emrin e BIK-ut, t’i dhuroi mirënjohje imamit të nderuar, Ridvan ef. Kurtishit dhe kryetarit të Bashkësisë Islame Shqiptare në Ludwigshafen, z. Cenë Lajqi, për kontributin, punën e palodhshme dhe bashkëpunimin me vendlindjen në përgjithësi, dhe me Bashkësinë Islame në veçanti. Drejtori Simnica i siguroi të pranishmit për gatishmërinë që ka Bashkësia Islame e Kosovës për bashkëpunime me të gjitha Qendrat Shqiptare në mërgatë.

Shfaq më shumë në Diaspora

Shfleto

Drejtori Simnica priti në takim kryetarin e Xhamisë Shqiptare në Neumarkt të Gjermanisë, z. Naser Gashin

Prishtinë, më 19 prill 2024 Drejtori i Diasporës në Kryesinë e Bashkësisë Islame të Kosovë…