Nga 08 dhjetori 2017, në Zvicër qëndroi i deleguari i Kryesisë së BIK-ut, z. Ekrem ef. Simnica, drejtor i Departamentit për Diasporë në Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës. PëR Zvicër mori udhë për të marrë pjesë si vëzhgues në kuvendin e organizuar nga Unioni i Imamëve Shqiptarë në Zvicër. Më datën 10.12.2017, e diel, në xhaminë e Wilit, u mbajt kuvendi i UISHZ-it. Ky takim u mbajt në objektin e mrekullueshëm të xhamisë së re, të promovuar para disa muajve në Wil, në prezencë të një numri delegatësh, përfshirë imamë, kryetarë dhe anëtarë të kryesive të xhamive, të ardhur nga vende e rajone të ndryshme, nga edhe janë xhamitë dhe qendra e tyre islame-shqiptare, që numërohen mbi 30 xhami.
Tubimin e hapi dhe udhëhoqi kryetari i Kuvendit të UISHZ-it, dr. Bashkim Aliu, ndërsa ajete nga Kurani i Madhëruar lexoi imami Enes ef. Koshi.
Fjalim përshëndetës mbajti Abdulla Mustafa, në emër të nikoqirit të mbrëmjes, respektivisht të kryetarit të xhamisë së Wilit. Në këtë mbrëmje patën nderin që, me fjalët e tyre, të paraqiteshin edhe mysafirë të veçantë nga Zvicra dhe vendlindja. Fjalë rasti mbajti kryetari i Federatës së Unioneve Islame në Zvicër, z. Montassar BenMrad-i, i cili mbështeti dhe përkrahu transformimin e UISHZ-it në një Union të Bashkësive Islame Shqiptare dhe fuqizimin e mëtejmë të xhemateve shqiptare në Zvicër. Po ashtu, në frymën e mbajtjes dhe forcimit të bashkëpunimit dhe të mbështetjes midis bashkësive islame të vendlindjes dhe UISHZ-it, kishin ardhur të dy drejtorët për diasporën të bashkësive islame në vendlindje, mr. Ekrem ef. Simnica nga Bashkësia Islame e Republikës së Kosovës dhe dr. Selver ef. Xhemaili nga Bashkësia Fetare Islame në Republikën e Maqedonisë. Që të dy përfaqësuesit e bashkësive islame të vendlindjes iu drejtuan tubimit të kuvendarëve me nga një fjalë rasti e përshëndetës. Në këtë takim, ishte prezent edhe gazetari i gazetës “Tages Anzeiger”, z. Kurt Pelda.
Kryetari i UISHZ-it, mr. Nehat ef. Ismaili, raportoi dhe paraqiti një pasqyrë për aktivitetet e UISHZ-it, nga fillimi i zgjedhjes së tij si kryetari i Unionit deri në ditët para mbajtjes së kuvendit të fundit, Nehat efendiu njoftoi të pranishmit për punën, aktivitetet dhe rezultatet e arritura në këtë periudhë, por nuk la pa përmendur edhe sfidat me të cilat është ballafaquar. Ndërsa raportin financiar e paraqiti arkëtari i UISHZ-it, imami Fahrudin ef. Bunjaku.
Pas një pauze të shkurtër, të pranishmit në takim vazhduan punën e tyre duke marrë edhe disa vendime të rëndësishme dhe njëkohësisht të guximshme, së pari miratuan transformimin e Unionit të Imamëve Shqiptarë (UISHZ) në një Union të Bashkësive Islame Shqiptare në Zvicër (UBISHZ), pastaj miratuan edhe statutin e ri të përpiluar nga një komision i përbërë nga hoxhallarë, kryetarë të xhamive dhe ekspertë juridikë, në kuvendin e mbajtur një vit më parë, më 20.11.2016, në lokalet e xhamisë në Regensdorf (Zvicër).
Kuvendi zgjodhi edhe kryesinë e re të UBISHZ-it, dy drejtuesit e Kuvendit, si dhe dy revizorë.
Kuvendi me votimin e delegatëve, në strukturën drejtuese të UBISHZ-it, e zgjodhën: h. Abdullah Mustafën kryetar kuvendi, h. Ylber Shahinin nënkryetar kuvendi, ndërsa h. Mehas ef. Alijën kryetar, dr. Bashkim ef. Aliun anëtar kryesie, Enes ef. Koshin anëtar kryesie, h. Ismail Ademin anëtar kryesie dhe Rijad ef. Aliun anëtar kryesie. Kurse për revizorë, u zgjodhën: Fehmi Bilali dhe Idriz Ibishi.
Takimi përfundoi me faljen e namazit të jacisë, pas namazit, xhamia nikoqire shtroi edhe një darkë për të gjithë pjesëmarrësit në Kuvend.
Ekrem ef. Simnica-drejtor për Diasporë në Bashkësinë Islame të Kosovës, u angazhua edhe gjatë këtyre ditëve të mbetet sa më afër mërgatës, duke u munduar që t’u dalë në ndihmë si dhe të shfrytëzojë të gjitha mundësitë për një bashkëpunim sa më të mirë, duke iu përgjigjur edhe ftesave për pjesëmarrje nëpër manifestimet e organizuara nga ana e tyre. Gjithashtu, duke u orvatur për marrjen e iniciativave për një bashkëpunim sa më të begatë. Drejtori për Diasporë z. Ekrem Simnica shfrytëzoi nga rasti të vizitonte edhe Konsullatën e Republikës së Kosovës në Cyrih-Zvicër, si dhe disa prej qendrave islame shqiptare të themeluara nga mërgata jonë.
Me 11.12.2017, realizoi vizitën e tij zyrtare në Konsullatën e Republikës së Kosovës në Cyrih-Zvicër, ku u prit nga z. Islam Spahiu, ministër këshilltar/udhëheqës i Konsullatës, i cili pas shprehjes së mirëseardhjes, bisedën e shtroi rreth koordinimit mes qendrave shqiptare me Konsullatën, si dhe koordinimit të punëve me qendrat shqiptare dhe kontrollimit e mbarëvajtjes së tyre. Drejtori Simnica uroi z. Spahiun për detyrën e re duke i dëshiruar shëndet, suksese e mbarësi në krye të Konsullatës.
Me 09.12.2017, drejtori për Diasporë Ekrem ef.Simnica, vizitoi xhaminë “Dzhemat Kosovskih Bosnjaka” në Vallisellen, Cyrih të Zvicrës. Ishte mysafir në xhematin e hoxhës së nderuar Muamer ef. Elezi. Kaluan çaste të paharrueshme me këtë xhemat dhe kryesi të mrekullueshme, të cilët i falënderoi për ndihmën dhe kontributin e vazhdueshëm të tyre për vendlindjen dhe për institucionet tona fetare-arsimore: Medresenë “Alauddin” dhe Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë.

Me 09.12.2017, drejtori për Diasporë Ekrem ef. Simnica, vizitoi xhaminë “Sunnah” në Dietikon, Cyrih të Zvicrës. Z Simnica ishte mysafir në xhematin e hoxhës së nderuar me kohë të caktuar Remzi ef. Halimi. Kaluan çaste të paharrueshme me këtë xhemat dhe kryesi të mrekullueshme, të cilët i falënderoi për ndihmën dhe kontributin e vazhdueshëm të tyre për vendlindjen dhe për institucionet tona fetare-arsimore: Medresenë “Alauddin” dhe Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë.

Ekrem ef. Simnica-drejtor për Diasporë në Bashkësinë Islame të Kosovës, më 10.12.2017, vizitoi qendrën kulturore Shtëpia e Paqes në Cyrih, ku përveç tjerash mbajti ligjëratë pas namazit të drekës. Ishte mysafir në xhematin e hoxhës së nderuar Fahredin ef. Bunjaku, njëherit edhe përgjegjës për financa në kuadër të Unionit të Imamëve Shqiptarë në Zvicër. Kaluan çaste të mira dhe të paharrueshme me këtë xhemat dhe kryesi të mrekullueshme, të cilët i falënderoi për ndihmën dhe kontributin e vazhdueshëm të tyre për vendlindjen dhe për institucionet tona fetare-arsimore: Medresenë “Alauddin” dhe Fakulltetin e Studimeve Islame në Prishtinë.
Drejtori i siguroi në emër të BIK-ut për një bashkëpunim edhe më të madh në të ardhmen.

Ekrem ef. Simnica, drejtor për Diasporë në Bashkësinë Islame të Kosovës, më 11.12.2017, gjithashtu vizitoi qendrën Bashkësia Islame Regensdorf, Cyrih, ku përveç tjerash mbajti ligjëratë pas namazit të drekës. Falënderoi Imamin e nderuar Ferit ef.Zeqiri, kryesinë dhe xhematin për pritje shumë të ngrohtë dhe vëllazërore.

Në kuadër të kësaj vizite të drejtorit për Diasporë Ekrem ef. Simnica në Zvicër, vizitoi edhe xhaminë “Tevhijd” në Cyrih. Drejtori u prit në këtë qendër nga imami i nderuar Xheladin ef. Leka, i cili kishte përfunduar Medresenë Alauddin në Gjilan, kurse studimet në Mekë të Arabisë Saudite. Imami i nderuar e njoftoi mysafirin për mbarëvajtjen e punëve dhe aktivitetet e organizuara në xhaminë Tevhijd. Në vazhdën e aktiviteteve, imami informoi edhe për blerjen e një lokacioni dhe objekti për qendër të re, mjetet ishin siguruar nga xhemati i nderuar.
Drejtorit për Diasporë Ekrem ef. Simnica falënderoi imamin për pritje të ngrohtë dhe vëllazërore, e informoi për rrjedhat në Kosovë e në veçanti për rrjedhat në BIK dhe në institucionet fetare-arsimore, në Medresenë Alauddin në Prishtinë dhe paralelet e saj në Prizren dhe Gjilan dhe në FSI në Prishtinë.

Ekrem ef. Simnica, drejtor për Diasporë në Bashkësinë Islame të Kosovës, më 11.12.2017, vizitoi edhe disa qendra si xhamia “Ikra” në Brutselen, Cyrih, ku përveç tjerash mbajti ligjëratë pas namazit të drekës. Falënderoi imamin e nderuar Shaban ef. Azizi, kryesinë dhe xhematin për pritjen shumë të ngrohtë dhe vëllazërore.

Gallery Wordpress

Për 5 ditë, sa qëndroi në Zvicër, pati një agjendë të ngjeshur, vizitoi 7 qendra islame-shqiptare, aty takoi njerëzit tanë që jetojnë e punojnë në Zvicër. Në të gjitha qendrat që vizitoi, gjeti pritje vëllazërore, pa interesimin e njerëzve tanë për vendlindjen, pa një organizim të mrekullueshëm, pa në qendra e në xhami rend e rregull ashtu siç e kërkojnë parimet fesë e tradita e kombit.
Drejtori Ekrem ef. Simnica u shpreh:
“Po ashtu në qendrat që vizitum pamë edhe kultivimin në praktikë të traditës, gjuhës, fesë e zakoneve të populli tonë. U bindëm në punën që bëjnë xhamitë tona në kultivimin, njohjen dhe ruajtjen e identitetit kulturor, fetar, gjuhësor e kombëtar atje. Në çdo qendër pamë tendencën për të themeluar edhe bibliotekë me libra në gjuhën shqipe, gjë që duhet përkrahur e mbështetur nga institucionet tona, para së gjithash, nga bashkësitë islame. Përkrahjen, ndihmën e mbështetjen në mënyrë institucionale ua kemi borxh njerëzve tanë në diasporë”.
Ndër të tjera, në të gjitha këto vizita u bashkëbisedua për zgjerimin e bashkëpunimit në mes qendrave përkatëse dhe BIK – ut, në veçanti në fushat për të cilat kanë nevojë më së shumti qendrat dhe xhematet e tyre. Drejtorit për Diasporë Ekrem ef. Simnica shprehu gatishmërinë e BIK –ut për mbështetje dhe përkrahje brenda mundësive për të gjitha kërkesat që vijnë nga qendrat e mërgatës.

Shfaq më shumë në Diaspora

Shfleto

Myftiu Tërnava u prit në takim nga sekretari gjeneral i Ligës së Botës Islame RABITA, dr. Muhamed Abdulkerim al Isa

Prishtinë, më 23 prill 2024 Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërna…